<b></b> Opozita kërkon shkarkimin e Bordit të ZRRE-së: Është kapur nga Qeveria

Opozita kërkon shkarkimin e Bordit të ZRRE-së: Është kapur nga Qeveria

19.05.2022 11:52

Subjektet politike opozitare sot kanë kërkuar shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, pas pezullimit të vendimin për shtrenjtim të rrymës nga Gjykata e Apelit.

Në seancën e sotme parlamentare, deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, e kanë kritikuar këtë bord, duke thënë se është shndërruar në mekanizëm të qeverisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se anëtarët e këtij bordi kanë dëmtuar buxhetin e qytetarëve të Kosovës.

“Është një vepër penale që ZRRE-ja ka dëmtuar 450 mijë familje dhe duhet të ndiqet penalisht. Tashmë e kemi vendimin final të Gjykatës së Apelit. Është lajm i mirë për secilin qytetar që energjia nuk do të paguhet me haraçin e tarifave. Ajo që duhet të ndodhë është shkarkimi i bordit të ZRRE-së. Këta njerëz i kanë ndëshkuar më shumë se 450 mijë familje dhe kjo nuk duhet të tolerohet”, ka thënë Tahiri.

Kritika edhe më të ashpra për Bordin e ZRRE-së ka pasur deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.

Ai ka thënë se vendimet e gjyqësorit po e vërtetojnë se ky institucion është kapur nga Qeveria.

“Dje gjykata e apelit konfirmoi se vendimi i ZRRE-së ka qenë i paligjshëm. Këtë e kemi thënë kudo por partia në pushtet nuk dëgjonte dhe insistonte që tarifat e energjisë të shtrenjtoheshin. Tash çdo gjë është e qartë, e kanë kapur bordin e KEK-ut dhe ZRRE-në”, ka deklaruar ai.

Deputeti i LDK-së ka kërkuar që t'u kthehen paratë qytetarëve që kanë paguar tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike.

“Me dhjetëra herë u kemi dhënë sugjerime si t’i paraprijnë krizës, nuk dëgjuan, tash po e kuptojmë pse. Partia në pushtet refuzoi gazin amerikan, sepse e kanë ditur që me atë projekt amerikan nuk mund t’i trashin xhepat. Në këto një vit e pak në pushtet keni krijuar krizë pas krize, asnjë e menaxhuar. Kërkojmë që urgjentisht t'u kthehen qytetarëve mjetet që janë vjedhur”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se vazhdimisht po prodhon kriza.

Sipas tij, këto kriza po prekin rëndë mirëqenien e qytetarëve të Kosovës .

“Dëmi bëhet edhe më i madh, sido të jetë veprimi i kthimit të parave dhe cilado të jetë tarifa ligjore dhe kushtetuese”, ka thënë Tahiri.

Dje, Gjykata e Apelit ka vendosur që të pezullohet vendimi për shtrenjtimin e çmimit të rrymës nga ZRRE-ja.

Apeli e ka refuzuar ankesën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për vendimin e Themelores, e cila i kishte vënë masë të përkohshme shtrenjtimit të çmimit të energjisë. Ankesën për çmimin e rrymës e kishte bërë Partia Demokratike e Kosovës, e cila gjithashtu kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj ZRRE-së, që nuk po e zbaton vendimin.

Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë kishte hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Sipas vendimit, të gjithë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë në muaj, do të kishin çmim më të lartë të rrymës, ngase kishin më herët. Vendim i cili ishte kundërshtuar ashpër nga partitë politike, shoqëria civile e qytetarët, të cilët kishin dalë edhe në protesta, madje në numër mjaft të madh. Për rritjen e tarifave të rrymës, partitë në opozitë tashmë kanë siguruar 40 nënshkrime, për të krijuar një komision hetimor.

Tjera nga autori:
1