<b>Në opozitë s’u besonte,</b>  tash Kurti citon statistikat për rritje ekonomike e punësim

Në opozitë s’u besonte, tash Kurti citon statistikat për rritje ekonomike e punësim

27.04.2022 20:04

Një diskutim për ekonominë në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018, do t’i përplaste ish-kreun opozitar Albin Kurti dhe ish-ministrin e Financave, Bedri Hamza. Kryeministri i tanishëm, atëbotë besonte se qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, të cilës i referohej si Qeveria e PAN-it,  nuk e ka prioritet punësimin, por vetëm ruajtjen formale të një stabiliteti financiar.

Unë e kuptoj qasjen tuaj; stabilitet makrofinanciar, makorifiskal, borxh i ulët publik dhe deficit buxhetor të ulët’’, thoshte Kurti për qeverinë Haradinaj.

Madje, për Kurtin, Hamza ngjasonte në pikpamje me një nënpunës të Fondin Monetar Tregëtar.

Ju i shikoni rreshtat edhe kolonat e fundit në Excel Sheet në mënyrë që me dalë ato në rregull, unë i përkas një orientim tjetër, socialdemokrat”, thoshte Kurti, duke aluduar se statistikat dhe realiteti i ekonomisë në teren nuk janë e njejta gjë.

“Shikojeni punësimin, buxheti e shikon vetën”, citonte Kurti ekonomistin Jhon Maynard Keynes, një anglez i cili me idetë e tij kishte ndryshuar rrënjësisht praktikën e makroekonomisë dhe politikat ekonomike të qeverive në shekullin e njëzetë.

Por, tashmë Kurti si kryeministër me shumë qejf i citon statistikat, të cilat e përforcojnë argumentin e shefit të ekzekutivit se Kosova nën qeverisjen e tij po shënon rritje ekonomike.

Por a janë vetëm statistika dhe shpërputhje me realitetin edhe shifrat që Kurti përmend për rritje ekonomike e punësim nën qeverisjen e tij?

“Punësim dhe Drejtësi” ishte sllogani kyq i fushatës elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje që i parapriu një fitore të paparë në Kosovën e pasluftës. Pra, fillimisht theksi vuhej tek “punësimi”, për të cilin Kurti garantonte përpjekje maksimale në këtë, në mënyrë që ta ndërron realitetin socio-ekonomik në Kosvovë.

Pothuajse sa herë që ka pak hapësirë, Kryeministri Kurti krenarisht tregon se si Kosova nën qeverisjen e tij ka shënuar ngritje prej 10.35 për qind.

Madje, në një Forum Ekonimik Kosovë – Austri, i mbajtur para disa ditëve, duke folur për rëndësinë e relacioneve ekonomike me dy vendeve, Kurti tha që qeveria e tij ka arritur t’i krijoj 25 mijë vende të reja të punës. Krahas punësimit, ai përmendi se në vitin e parë të qeverisjes së tij Koosva ka pasur 10.35 për qind rritje ekonomike.

Mirëpo, statistikat e Fondin Monetar Ndërkombëtar, që Kurti i thoshte Hamzës që ngjason në një nëpunës të saj, e thonë të kundërtën.

Sipas raportit të këtij Fondi, të publikuar me 20 prill, rritja ekonomike e Kosovës pritet të arrijë në 3.9 për qind vitin e ardhshëm dhe në 3.5 përqind më 2027.

Vitin e kaluar, sipas këtij raporti, prodhimi ekonomik i Kosovës është rritur për 9.5 për qind. Por inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit në Kosovë pritet të shkojë në 9.5 për qind më 2022 nga 3.3 për qind, sa ishte vitin e kaluar, para se të bjerë në 3.3 për qind më 2023.

Ndërkohë, për herë të fundit që FMN-ja kishte vlerësuar se Kosova kishte rritje më të vogël ekonomike ishte para dhjetë viteve, më 2012 – 1.7 për qind.

Punësimi

Pasojat e pandemisë COVID-19 kanë ndikuar tutje në gjendjen ekonomike në Kosovë. Gjatë kësaj kohe, shumë biznese kanë pushuar së ekzistuar, ndërsa shteti ka tentuar t’u dalë në ndihmë me anë të pakove të rimëkëmbjes ekonomike.

Në një hulumtim të Shoqatave Ekonomike në Kosovë, u kuptua se 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara në Kosovë kanë deklaruar se e kanë ulur numrin e të punësuarve. Ndërsa referuar anketimit të këtij hulumtimi, rezulton se 39 për qind e ndërmarrjeve të intervistuara për këtë studim janë mbyllur tërësisht, 54.4 për qind ndërmarrje të vogla.

Zëvendës kryeministri Besnik Bislimi, gjatë kohës së pandemisë kur ushtronte funksionin e ministrit të Financave në Qeverinë Kurti I, deklaronte se e kishte rritur numrin e të punësuarve. E si argument, ai citonte formalizimin e punësimti që kishte ngjarë si pasojë e aplikimit në pakot ndihmëse për qytetarët të ofruara nga Qeveria Kurti I.

Së fundmi, Agjencia e Statistikave në një publikim saj, ka theksuar se inflacioni në Kosovë ka një rritje prej 7.5 për qind. Kurse rritja e çmimeve të shportës familjare ka shënuar rritje enorme, ndonëse jo domosdoshmërish për fajin e Qeverisë.

Statistikat e ASK-së nuk tregojnë që ka pasur rritje të theksueshme të punësimit në Kosovë përkundër që kështu mendon Qeveria Kurti.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore për vitin 2021 është 39.5 për qind, kurse për vitin 2019, që nuk ishte vit pandemik, pjesëmarrja në fuqinë punëtore ishte për një për qind më e madhe, prej 40.5 për qind - 0.5 për qind më e vogël se vitit 2018.

Për Kurtin si opozitar, nuk ishte e rastësishme që në Qeveritë e kaluar Ministria e Financave ishte shumëfish më e rëndësishme se sa ajo e Zhvillimit Ekonomik. Sipas Kurtit, Qeveria atëbotë ishte e interesuar për stabilitet e jo për zhvillim.

Ne kemi nevojë për një Qeveri tjetër, ku ministri i Zhvillimit Ekonomik është ministri më i mirë, e masnej vjen ai i Financave. Punësimi në epiqendër, jo stabiliteti makrofinanciar’’, replikonte Kurti me ish-ministrin Hamza.

Por, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk është se dallohet për ndonjë performancë të mirë e posaçërisht në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike, me të cilën u përball Kosova në muajt e fundit.  

Madje, për këtë çështje, opozita tanimë është bërë bashkë duke kërkuar që të themelohet një Komision Hetimor Parlamentar me qëllim që të hetohen masat e marra gjatë periudhës së shpalljes së gjendjes emergjente për energjinë.

Por, fillimisht VV si partia në pozitë e kundërshtoi këtë nismë. E krejt sot, ajo doli me një kundërpropozim, duke thënë që komisioni hetimor duhet të hetojë çështjen me energjinë nga viti 2006.

 

Tjera nga autori:
1