Prodhuesit e kriptovalutave u dëmtuan për 80 milionë euro kur Qeveria ndaloi ato

Prodhuesit e kriptovalutave u dëmtuan për 80 milionë euro kur Qeveria ndaloi ato

25.05.2022 20:15

R.S. (emër i njohur për redaksinë) ka treguar se ka humbur rreth 4 mijë euro çdo muaj në kohën kur vendi ynë i shpalli ‘luftë’ prodhimit të kriptovalutave. E dëmi në tërësi nga ndalimi i kësaj veprimtarie, po konsiderohet që është rreth 80 milionë euro.

R.S. nga komuna Gjilanit që merret me prodhimin e kriptovalutave, për Nacionale ka rrëfyer ndikimet negative që ka pasur nga vendimi i Qeverisë Kurti për ndalimin e prodhimit të monedhave virtuale. Deri më tani, ai i ka humbur rreth 4 mijë euro për çdo muaj.

Ndalimi i kriptovalutave ka ndikuar shumë nga ana financare, që ka qenë ndihmë shumë e madhe në familjen tonë. Gjatë muajve që ka qenë i ndaluar me ligj, unë kam pasur një humbje rreth 4,000€ çdo muaj dhe ishte e vështirë të mbuloja shpenzimet që kisha bërë më herët për blerjen e tyre”, ka rrëfyer ai për Nacionale.

Ndonëse, shteti e ndaloi veprimtarinë prodhuese të kriptovalutave, gjilanasi thotë se po e vazhdon një punë të tillë.

“Gjatë kohës që ishte e ndaluar nuk kam prodhuar, por kam fillu me mining të kryptovalutave”, thotë tutje ai.

Ndërkohë, humbjet që janë shkaktuar nga mosprodhimi i kriptovalutave, kanë arritur deri në 80 milionë.

Kështu të paktën ka supozuar kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.

Dëmet e këtyre pesë muajve, prej që është ndaluar aktiviteti, mund të kapin vlerën e rreth 80 milionëve. Në të gjitha shtetet e botës që ka pasur krizë energjetike, askund nuk është ndaluar, por janë tatimuar”, ka thënë ai për KTV.

Në anën tjetër, nga Administrata Tatimore e Kosovës [ATK] në një përgjigje për Nacionale, kanë thënë se nuk kanë të dhëna të sakta për shumën që është mbledhur nga tatimi i kriptovalutave.

Duke pas parasysh se ky aktivitet nuk ka një kod të veçantë per regjistrim dhe ne rrjedhimisht nuk mund të verifikojmë deklarimin që bëjnë personat që përfitojnë nga kriptovalutat, me keqardhje duhet t’ju konfirmojmë se aktualisht nuk kemi informata të sakta që mund të prodhojë databaza jonë. Një gjë të tillë ne mund ta bëjmë vetëm duke bërë verifikimin e të hyrave vetëm nga aktivitete tona në terren, e që kjo pjesë është jo e lehtë të bëhet”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ky institucion, më 3 dhjetor 2021 kishte bërë thirrje ndaj qytetarëve “që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor”.

Dogana e Kosovës konfiskon pajisje prej 153 mijë eurove

Dogana e Kosovës në një përgjigje për Nacionale, ka thënë se gjatë këtij viti kanë kryer 15 raste të konfiskimit të pajisjeve që mundësojnë prodhimin e kriptovalutave.

Sipas Doganës së Kosovës, vlera e totale e pajisjeve të konfiskuara është 153 mijë e 351 euro.

Gjatë këtij viti i kemi pasur 15 raste te konfiskimit të pajisjve për prodhim të krioptovalutave. Me këtë rast janë konfiskuar 287 ANTMINERA dhe 495 Kartela Grafike me vlerë totale prej 153,351.00 Euro. Nga këto raste kemi pasur një person te arrestuar i cili më vonë është liruar në procedurë të rregullt, por rasti vazhdon në procedure penale. Rastet e tjera janë trajtuar në procedurë kundërvajtësi dhe janë gjobitur me kundërvajtje”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Projektligji për rregullimin e kriptovalutave

Kuvendi i Kosovës ka formuar Grupin Punues për hartimin e Projektligjit për kriptovaluta.

Ky Projektligj do të përcaktojë rregullat e përdorimit të kriptovalutave, apo parave digjitale, brenda territorit të vendit.

Në një bisedë për Nacionale, kryetarja e këtij grupit dhe deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se projektligji është në proces të përgatitjes së draftit final.

Ajo ka treguar se me anë të këtij Projektligji do të definohet prodhimi dhe tregtimi i kriptomonedhave.

Jemi në proces të draftimit. Grupi punues është duke punuar, kemi angazhuar një ekspert që po ndihmon në draft-Projektligjin, jemi duke i përcaktuar objektivat të cilat kanë të bëjnë me definimin e prodhimit dhe tregtimit të kriptovalutave, do të thotë, a do të shkojnë me një ligj apo me dy ligje të ndara, njëri i cili rregullon prodhimin, pra të lejohen apo ndalohen dhe tjetri i cili definon tregtimin e kriptovalutave”, ka thënë ajo.

Më tej, ajo është shprehur optimiste se ky Projektligj do të përfundojë para se të Kuvendi të shkojë në pushim

Unë besoj që drafti i parë duhet me shku para se me përfundu ky sesion pranveror. Varet edhe sa merr qeveria kohë, por nuk ma merr mendja që do të vonohet shumë për shkak se kjo është punë e Kuvendit që i shkon Qeverisë e të cilët brenda afatit 30-ditor duhet të kthejnë përgjigje”, ka nënvizuar Kusari-Lila.

Kujtojmë se ndalimi i prodhimit të kriptovalutave ishte bërë pas vendosjes së masë së emergjencës me energji elektrike të vendosur nga Qeveria e Kosovës për shkak të krizës energjetike.

"Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës", kishtë thënë më 4 janar 2022 ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Çka janë kriptovalutat?

Kriptovaluta është para digjitale që bazohet në teknologjinë “blockchain”. Ndryshe nga euro apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute.

Bitcoin ishte kriptovaluta e parë dhe më e shtrenjta deri më tani. Ky coin ishte propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.

Përveç Bitcoin, ekzistojnë mbi 5 mijë kriptovaluta të ndryshme në qarkullim.

Aktualisht në Kosovë supozohet të janë rreth 10 mijë persona që posedojnë kriptomonedha.

Tjera nga autori:
1