<b></b>LDK-ja preferon Procesin e Berlinit, para Ballkanit të Hapur

LDK-ja preferon Procesin e Berlinit, para Ballkanit të Hapur

09.06.2022 16:34

LDK-ja preferon Procesin e Berlinit para Ballkanit të Hapur, për shkak se konsideron që Kosova nuk trajtohet barabarësisht me shtetet e tjera.

LDK-ja edhe më parë ka bërë me dije se qëndron skeptike ndaj projektit Ballkani i Hapur. E sipas zëdhënëses së LDK-së, Sibel Halimit, nisma të tilla kanë kuptim vetëm kur të gjitha palët trajtohen barabarësisht.

“Qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës rreth integrimeve rajonale është tashmë i qartë dhe i pandryshueshëm. Si LDK mbështesim bashkëpunimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor brenda Procesit të Berlinit, ku Kosova ka dhënë dhe zotimet ndërkombëtare”, ka thënë Halimi për Nacionale.

“Çdo vetiniciativë tjetër rajonale, si proces ndihmues apo paralel, ka kuptim vetëm atëherë kur palët trajtohen barabartë. Kjo barazi trajtuese sigurohet kur shtetet pjesëmarrëse njohin njëra-tjetrën në kufijtë ekzistues dhe në sovranitetet e tyre kushtetuese - si dhe ndërtojnë mekanizma institucionalë që sigurojnë qartë funksionimin e nismave në mënyrë të barabartë ndaj shteteve anëtare. Procesi i Berlinit garanton dhe barazinë dhe mekanizmat mbikëqyrës - dhe mbi të gjitha, garanton avancimin e rajonit në familjen evropiane”, tha Halimi.

Lidhur me këtë çështje është deklaruar sot edhe Avdullah Hoti i LDK-së – i cili sa ishte kryeministër ishte zotuar se do ta fusë Kosovën në Ballkan të Hapur.

“Këto dy parime, si dhe fakti se kjo nismë është vetëm për bashkëpunim ekonomik, u theksuan dje në Ohër shumë qartë nga zyrtarët amerikanë. Në terma praktikë, parimi i parë nënkupton se Serbia detyrohet ta njohë subjektivitetin shtetëror të Kosovës në marrëdhëniet rajonale në çdo aspekt sikurse të çdo vendi tjetër, pasi pjesëmarrja e palëve është në baza plotësisht të barabarta. Ndërkaq, parimi i dytë nënkupton se Serbia nuk mund të dominojë tregun rajonal kur të gjitha vendet e rajonit marrin pjesë në këtë nismë”, ka shkruar Hoti.

“Sidoqoftë, çdo nismë rajonale është e përkohshme, pasi orientimi ynë është integrimi në BE. Kosova duhet të bashkërendojë politikën e saj të jashtme me partnerin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me Bashkimin Evropian”, ka shkruar ai.

Marrëveshja e Uashingtonit e obligon Kosovën t’i bashkohet “mini-shengenit”

Kryeministri kosovar, Avdullah Hoti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, u ulën anash Trumpit, sikur mësuesi kur do t’i pajtojë dy nxënës që ishin kacafytur mes vete.

Të dy nënshkruan një marrëveshje zotuese, ku një ndër zotimet e Kosovës ishte se do t’i bashkohet “mini-shengenit” ballkanik – i cili më pas u pagëzua Ballkan i Hapur.

Sipas Marrëveshjes së Uashingtonit, mundësohet mes tjerash edhe zbatimi i lirisë së ofrimit të shërbimeve duke garantuar lëvizshmërinë e bizneseve dhe profesionistëve brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Mini-Schengeni po ashtu kërkon eliminimin e barrierave tregtare mes shteteve që kanë ndodhur përgjatë viteve.

Edhe pse Kosova u zotua se do t’i bashkohej kësaj nisme, asnjëherë nuk mori pjesë në samite të organizuara nga shtetet anëtare.

Kjo sepse nuk vonoi gjatë dhe Hoti u rrëzua nga pushteti përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e në anën tjetër kryeministri i ri, Albin Kurti, mbeti kundërshtari më i madh i kësaj ideje.

Ballkani i Hapur – Projekt “amerikano-rus”

Marrëveshja e Uashingtonit e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë i tregoi Kosovës se aleati më i madhi i saj, SHBA-ja, e përkrah këtë nismë. Por, përveç saj, edhe Gabriel Escobar publikisht është deklaruar pro kësaj nisme.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha publikisht se SHBA-ja mbështet të gjitha iniciativat që bëjnë bashkë shtetet në aspektin ekonomik.

“Ne mendojmë se bashkëpunimi më i afërt ekonomik, jo vetëm se ka nisur të ndodhë, por edhe do të ndodhë. Liderët e tri shteteve që kanë krijuar iniciativën Ballkani i Hapur, na kanë siguruar se ajo është e hapur për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.”

Në anën tjetër, edhe Rusia e ndan të njëjtin qëndrim lidhur me këtë çështje, ama idenë e Ballkanit të Hapur, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ia atribuoi Serbisë.

“Shihet qartë se zyrtarët e Brukselit nuk kanë dashur që ne të konfirmojmë pozicionin tonë për Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, dhe të shprehim përkrahjen për iniciativën e Beogradit ‘Ballkani i Hapur’”, ka thënë Lavrov.

Tjera nga autori:
1