<b></b> Molliqaj dhe aktivistët e PSD-së arrestohen dhunshëm

Molliqaj dhe aktivistët e PSD-së arrestohen dhunshëm

16.06.2022 18:11

Policia e Kosovës sot ka arrestuar kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, dhe disa aktivistë të kësaj parti.

Pamjet tregojnë se arrestimi i këtyre aktivistëve është bërë në mënyrë të dhunshme.

Ndaj veprimeve të policisë ka reaguar edhe PSD-ja.

Në njoftimin për media, kjo parti ka vlerësuar se arrestimi i Molliqajt dhe të tjerëve është bërë me dhunë dhe grushte nga Policia e Kosovës.

"Policia e Kosovës arreston me dhunë, grushte e me sharje aktivistët e PSD-së menjëherë pas protestës së veteranëve të UÇK-së. Pushtetit po i pengon protesta e veteranëve. Nuk ka arsyetim tjetër për mllefin e zellin për dhunë që e përdorën sot", është thënë në njoftimin e PSD-së.

Të arrestuar janë Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Frashër Krasniqi, Gëzon Kastrati dhe Korab Korça.

Kryetarit të PSD-së, ditë më parë i ishtë lëshuar urdhërarresti nga Gjykata, për rastin e sulmit fizik ndaj deputetit Haki Abazi.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate PSD, Dardan Molliqaj, sot i është bashkuar protestës së organizuar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe pse ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arrest.

Gjatë protestës, ai kishte folur për Nacionalen rreth flet arrestit.

Ai kishte thënë se nuk ka pasur ftesë zyrtare në adresën e tij.

"Fletarresti është lëshu me 1 qershor, është bë aktual dhe u nxit një ditë para protestës, ajo që konfirmoj është se ska ftesë zyrtare në adresën time, në banesë apo punë.  Që i bjen se janë shkel të drejtat e njeriut dhe procedurat ligjore nga gjykatat, kur e lidhim me momentin (e sotëm) i bjen se ka tendenca nga politika, ndaj atij fletarresti", kishte thënë Molliqaj për Nacionalen.

Ndërsa, Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka realizuar urdhër arrestin e lëshuar nga organet e drejtësisë. “Policia e Kosovës (PK), bazuar në urdhër arrestin e lëshuar nga organet e drejtësisë, sot në orët e pasdites në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, ka arrestuar personin D.M, i cili ishte në kërkim. Njësitet policore, po ashtu kanë arrestuar edhe tre persona (F.K, Z.H, G.K,) të cilët kanë penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, të cilët kanë tentuar t’u pamundësojnë zyrtarëve policorë zbatimin e urdhër arrestit. Të gjitha veprimet e zyrtarëve policorë janë realizuar konform autorizimeve ligjore, përderisa veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, është thënë në njoftimin e policisë.

Tjera nga autori:
1