<b></b> Mungesa e pajtueshmërisë për tatim, pamundëson zhvillimin e Kosovës

Mungesa e pajtueshmërisë për tatim, pamundëson zhvillimin e Kosovës

30.05.2022 15:00

Shkruan: GAZMEND DEMOLLI

Pritjet e mëdha ndaj Qeverisë së Kosovës janë të pamundshme të realizohen me këtë nivel të pajtueshmërisë ndaj tatimit, dhe rrezikojnë stagnimin ekonomik dhe shoqëror. Kjo vlen edhe për nivelin lokal, ku ambiciet e mëdha për transformim të infrastrukturës së qyteteve dhe fshatrave gjithandej vendit, do të hasin në realitetin e vrazhdë të një vendi ku ambiciet dhe kërkesat janë të mëdha, por pajtueshmëria që të kontribuohet më shumë përmes tatimit është në nivelin më të ulët të mundshëm.

Ne ndoshta edhe mund të ndërrojmë secilen qeveri çdo vit, mund të shajmë secilin ministër, mund të dëshprohemi derisa të harxhohen të gjithë. Mund të dërgojmë fotografi të kontejnerëve të stërmbushur çdo ditë të lume, fotografi të kolonave të trafikut, të bulevardeve të pakryera. Por nëse nuk kontribuojmë për shtetin, për të përbashkëtën, shumë pak të drejtë kemi të ankohemi.

Shtetet që tranzitojnë nga një sistem autoritar, në këtë rast komunist, ku nuk ka pasur pëlqyeshmëri, pajtueshmëri ndaj tatimit, por ku shteti, sistemi, ka marrë në burim gjithë pasurinë që e ka parë të nevojshme për mirëmbajtjen e sistemit; këto shtete pra, e kanë të pamundshme që të bindin opinionin shoqëror që, për të krijuar një sistem të mirëqenies sociale, duhet të kontribuojnë përmes tatimit. Shoqëria e dalë nga sistemet autoritare shumë më lehtë kalon në një sistem ultra-liberal, ku secili mban për vete pasuritë e fituara, dhe kundërshtojnë në çdo mënyrë tatimin, taksën që do të ndihmonte krijimin e një pasurie të përbashkët, që do të ishte një sistem i mirëfilltë i mirëqenies shoqërore.

Është iluzore të mendohet se shoqëria dhe shteti i mirëqenies do të zhvillohen vetëm me vullnetin e mirë të një Qeverie, vetëm me idetë transformuese të një Kryetari Komune, e në anën tjetër të vazhdohet me avazin e vjetër të ikjes nga tatimi, me vazhdimin e ekonomisë paralele joformale, me punëtorë të padeklaruar, me deklarim qarkullimi minimal, krejt fiktiv. Nga mbi 200 mijë biznese të regjistruara, vetëm rreth 35 mijë prej tyre janë të fiskalizuara. Qindra mijëra punëtorë janë të padeklaruar. Mund të thuhet me bindje të plotë se ikja nga tatimi në Kosovë shkakton një humbje prej rreth një miliard euro në vit.

Tatimi, taksa, nuk është vetëm dëshmi e pranisë së një shteti, por është edhe tregues i një sistemi shoqëror që lejon individin të ekzistojë. Në të vërtetë, taksa materializon ndarjen ndërmjet individit dhe shtetit. Ajo ekziston vetëm sepse sfera publike dhe private janë të ndara. Pa pranueshmëri të tatimit dhe taksës nuk ka pranueshmëri të shtetit. Nuk mund të thuhet se dikush e njeh shtetin e tij nëse nuk pranon të ndajë taksën e nevojshme që ai shtet të ekzistojë. Ekziston një alkimi, ku taksa është gurthemeli i saj, që lejon që individi të shndërrohet në shoqëri, njeriu në qytetar. Pa taksa nuk ka shtet, pa shtet nuk ka rregulla, dhe pa rregulla nuk ka shoqëri. Ose më mirë, është sundimi i më të fortëve, sundimi absolut i mashtruesve dhe dinakëve, organizimi mafioz i shoqërisë. Megjithatë, pa këtë pëlqim, pa këtë pajtueshmëri ndaj tatimit, shteti mbetet i brishtë, i papërshtatshëm për konkurrencën globale, i lidhur me kultin e liderëve, subjekt i krizës, revoltave, represioneve dhe revolucionit. Prezenca e evazionit fiskal për vite në Kosovë sigurisht që ka dëmtuar biznesin, por në radhë të parë ka dëmtuar buxhetin e shtetit dhe rrjedhimisht qytetarët dhe zhvillimin e vendit. Ikja nga tatimi, atyre bizneseve u jep mundësi që të ofrojnë produkte me çmime më të ulëta dhe kjo për një biznes formal është konkurrencë e padrejtë.

Shteti mund edhe të krijojë një sistem të sofistikuar të mbledhjes së taksave, një sistem të kontrollit të evazionit, inspektorate në të gjitha nivelet, për të marrë me zor atë që i takon ligjërisht, por kjo nënkupton se për të mbledhur pak më tepër taksa, duhet të shpenzohen shumë nga ato taksa. Pra, efiçienca e mbledhjes me zor të taksave është shumë e vogël sepse duhet investim i madh në resurse humane, teknologjike, infrastrukturore në mënyrë që t’arrihet një rezultat pak më i mirë, do të duhej që mbledhja e shtuar të jetë shumë e madhe në mënyrë që të mbulohen shpenzimet e shtuara për mbledhjen e tyre. Rreziku edhe më i madh vjen se kur shteti sofistikon kontrollin, mashtruesit sofistikojnë evazionin.

Është koha të bëhet një pajtim i madh i shoqërisë kosovare me tatimin, me kontributin shoqëror, social.

Duhet një konferencë e madhe gjithëpërfshirëse, gjithëkombëtare. Duhet të krijohet një iniciativë studentore dhe akademike, në modelin e Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve, i cili do të vizitonte çdo lokalitet, çdo fshat dhe qytet, çdo kompani të madhe, çdo gjimnaz, fakultet, ku do të shpjegonte rëndësinë e mbledhjes së taksave për zhvillimin social, për shoqërinë, për shtetin që e duam. Duhet të dalin në media të shpjegojnë, duhet t’i bindin të gjithë se dashuria ndaj atdheut është pranimi i kontributit të drejtë.

Ky Këshill duhet të shkojë edhe në secilën administratë, në secilen Ministri, në secilën Komunë, t’u tregojë se aq sa është e rëndësishme mbledhja e taksave, po aq i rëndësishëm është edhe kujdesi në shpenzimin e tyre. Është me rëndësi që të ndodhë ky pajtim i madh, duhet të ndodhë edhe një pajtim tjetër, ai i uljes së madhe të shpenzimeve të tepërta, një administratë më efektive. Duhet të ndikojë edhe në ndryshimin sistemit tatimor për ta bërë progresiv (sepse sot nuk është). Një sistem më i drejtë dhe solidar do të ndikojë në krijimin ee pajtueshmërisë.

Nëse nuk ndodh ky pajtim, kjo pëlqyeshmëri, atëherë zbritni pak kërkesat, pranoni se transformimet e nevojshme shoqërore, infrastrukturore, mirëqenia, nuk do të ndodhin në një periudhë afatshkurtër, por dikur vonë, shumë vonë për të gjithë ata që nuk janë të fortë, shumë vonë për ata që nuk janë të gjetshëm, që nuk janë dinakë. Vetëm të fortit do t’ia dalin.

Derisa një ditë të teprohet.

Tjera nga autori:
1