Kurti e Osmani shumë diplomatikë në fjalë pas takimit me Çavushoglun

Kurti e Osmani shumë diplomatikë në fjalë pas takimit me Çavushoglun

19.06.2022 15:04

Mevlut Cavusoglu, ministri i Jashtëm i Turqisë po qëndron në Kosovë dhe tashmë ka kryer pjesën më të madhe të vizitës. Pas takimit që ka pasur me ministren e Jashtme, Donika Gërvallën dhe me presidenten Vjosa Osmani, ai është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti. Por, këta dy të fundit kanë dhënë deklarata shumë diplomatike që nuk përçojnë frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit të deritashëm me shtetin turk. 

Për dy takimet e fundit nuk ka pasur ndonjë konferencë për medie, por ishte ministri turk ai që bëri postim në Twitter.

Cavusoglu ka shkruar se në këtë takim është diskutuar se si të përmirësohet bashkëpunimi mes dy shteteve. 

“Diskutuam modalitetet për ta avancuar bashkëpunimin tonë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Theksuam kërcënimin që paraqet organizata terroriste e FETO-s”, ka shkruar Cavusoglu.

Ai nuk i përmendi Kurtit çështjen e vendosjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, qytetin e kontestuar që tashmë është njohur nga shteti ynë si kryeqytet i Izraelit. Kundër një vendimi të tillë kishte paralajmëruar para një viti edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Tayipp Erdogan. 

Diçka më shumë në lidhje me vizitën nuk dha në deklaratën e saj në Twitter as presidentja Vjosa Osmani.

"Me ministrin Mevlüt Çavuşoğlu zhvilluam një bisedë përmbajtjesore për rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, si dhe hapat përpara për t’i nxitur investimet e ndërsjella."

Takimi i ministres Donika Gërvalla me homologun e saj turk Mevlut Cavusoglu

Cavusoglu vizitën në Prishtinë e nisi me homologen e tij, Donika Gërvallën, nën dritën e skandalit të dyshimeve për abuzime milionëshe në spitalet turke dhe nën dritën e refuzimit të kërkesës turke për mos-dërgimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, që e njeh efektivisht qytetin e kontestuar për kryeqytet të Izraelit.

Pas takimit, të dy dolën në një konferencë për media, ku ministrja Gërvalla tregoi për një marrëveshje që ishte arritur mes Kosovës e Turqisë.

“Është për t’u përshëndetur marrëveshja që u nënshkrua sot nga dy ministrat lidhur me rritjen e frekuencës së fluturimeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë”, tha Gërvalla.

Pas kësaj marrëveshjeje për të cilën foli Gërvalla, fjalën e mori homologu i saj nga Turqia. Duke folur për raportet e mira në mës Kosovës dhe Turqisë, ministri i Jashtëm theksoi një gjë, që ai e quajti si “pengesa më e madhë” e raportove mes këtyre dy vendeve.

“Natyrisht ekzistenca e Feto-s në Kosovë është pengesa më e madhe mes raporteve tona. Sepse ekzistenca e Feto-s është duke bërë punë për t’i helmuar raportet tona dhe pas tentim-puçit në Turqi, ekzistenca e Feto-s në Kosovë neve dhe popullin turk e shqetëson shumë, këtë dua ta theksoj patjetër këtu”, tha ministri Cavusoglu.

Sipas ministrit, Fethullah Gulen po përpiqet që Kosovën ta bëj keq, ashtu “si në Turqi”.

Strategjinë e ngjashme të cilën e ka zbatuar në vendin tonë, është duke e zbatuar në Kosovë. Këtë ne jemi duke e vrojtuar. Në njërën anë, këqyrin t’i helmojnë të rinjtë dhe investojnë në media, dhe në anën tjetër shohin të inflirtohen në institucione shtetërore. Ashtu siç kanë bërë në Turqi dhe vende tjera, po tentojnë ta bëjnë të njëjtën këtu”, tha Cavusoglu.

Kujtojmë që ditë më parë në Kosovë ishte përuruar një libër që himnizonte jetën dhe veprën e Gulenit, e ku kishin marrë pjesë shumë figura të shquara publike të vendit.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, më tej tha se këto janë të rrezikshme për Kosovën. Përderisa shtoi se Kosova duhet t’i injorojë ata që nuk e thonë të njejtën gjë si vendi i tij.

 “Mos i merrni parasysh disa fjalë nga vendet tjera”, tha ai.

Gjatë kësaj konference, kryediplomati turk paralajmëroi edhe investime të reja në Kosovë.

Në fushën e energjetikës, kompanitë tona janë të gatshme të investojnë dhe nuk duan garanci të blerjes. Financimin do ta bëjmë vetë dhe për një vit do ta kryejmë. Besoj që në investime të tilla kanë interesim firma të fuqishme në mënyrë që të prodhojnë elektricitet dhe Kosova të eksportojë rrymë në një të ardhme të afërt”, tha ai.

Në anën tjetër, ministrja jonë e Jashtme Donika Gërvalla i kërkoi Çavushoglut që Turqia të kontribuonte në pamundësimin e Serbisë rreth destabilizimit të Ballkanit. 

Por, ajo që u kritikua nga ky takim ishte mospërmendja e dyshimeve për abuzimet milionëshe me trajtime në Turqi dhe fakti që nuk u lejuan pyetje nga gazetarët.

Tjera nga autori:
1