Kurti i fton veteranët për takim të premten në mëngjes, Klinaku kërkon sot - NACIONALE

Kurti i fton veteranët për takim të premten në mëngjes, Klinaku kërkon sot

1 vit më parë

nga NACIONALE

E PËRDITËSUAR - (15:35)

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinaku, ka thënë ftesën nga kryeministri Albin Kurti, e kanë marrë për të premten nga ora 9.

Ai ka thënë se kërkesa e tyre që nga mëngjesi është që të mos mbahet seanca.

Protestuesit kanë bërë thirrje që takimi të mbahet sot.

Klinaku ka thënë se në oborrin e Kuvendit do të qëndrojnë derisa të ndërpritet seanca

Klinaku: Po presim ftesë zyrtare nga Kurti për takim

Veteranët e UÇK-së që po protestojnë para Kuvendit, po e presin ftesën për takim nga kryeministri Albin Kurti.

Kështu ka thënë Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku.

“Ne jemi duke i përcjellur zhvillimet e Kuvendit. Kurti tha do ta anulojë vizitën e nesërme. Presim ftesë zyetare sepse nuk është ftesë prej foltores. Po presim”, ka deklaruar Klinaku.

“Konjufca po mendon që po na lodhë duke bërë pauzë, por ne do të vazhdojmë të qëndrojmë”, është shprehur ai.

Protesta e veteranëve po vazhdon në oborrin e Kuvendit, dhe aktualisht situata është e qetë.

Një shpërthim, pak shtyrje e paralajmërim për vendosjen e tendave – vazhdon protesta e veteranëve

Nga të gjitha komunat e Kosovës, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qysh nga mëngjesi morën rrugë drejt Kuvendit të Kosovës. Edhe këtë herë, arsyeja ishte për të kundërshtuar përjashtimin e tyre nga rritja e pagës minimale.

Kuvendi i Kosovës me 68 vota për, e miratoi ndryshimin e Ligjit për Pagën Minimale, por duke përjashtuar veteranët.

Protesta e cila nisi e qetë, eskaloi për pak çaste kur veteranët u përplasën me kordonin e parë të Policisë së Kosovës, duke arritur të hyjnë në oborrin e Kuvendit të Kosovës. Në ato momente, ishte dëgjuar edhe një shpërthim.

U.D kryetari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka kërkuar që veteranët të përmbahen, pavarësisht se sipas tij, kanë pasur provokime nga dritaret e Kuvendit.

Klinaku ka thënë se do të vendosin edhe tenda për të protestuar, nëse është e nevojshme, raporton gazeta Nacionale.

“Nëse kryeministri s’merrr vesh dhe ligji e merr fuqinë e plotë ne e dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Atje do të konstatohet se këta e kanë shkelur kushtetutën”, shtoi ai, por derisa të ndodhë kjo “do të dalim edhe me tenda dhe deri sa të merr vesh neve na ka në rrugë”, ka thënë Klinaku.

“Nga dritaret e Kuvendit që po i hapin po provokojnë me gishta. Në bazë të informacioneve, pushteti dëshiron të provokojë situatën. Iu lus të gjithëve, ne me Policinë nuk kemi punë, ata janë shokët tanë për ta ruajtur rendin dhe qetësinë. Pushteti t’i ndalojë provokimet dhe ta ndryshojë ligjin që shkelë Kushtetutën për veteranët”, ka thënë Klinaku.

Për protestën e veteranëve, ka reaguar edhe zyra e BE-së në Kosovë.

“E drejta për tubim paqësor garantohet me ligjin ndërkombëtar dhe të Kosovës. Duke njohur të drejtën për të protestuar, u bëjmë thirrje të gjithë protestuesve në Kosovë sot që të përmbahen nga çdo formë dhune dhe të bashkëpunojnë me Policinë për ruajtjen e rendit publik, dërisa dëgjohet zëri i tyre”, thuhet në reagim.

Në anën tjetër, pas ndërprerjes së seancës në Parlament, deputetët e opozitës kanë dalur para protestuesve.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë që të ulet e diskutojë me veteranët bashkë me Komisionin për Financa. Ne nuk do të lejojmë asnjë seancë derisa ky vendim të rishqyrtohet”, ka thënë Abelard Tahiri nga PDK-ja.

“Unë po ndihem tepër keq, gati kam qajtë në fjalimin tim në Kuvend. Invalidët dhe veteranët pas 23 vjetësh po detyrohen që të dalin të protestojnë, po më vjen me qajtë nuk po ndihem mirë. Nuk mundet të ketë normalitet kur ti e diskriminon një kategori të vlefshme”, ka thënë Time Kadrijaj nga AAK-ja.

Që nga orët e para të mëngjesit, njësitet speciale të Policisë janë pozicionuar në afërsi të institucioneve, për të siguruar qetësi. Kjo pasi edhe protesta e kaluar kishte eskaluar.

Më poshtë disa fotografi të shkrepura nga fotoreporteri i Nacionales, Valdrin Xhemaj.

Lajme të ngjashme