<b>“Një lloj martese që s’është bash martesë” </b> - Plani B i Qeverisë për Projekt-kodin Civil

“Një lloj martese që s’është bash martesë” - Plani B i Qeverisë për Projekt-kodin Civil

31.05.2022 23:22

Projekt-kodi Civil, më saktësisht pjesa ku flitej për bashkësinë civile të seksit të njëjtë, kishte ngjallur shumë reagime e debat në shoqëri. Përplasjet rreth kësaj teme, u vërejtën edhe në Kuvendin e Kosovës, që u karakterizua me diskutime të ashpra mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Për të gjithë këtë “hallakamë”, ka folur sonte edhe një herë zëvendës ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, dikasteri i të cilit ishte iniciues i projekt-kodit civil.

Sallahu ka ekspozuar në mënyrë të thuktë, kaosin në të cilin gjendet Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës rreth projekt-kodit civil, që u refuzua nga deputetët e Kuvendit muaj më parë.

Derisa kryeministri Kurti ishte në SHBA, në zyrën e tij për tre javë ka qëndruar projekt-kodi, që flet për mundësinë e lejimit të martesave mes seksit të njëjtë.

Një natë para se komuniteti LGBTIQ+ në Kosovë të nisë Javën e Krenarisë, që mbahet mes çdo fillim qershori, zëvendësministri Sallahu ka shpërfaqur ‘paradën kaotike’ që partia në pushtet po planifikon ta krijojë me qëllim që të kalojë nismën e Ministrisë së Drejtësisë.

Madje dyshi i kësaj ministrie ka treguar se ata kanë hartuar një Plan B për martesat mes seksit të njëjtë.

Në emisionin Context të ATV-së, Sallahu fillimisht u shpreh optimist se në votimin e dytë, deputetët e VV-së do ta votojnë Kodin Civil. Por, ai u fut në siklet të madh kur u pyet nga analistët për të sqaruar se çfarë ka ndodhur që shumica e deputetëve të partisë në pushtet, të ndryshojnë mendjen.

“Neni i riformuluar nga ju, nga ne, më fal, nuk ka shumë dallim nga neni, drafti paraprak..”, nisë të flasë Sallahu, teksa në studio insistohet që të dihet nëse i kanë votat për këtë nismë legjislative.

“Jo, nuk votojnë kundër, sepse kemi punu edhe me deputetë, edhe besoj që do ta votojnë”, theksoi Sallahu.

“Çka se kanë kuptu atëherë që pe kuptojnë tash?”, pyetet sërish Sallahu, i cili fillon të zbulojë Planin B të Qeverisë për rregullimin ligjor të martesave mes sekseve të njëjta.

Por, fillimisht ai i kthehet dështimit për t’u aprovuar herën e parë ky kod, të cilin votim ai tenton ta arsyetojë.

“Tash, po e kuptojnë sepse tash do të shkojmë të flasim krejt si ministri e drejtësisë sepse kemi pasur, për shkak të agjendës sonë të ngjeshur nuk kemi mujt me shpjegu sa duhet”, arsyetohet Sallahu,

Ai zbulon planin e Qeverisë që të sigurojë votat e deputetëve që janë kundër, duke ua shpjeguar se Kodi Civil nuk do të lejojë martesat e sekseve të njëjta.

Sipas Sallahut, kjo nismë, por vetëm do t’i hapë rrugë miratimit të një ligji tjetër që do të rregullonte ligjërisht statusin e bashkëjetesës mes tyre.

“Martesat nuk lejohen, e nuk lejohen as me draft të ri, por rregullohen me ligj të njëjtë”, thotë Sallahu, teksa prezantuesi e pyet nëse martesa do të lejohet me ligjin e veçantë.

“Jo martesa jo, martesa as me ligj të veçantë jo, aty do të diskutohet, fillimisht bëhet koncept dokumenti. është e sigurt që bashkësitë civile të sekseve të njëjta do të rregullohen. Pra bashkëjetesa mes gjinive të njëjta do të rregullohet me ligj të veçantë. Tani do të bëjmë një koncept dokument që analizon pak traditën, kulturën, liritë e njëriut, vendimet e gjykatës së Strasrburgut që me ardh deri te një rregullim i veçanta të lejimit të martesave të veçanta”, thotë Sallahu.

Në këtë krejt paragraf, Sallahu qet në pah sesi plani i B i Qeverisë është në fakt një zgjatje ose blerje kohe deri tek vendimi për lejimin apo jo të martesave mes sekseve të njëjta.

Kujtojmë që kryeministri Albin Kurti u kishte bërë thirrje deputetëve të Kuvendit për të votuar në favor të projek-kodit civil.

E debati në “shtëpinë e popullit”, ishte përcjellë me tone homofobe. Shumë deputetë të pushtetit dolën kundër nismës së Ministrisë së Drejtësisë, duke gjetur përkrahje edhe në mesin e deputetëve të opozitës.

Madje terme të papërshtatshme karshi komunitetit LGBTQ+ përdori edhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Duda Balje.

 

 

 

 

 

 

Tjera nga autori:
1