<b></b> Mrrolet e Albinit, sikleti i Edit dhe një qen në mes, analizë e mbledhjes së dy qeverive

Mrrolet e Albinit, sikleti i Edit dhe një qen në mes, analizë e mbledhjes së dy qeverive

20.06.2022 20:04

Në njërën anë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës. Në anën tjetër Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë. Në mes një tavolinë, që secilit i dukej e vogël për ta ndarë njërin nga tjetri. E mbi tavolinë, mërrolet e Kurtit, e ironitë vend e pa vend të Ramës.

I pari, i ngrysur, me një buzëqeshje të sforcuar, gati robotike. Një sjellje krejtësisht kurtuazie. I dyti, pra ai i gjati nga Shqipëria, në siklet për t'u dukur 'cool'. Me ironi, batuta pa ndonjë kreativitet e jo rrallë seksiste. Pra, një tentativë e dështuar për ta paraqitur veten si njëri pa inate.

Ajo çfarë do të mbahet mend nga mbledhja, ishte një qen që lehte, e të cilin kryeministri Rama e përmendi dy herë. Herën e parë gjatë mbledhjes së dy qeverive që u organizua në një hotel në Prishtinë.

Por, qeni hyri mes Kurtit e Ramës edhe gjatë konferencës së dy liderëve.

Ky është një qen që mbetet shumë i rëndësishëm, sepse përbën një simbol për arsyen e tërheqjes së vëmendjes. Por ne fokusohemi dhe puna vazhdon, lehjet mbeten prapa, si ajo thënia ”qentë le të lehin karvani ecën përpara””, deklaroi Rama me një ton triumfaliteti.

E gjersa Rama fliste për qenin, Kurti lëshonte disa qeshje prej zori, sa për të mos u dukur që po e injoron tërësisht kryeministrin e Shqipërisë.

Megjithatë, përtej qenit që Rama nuk e lëshoi dot nga goja, i pari i ekzekutivit shqiptar gjatë tërë kohës tentoi që nëpërmjet ironisë të ngacmonte Kurtin e ministrat e Qeverisë së Kosovës.

Viktima e parë e ironisë së Ramës ishte ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili teksa tentoi t’ia kthente me të njëjtën monedhë mysafirit nga Tirana, doli paksa qesharak.

Gjersa Sveçla po shpjegonte lehtësirat që do të sillnin marrëveshjet e nënshkruara nga dy ministritë e Brendshme, Rama i kërkoi më shumë shpjegime, duke thënë se fjalia do të ketë lehtësira ia fut ankthin.

‘‘Kjo fjalia do ketë lehtësira më fut ankthin. Mund ta dimë nga ju se si do kalohet kufiri në korrik dhe në gusht. Çka janë këto ‘do kemi lehtësira’?’’, institoi në kërkesën për sqarime shtesë Rama.

Arroganca e Ramës nuk u kundërshtua nga Sveçla, i cili zgërdhihej përball udhëheqësit shqiptar, ndonëse ai po e poshtëronte publikisht me shpoti.

Një shaka tjetër aspak e këndshme erdhi vetëm pak minuta më vonë. Madje, ajo pati konotacione seksiste.

Rama e komentoi bashkëpunimin mes Belinda Ballukut dhe Liburn Aliut, dy ministrave të Infrastrukturës së dy vendeve.

Madje, Rama i tha Aliut se ka gjetur një mënyrë të maksimizojë rezultatin karshi Ballukut, duke lënë të nënkuptohet një lidhje përtej politikës.

‘‘Shpresoj të mos i ngelet hatri askujt, por ka një entuziazëm të madh të bashkëpunimit me Liburnin. Janë dy ministre që Liburni ka gjet mënyrën se si të maksimizojë rezultatin, apo është ndonjë gjë tjetër. Besoj Liburn që në drekën e punës do ta ndash këtë përvojë edhe me kolegët e tjerë’’, deklaroi Rama.

E teksa shefi i Qeverisë së Shqipërisë vazhdonte me fjalimin e tij të bajatshëm, në fund tha se tash e tutje “Liburn do t’i kesh tri gra me të cilat do të bashkëpunosh”.

Rama nuk i la asgjë rastit. Ai u shfaq aspak i ‘mëshirshëm’ edhe me Kurtin, duke u tallur me të kur ky i fundit u pyet nëse Kosova do të jetë vëzhguese në samitin e ardhën të Open Ballkan.

‘‘Po të jetë për vëzhgues ky vëzhgon nga Prishtina Kinën, jo më Ohrin’’, ironizoi Rama bash në përfundimin e konferencës, duke mos i dhënë mundësinë Kurtit të kundërpërgjigjej.

Pas mbledhjes së dy Qeverive, Rama pasdite u pa në një promovim të librit të Enver Hoxhajt, deputet i PDK-së, e ku foli për marrëdhëniet mes Serbisë e Rusië, ndër të tjerash.

Në mbrëmje, Rama do të udhëtojë për në Shqipëri. Por, nuk dihet nëse Rama do ta marrë me vete qenin që i lehu, e që lehja e tij i la përshtypje aq shumë piktorit politikan.

Tjera nga autori:
1