<b></b> Opozita i kërkon sqarime për ujdinë me Serbinë, Kurti pranon se po zbaton marrëveshje të dëmshme

Opozita i kërkon sqarime për ujdinë me Serbinë, Kurti pranon se po zbaton marrëveshje të dëmshme

22.06.2022 13:10

Partitë opozitare i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti sqarime shtesë për ujdinë rreth udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë.

Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, nuk e kanë gjuajtur atë me vezë, siç kishin bërë dikur deputetët e LV-së ndaj ish-kryeministri Isa Mustafa, por kanë kërkuar nga shefi i ekzekutivit të tregojë nëse marrëveshjet për energjinë janë të mira apo të këqija.

Shefi i ekzekutivit ka pranuar se marrëveshja është e dëmshme, por duhet ta zbatojë atë.

I pari që ka kërkuar llogari për marrëveshjen ka qenë deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

A është marrëveshje e re a është marrëveshje e vjetër? Nëse është marrëveshje e vjetër, i nderuar kryeministër, cila është e vërteta juaj që keni folur tash e 9 vite, a është e vërtetë që kjo marrëveshje e cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës edhe në fushën energjetike edhe në fusha tjera?”, ka thënë Shala.

Ai ka deklaruar se kryeministri duhet të tregojë a ka ndryshuar diçka kjo marrëveshje. “Ju kërkoj me përgjegjësi njerëzore dhe morale që do të duhej të na jepni sqarime sot. Nëse nuk keni sqarime të duhura, do të duhej sot të na kërkonit falje për gjithë atë që keni thënë tash e 9 vjet për këtë marrëveshje që sot po e riktheni në tavolinë pa asnjë ndryshim”, ka thënë Shala.

Edhe më i ashpër ka qenë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në fjalën e tij, ai ka thënë se nuk mund të ketë dy kuptime për marrëveshjen e njëjtë.

"S’mund t’i ikë më kaq lehtësi. A është marrëveshja e mirë apo s’është marrëveshja e mirë. Nëse është atëherë mund të thuash se po kthehet legjitimiteti në veri. Nëse s’është e mirë, atëherë duhet të flasim për legalizimin e Serbisë në veri dhe në Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se kryeministri po del nga roli i tij.

 “Ose është trashëgimi ose meritë e jotja, të dyja s’janë. Nëse është dëm e nuk është vazhdimësi atëherë pse na sjelle Elektroseverin në veri. Dalja nga roli politik po bëhet e zakonshme nga ana juaja. Nuk po jeni i njëjtë”, ka thënë ai për Kurtin.

Abdixhiku ka cituar edhe aktorin dhe deputetin e ndjerë, Adem Mikullovci për një fjalim në Kuvendin e Kosovës pasi Kurti po dallon nga viti 2015.

Nëse takohemi sy më sy, a kemi me puthë apo me u pështy. Çka kish ba Albin Kurti nëse e kish taku Albin Kurtin e 2015”, ka përfunduar Abdixhiku.

Ndryshimin e qëndrimit për këtë marrëveshje Kurtit ia ka përmendur edhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Tahiri-Kurtit.

Kërkesa jonë është që ju pasi po i ndryshoni qëndrimet është që të ndryshoni qëndrime në disa pika që e prekin qytetarin drejtpërdrejtë: Ka një vit e gjysmë që po e shtyni Ligjin e Pagave, silleni ligjin e pagave. Hiqeni akcizën në naftë. Presim nga ju të reflektoni mbi situatën e rëndë në ekonomi”, ka thënë Tahiri.

Kurti: Marrëveshja është  e dëmshme, por duhet ta zbatojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbrojtur marrëveshjet për energjinë dhe ujdinë për zbatimin e saj. Ai ka thënë se marrëveshjet për energjinë nuk janë të mira.

Kurti ka thënë se ka gjetur shumë marrëveshje, që sipas tij janë të dëmshme.

A janë të mira marrëveshjet në Bruksel më 2013 e 2015, nuk janë të mira. Njësoj siç kam thënë që marrëveshja e 2013 nuk është e mirë. Ato i gjetëm aty. Kur u bëra kryeministër i gjeta 38 komuna. Po të pyetesha unë nuk do të ishin. E gjeta KEDS-in e KESCO-n, po të pyetesha më herët nuk do t’i kishim ato”, ka thënë Kurti.

Ai ka vlerësuar se gjendja në terren është shumë me e keqe.

Ka një mori gjërash që nuk i bëj me vullnet e dëshirë. Gjendja në terren është shumë më e keqe se ato marrëveshje të viti 2013 e 2015. Kemi vendosur afate kohore që janë të tilla, të shkurtra, për shkak se kanë ditët si njësi”, ka theksuar Kurt, duke iu kthyer rimave të tij të zakonshme.

Ajo çfarë bëj unë në qeverisje përshkruhet kështu: e bëj niminimumin e pranimit të realitetit, për maksimumin e ndryshimit të realitetit”, ka deklaruar Kurti.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë dje janë pajtuar në Bruksel për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, e cila parasheh se qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, do të fillojë faturimi i rrymës së shpenzuar.

Sipas këtij udhërrëfyesi, parashihet që Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës(ZRRE), t’i lëshojë licencë për furnizim kompanisë nga veriu, Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

Tjera nga autori:
1