<b></b> Nëna e Haki Abazit dhe Këshilli i Evropës

Nëna e Haki Abazit dhe Këshilli i Evropës

13.05.2022 20:49

Shkruan: Afrim Haliti

Janë tri sporte ku kosovarët shkëlqejnë: xhudo, Counter Strike dhe fryrja e pushtetarëve për punë të vogla e të parëndësishme. Meqë kemi hyrë në vitin e 15 të shtetësisë, mos duhet të fillojmë e të merremi me sporte pak më të rënda?

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE). Kosova aplikoi për anëtarësim në një organizatë. Kosova aplikoi diku. Urra! Hajt, të merremi pak me këtë “urra”-në e pushtetarët e rinj sepse mund të na mësojë shumë për punën... apo edhe mospunën e tyre!

T’i themi fillimisht ato që dihen prej atyre që marrin vesh ose që duan të marrin vesh. Këshilli i Evropës nuk ka kurrfarë rëndësie. Shumë prej punëve me të cilat merrej dikur tashmë adresohen tjetërkund, e prej tjetërkujt. Është fjala për një bllok të madh të quajtur Bashkim Evropian (BE). Keni dëgjuar shpesh akronimin BE dhe asnjëherë akronimin KE sepse kjo e fundit nuk ka ndonjë relevancë.

Kosovës mund t’i marrë deri në tri vjet kohë procesi i anëtarësimit, por edhe pas anëtarësimit asgjë nuk do të ndryshojë në procesin shtetndërtues, mirëqenien e qytetarëve, afrimin drejt BE-së apo në diçka tjetër.

Kur e dorëzoi aplikimin e saj në Strasburg, Donika Gërvalla mes argumentesh – më duket të tretin – e përmendi edhe optimizmin karakterizues për shoqërinë kosovare. KE-ja mund ta rris optimizmin e pakësuar për anëtarësim në BE, por s’pritet të ketë ndikim tjetër. E megjithatë, ka një turr histerik të pushtetarëve për t’u gëzuar.

Së pari, kishim një takim nga zëvendës-kryeministri Besnik Bislimi me zëvendës-sekretarin e Këshillit të Evropës, Bjorn Berge. Prej ngutisë për të dhënë një lajm të mirë, Bislimi si një analfabet funksional kishte keqkuptuar atë që ishte thënë brenda takimit. Sipas Bislimit, ishte mirëpritur iniciativa për aplikim në KE nga Berge. Sipas Berges, ai nuk kishte thënë ashtu.

Por, a ka rëndësi e gjithë kjo? Një pushtetar i Kosovës u përgënjeshtrua publikisht, dhe kjo i jep një farë rëndësie sa i përket kuptimeve që ndërtojmë brenda vendit. Pra, pushtetarët gënjejnë ose në rastin më të mirë s’i marrin vesh ato që iu thuhen. Por, Besnik Bislimi postimin e tij gënjyes/keqkuptues e kishte bërë goxha kohë para se t’i reagonte Berge, para se të shkruanin mediet – gjë që na tregon gjithë banalitetin e kësaj rrethane. Në fakt, s’kishte rëndësi a mirëpritej apo s’mirëpritej iniciativa për aplikim e Kosovës. S’kishte rëndësi aplikimi. Që ta themi troç, s’ka pikë rëndësie as vetë pranimi. Postimi i Bislimit u pa nga pak vetë, u pëlqye nga edhe më pak vetë. E kështu me radhë.

Një gëzim i dytë ndodhi dje pas aplikimit. U gëzua nëna e Haki Abazit. Ne as që do ta dinim se ajo ishte gëzuar po të mos na tregonte vet Hakiu, pra udhëheqësi i komisionit për Politikë të Jashtme. Nëna po i gëzohej ‘suksesit’ të djalit të saj, meqë politika e jashtme është vendi ku e ka vënë Kurti. Na vjen keq, por duhet ta dëshpërojmë paksa. Djali i saj nuk ka kurrfarë merite në aplikim. Madje edhe sipas fjalëve të Glauk Konjufcës, merita iu takon të gjitha partive. Por, s’ka meritë, sepse aplikimi duhej të mos përbënte as lajm. Jemi në vitin 2022, një vit e kusur pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit – për herë të dytë – dhe Kosova do të duhej të merrej me punë më të mëdha, shumë më të mëdha.

Unë e kam edhe një lajm për nënën e Haki Abazit sa i përket aplikimeve. Edhe pse djali yt erdhi në pushtet, 200 mijë kosovarë aplikuan për viza pune në Gjermani. Pra, duan që të ikin nga djali yt, Kosova e nga të gjithë ne.

Natyrisht, nëna e Haki Abazit nuk ka asnjë faj për punën e mospunën e të birit. Gëzimi i familjarëve të pushtetarëve ishte edhe më herët sport me rëndësi në Kosovë. Bile, ishin pushtetarët e kaluar ata që e nisën të parin sportin e gëzimit për suksese të tilla minore. Mirëpo, në këtë rast kemi një problem shumë të madh meqë premtimet e këtij pushteti ishin të mëdha: nuk ka asnjë njohje të re, nuk ka asnjë pranim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, nuk ka liberalizim vizash, nuk ka kurrfarë strategjie të shpalosur për rritjen e subjektivitetin ndërkombëtar të vendit, nuk ka rritje të partneritetit me shtetet partnere të Kosovës dhe më e rëndësishmja nuk ka kurrfarë përparimi.

Gëzimi i një nëne për diçka kaq të vogël e të parëndësishme është ekspozim i një mungese dërmuese suksesesh të çfarëdo lloji.

Tjera nga autori:
1