<b></b> Nuk kalon tërheqja e Trustit, Vetëvendosje voton kundër

Nuk kalon tërheqja e Trustit, Vetëvendosje voton kundër

23.06.2022 16:44

Me 44 vota për, 57 kundër dhe vetëm 1 abstenim, nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës tërheqja e 30% të Trustit në Kuvendin e Kosovës.

“Konstatoj se Ligji nuk ka kaluar”, ka thënë Konjufca, raporton gazeta Nacionale.

Për kanë votuar të gjitha partitë opozitare, minoritetet përfshirë edhe Listën Serbe. Kurse kundër, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje përveç Fatmir Humollit i cili ka abstenuar.

Kërkesën për tërheqjen e 30% të Trustit e kishte bërë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu. E gjithë seanca e sotme është përcjellur me debate të ashpra.

Haxhiu në prezantimin e Ligjit ka thënë se tërheqja e 30% të Trustit është tepër e nevojshme, për shkak të situatës ekonomike.

“Kjo inciativë ka ardhur si domosdoshmëri në të cilën po kalon Kosova. Inflacioni e rritja e çmimeve. Kërkesa buron nga qytetarët, dhe ne duhet të mbështesim këtë ligj që është kërkesë e tyre”, ka thënë Haxhiu.

“Nuk është ligj individual e as personal ndaj askujt. Kjo është vetëm për ta përballuar rritjen e çmimeve.  Nuk qëndrojnë deklaratat se nga ky ligj përfitojnë ata që kanë më shumë. Ne garojmë në zgjedhje me parti të ndryshme, por këtu të gjithë betohemi për interesin”, deklaroi Bekim Haxhiu.

Kurse, kryeministri Albin Kurti, hyri në akuza personale, duke thënë se Haxhiu është fizioterapeut, dhe i beson nëse e sjell Ligjin për Masazh.

“Vetëm një person doktoraturë në Fizioterapi e ka vetëbesimin që të propozojë diçka kaq të madhe në ekonomi”, ka thënë Kurti.

Ndaj kësaj ka reaguat deputeti Haxhiu, i cili ka thënë se duke qëndruar vetëm në zyre do të ketë nevojë për shërbimet e tij.  “Nëse vazhdon kështu me qëndru në zyre dhe mos me i dëgju kërkesat e qytetarëve, ke me pas probleme me dhimbje të shpinës dhe ke me pasë nevojë për fizeoterapi. Kështu që jam i gatshme me te trajtu pa para për atë punë, sa herë që ke nevojë”, i është kundërpërgjigjur Haxhiu.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka deklaruar se ekonomistët e njohur të PDK-së nuk do ta prezantonin këtë iniciativë ligjore. “Unë do të vijë të ju dëgjoj atëherë kur ta ndërmerrni nismë  për projektligjin për masazh. Ama projektligji për trus nuk ka kuptim kjo punë. Minimumi çka duhet të di është se kush janë ekspertët që të kanë thënë se duhet të vish këtu e ta marrësh këtë nismë. Jam i bindur se po te ishte këtu deputeti Bedri Hamza, nuk do ta propozonte”, ka thënë Kurti.

Hekuran Murati, ministër i Financave, ka thënë se populli nuk i “hanë kopallat”, duke e ndërlidhur me Trustin.

 ‘’Çështja që po diskutohet sot është një projektligj pse kjo s duhet të shkojë tutje sepse shkatërrohet një instituion dhe e ardhmja e pensionistëve tanë.’’, tha ai.

‘Për të qenë demagog, je në apel të impusit dhe edicionit të audiencës. Qysh atëherë e ka sqaru Platoni se mund të përbëjë rrezik për demokraci, por qytetari ka avancu. Nuk i hanë këto kopalla”, theksoi Hekuran Murati.

Kundërshtare e ashpër e këtij ligji ka qenë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Tjera nga autori:
1