<b></b> Në shkrimet e Donika Gërvallës nuk zë vend UÇK-ja

Në shkrimet e Donika Gërvallës nuk zë vend UÇK-ja

12.06.2022 21:17

Shefja e diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla, nuk njihet vetëm për huqjet e saj në Twitter, e cila jo rrallë herë ngatërron emra shtetesh e personalitetesh. Mbase, huqjet e saj në rrjete sociale mund të jenë lëshime të paqëllimshme, mirëpo të paqëllimshme nuk duken hezitimet e saj për ta përmendur e njohur kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Në çdo përvjetor e datë jubilare që ndërlidhet me rezistencën e fundit të Kosovës, siç ishte lufta e UÇK-së, Gërvalla ka një rezervë të pashpjegueshme për të njohur, përmendur e shkruar akronimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një rast i tillë ishte edhe sot, me datë 12 qershor, datë kjo që Kosova shënon Ditën e Çlirimit të saj.

Përmes një statusi në Facebook, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka uruar këtë ditë, mirëpo në shkrimin e saj, as kësaj radhe nuk zë vend UÇK-ja.

“Mrekullia e para 23 vjetëve nuk mund të arrihej pa një sakrificë të jashtëzakonshme të vet Kosovës, pa mbështetjen e të gjithë shqiptarëve anembanë botës dhe pa ndihmën e pazëvendësueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Gërvalla.

Në këtë status relativisht të gjatë, ajo që vuhet re, është se Gërvalla përmend rolin e NATO-s dhe KFOR-it për çlirimin e Kosovës, mirëpo nuk e përmend fare kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kontribut ky që shoqëria kosovare e konsideron kyç për lirinë e Kosovës, por jo edhe ministrja Gërvalla.

“Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jetë i përjetshëm, ka shkruar ajo”, pa shprehur nderime edhe për ushtarët e UÇK-së.

Madje, Gërvalla heziton ta përmend UÇK-në edhe në rastet kur kujton luftëtarët e kësaj ushtrie.

Në një status të 19 prillit, Gërvalla kujtonte datën e rëniës së heroit Sali Çekaj – I njohur si komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili ra dëshmor më 19 prill 1999 në betejën e Kosharës.

Në këtë postim, që Gërvalla e titullonte “Heroi im i Pavarësisë” Sali Çekaj”, Gërvalla heziton ta përmend faktin që Çekaj ishte ushtarë i UÇK-së. Gërvalla kishte shkruar vetëm se Çekaj ishte “luftëtar i paepur”, por jo edhe faktin se ky luftëtar ishte nën uniformën e UÇK-së.

“Sali Çekaj rrezatonte trimëri, vendosmëri, dinjitet dhe thjeshtësi. Me jetën e tij ai na tregoi të gjithëve se si mund të jetë Kosova. Sali Çekaj ishte një strateg i rrallë politik, njeri i lirisë dhe drejtësisë. Nuk u ndal asnjë herë së luftuari për lirinë e Kosovës. Fillimisht luftoi me mjete politike nga Deçani dhe më pas nga Mërgata dhe në fund edhe me pushkë në krah”, kishte shkruar ndër tjerash Gërvalla.

Biografia problematike e Gërvallës

Muaj më parë, ishte raportuar se një “CV” e ministres Gërvalla ishte shpërndarë  zyrtarisht nëpër shtete e delegacione të ndryshme të botës.

Në këtë biografi në gjuhën angleze e titulluar “Biografi e shkurtër e Donika Gërvalla Schwarz” ndodhen pretendime ku tërthorazi, grupi politik i dalë nga UÇK-ja quhen “ekstremistët e kohës së luftës pas vitit 1999”.

Në njërin paragraf të biografisë ku flet për janarin e vitit 2002 kur solli në atdhe eshtrat e atdhetarëve të njohur, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, ajo shkruan se kishin marrë pjesë në varrim mbi 150 mijë njerëz dhe i cili ishte eventi i parë i madh “që nuk ishte kontrolluar nga ekstremistët e kohës së luftës pas vitit 1999” ku aludimi duket i qartë se bëhet fjalë për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kujtojmë që, ministrja e Jashtme e Kosovës, kishte thënë që ka bashkëpunuar me Gjykatën Speciale për të kontribuuar me prova, nuk i ka reaguar gazetarit zviceran e as tekstit të gazetës.

Ajo në vitin 2016, në InfoBox të RTV Dukagjinit kishte thënë se posedon fakte të shkruara të cilat tash sipas saj i ka deponuar në disa Gjykata, ndërsa të njëjtat thotë se do t’i bëjë edhe kur të nis së funksionuari edhe Gjykata Speciale.

Për gjitha këto vrasje, Gërvalla akuzonte ish kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Rreth kësaj qasje ndaj UÇK-së, opozita në Kosovë shpesh i ka kërkuar kryeministrit Kurti që ta shkarkoj shefen e diplomacisë kosovare.

Mirëpo, sipas Kurtit, Gërvalla “është një politikane patriote dhe e pakorruptueshme”

“As nuk e kam kërkuar lirimin nga detyra, e as nuk më shkon mendja ta kërkojë”, deklaronte Kurti me bindje të hekurt ndaj kredibilitetit të Donika Gërvallës në rolin e ministres së Punëve të Jashtme.

 

Tjera nga autori:
1