Armend Muja di shumëçka për djalin e tregtarit të naftës, përveç kë e kishte babë e që punonte në Kryeministri

Armend Muja di shumëçka për djalin e tregtarit të naftës, përveç kë e kishte babë e që punonte në Kryeministri

15.06.2022 14:45

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje [LVV], Armend Muja, ka komentuar raportimin e Nacionales ku shkruhej për lidhjet e naftëtarëve me Zyrën e Kryeministrit, pasi djali i kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve punon si këshilltar politik në këtë Zyrë.

Muja ka thënë se nuk ka pasur ide që Dillon Berjani djali i Fadil Berjanit punonte si këshilltar i Bislimit, megjithëse deputeti i Vetëvendosjes saktësisht është në dijeni se çfarë studimesh akademike ka përfunduar Berjani.

“Sa i përket Fadil Berjanit, unë kom pasë përshtypje që në fakt po avokon që të ulet akciza dhe TVSH-ja.” – tha fillimisht Muja në një debat televiziv në ATV.

Pikërisht një përshtypje të tillë e kishin pasur të gjithë duke qenë se Shoqata e Naftëtarëve të cilën Fadil Berjani e udhëheq kishte pasur polemika me Qeverinë.

Por, Fadil Berjani edhe në një prononcim për Nacionalen e ka mohuar se ka qenë ndonjëherë për ulje të akcizës, përkundër rritjes alarmante të çmimeve në vend.

“Sa i përket akcizës, unë si kryetar i shoqatës asnjëherë nuk kam kërkuar heqjen e saj, qysh prej se kanë qenë qeveri të ndryshme dhe tash që është Albin Kurti. Kjo Qeveri është duke u përballur një kohë të gjatë me rritje ekstreme të derivateve në berzë”, kishte thënë Fadil Berjani në një prononcim për Nacionalen, para se të merrej vesh se ku i punonte i biri, Dilloni.

Më pas, Armend Muja nisi të fliste precizisht për Dillonin – i cili, përveçse e ka babain kryetar të naftëtarëve, edhe punon në kompaninë Dilloni Benz – duke u shprehur mjaft çuditshëm.

“Në ndërkohë sa i përket Dillonit, nuk e pasna pasë si ide që është këshilltar mirëpo as nuk e kam pasur ide lidhjen e tij me zotin Berjani... mirëpo që mos të stigmatizohet Dilloni, [ai] është një djalë jashtëzakonisht i talentuar dhe sa unë kujtoj ka përfunduar doktoratën në Universitetin e Amsterdamit dhe është një nga djemtë më me perspektivë në Kosovë, pra vjen nga fusha e akademisë pra nuk e paskna ditë që shërben nuk ka ndonjë lidhje kur thuhet të gjendet edhe lidhja shkakore sepse ky në këtë rast Qeveria po avkon kundër ndërsa babi i tij do të interpretohej kushtimisht se po mbron interesat e naftëtarëve”, ka vazhduar Muja.

Në mënyrë që të mos e rilexoni deklaratën e mësipërme po e përmbledhim për ju: Muja e di saktë se çfarë diplome ka marrë Dillon Berjani, se në cilin universitet ka përfunduar studimet, i njeh edhe talentin, por në anën tjetër nuk e di se kë e ka baba dhe nuk e di se punon në Qeverinë për të cilën Muja avokon.

Ndërkohë anëtari i Shoqatës së Naftëtarëve, Zekim Istogu ka thënë se nuk është diskutuar në shoqatë lidhja e kryetarit, Fadil Berjani me Zyrën e Kryeministrit përmes djalit të tij.

Ai ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë fakt që mund të diskutojë për lidhjet e Qeverisë me kryetarin e Shoqatës, mirëpo, premtoi se kurdo që i ka, do të dalë publikisht për t’i shpalosur.

“Nëse ka ndonjë lidhje mes pushtetit dhe shoqatës me hulumtu edhe nëse ka naj ndikim atëherë me zbulu. Mundet me pasë ndikim, pa dashtë me mbrojtë atë, unë nuk e kom analizu këta dhe dërisa nuk kam ndonjë fakt, ndonjë dëshimi nuk më vjen mirë që është ajo e para e punës, mirëpo derisa unë nuk kam ndonjë fakt se ndikimi i tij është i reflektuar prej ndikimi të djalit atëherë nuk mundemi me u lëshu përderisa nuk e kam argumentin sepse nëse e kam unë dal hapur. Nuk e kemi analizu sepse 99 për qind merrimi me biznes dhe 1 për qind me punën që e bën Shoqata. Jo nuk e kam analizu.”, ka thënë Istogu.

Sipas vetë Shoqatës në fjalë në një letër drejtuar kryeministrit tregohej se si Qeveria e Kosovës për shkak të rritjes së çmimeve po i mblidhte nga 12 cent më shumë për çdo litër se sa që i mblidhte para krizës globale.

“Për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursa ndërkombëtare, sot Qeveria e Kosovës nga çdo litër naftë dhe benzin të shitur mbledh rreth 64 cent, apo 12 cent më shumë sesa para krizës globale për litër.”

Në anën tjetër, Hekuran Murati ka akuzuar LDK-në dhe partitë tjera opozitare se po duan t’i trashin fitimet e tregtarëve të naftës pas kërkesës për ulje të akcizës.

Për këtë lidhje të kryenaftëtarit me Zyrën e Kryeministri ka folur edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e cila ka denocuar mënyrën e qeverisjes së VV-së.

Tjera nga autori:
1