<b></b> Opozita mbron veteranët e UÇK-së, nuk e voton projekt-ligjin për pagën minimale

Opozita mbron veteranët e UÇK-së, nuk e voton projekt-ligjin për pagën minimale

13.05.2022 14:41

Kuvendi i Kosovës sot nuk ka arritur ta miratojë projekt-ligjin për pagën minimale. Kjo pasi partitë opozitare nuk kanë marrë pjesë në procesin e votimit dhe në këtë mënyrë kanë pamundësuar arritjen e kuorumit për miratimin e këtij projekt-ligji.

Përfaqësuesit e subjekteve opozitare e kanë kundërshtuar këtë projektligj për shkak të veteranëve të UÇK-së.

Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë deklaruar se projektligji largon veteranët nga përfitimi nga rritja e pagës minimale.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka deklaruar se ligji aktual përcakton se pensioni i veteranëve duhet të jetë në përputhje me pagën minimale.

“Ne këtë projekt-ligj nuk do ta votojmë, për shkak se shkel rregullat e përcaktimit të pagës minimale, dhe bën ndryshimin e një numri të ligjeve, përmes të cilave godasin pjesët më të ndjeshme të shoqërisë tonë: personat me aftësi të kufizuar dhe veteranët e luftës”, tha Lushtaku, duke paraqitur qëndrimin e PDK-së.

“Shkelje të disa kategorive, siç është rasti me veteranët, te vërbërit, me paraplegjikët, me të tjerët”, ka deklaruar ai.

Të njëjtat argumente i ka përmendur edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Për të, ky projekt-ligj është ndër më të pakuptimtët që ka lexuar.

“Për mënyrën se si është shkruar dhe si është prezantuar, ndoshta është ndër ligjet me të pakuptimta dhe absurde. Nenet se si janë shkruar dhe qëllimi qe tentojnë të arrijnë këto nene, janë kundër vetë parimeve bazë te vendosjes se pagës minimale”, ka thënë Hoti, duke përmendur kritikat tjera ndaj këtij ligji.

“Kur vendoset paga minimale, vendoset për të ruajtur standardin minimal të jetës së një kategorie të qytetarëve. Kush janë ata? Janë të punësuarit të sektorin publik dhe privat, që marrim pagë të ulët, të vogël, nën minimalen dhe janë kategori të ndryshme sociale, pensionale, kategori të caktuara të shoqërisë të cilat lidhen me pagën minimale. Kjo është praktikë ndërkombëtare, për të ruajtur standardin e jetës së disa kategorive të qytetarëve”, ka deklaruar ai.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka deklaruar se projekt-ligji ka për synim diskriminimin e veteranëve të UÇK-së.

“Projekt-ligji që e keni sjellë ju, synon të largojë veteranët nga rritja e pensionit të tyre. Veteranët pensionin nuk e kanë si shpërblim ashtu siç e kanë vendet e tjera, por e kanë burim për ekzistencë. Veteranët që e marrin pensionin, nuk kanë të drejtë të punojnë, ish dashtë me marrë pensionin edhe pagën, qysh e marrin këta të tjerët. Ne e shohim këtë qasje si diskriminuese ndaj veteranëve që i dhanë edhe gjymtyrët e tyre për lirinë e vendit, andaj kërkojmë që pensioni i tyre të jetë i barazvlefshëm me pagën minimale ashtu siç është e paraparë me ligj. Në Kuvend kjo kategori duhet të respektohet, përndryshe ne jemi kundër këtij projektligji. Nuk do ta votojmë”, deklaroi Berisha.

Projektligjin e ka kundërshtuar edhe deputeti i LVV-së, Fatmir Humolli, i cili është veteran i UÇK-së.

Ai ka deklaruar se nuk e mbështet anashkalimin që kjo iniciativë ligjore i bën kategorisë së veteranëve të luftës. “Këtë projektligj nuk do ta votoj”, ka pohuar shkurtazi Humolli.

Qeveria përmend përparësitë e projektligjit

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili e ka paraqitur projektligjin para deputetëve, ka shpjeguar përparësitë e projektligjit.

Ai ka treguar se dokumenti parasheh ndryshimin ose plotësimin e  ligjeve ekzistuese, në mënyrë që të hapet rruga për rritjen e pagës minimale.

“Projektligji në fjalë ka për qëllim të krijojë qartësi juridike sa i përket shumës së beneficioneve dhe kompenzimeve të cilat ndërlidhen me pagën minimale, pra parasheh eliminin e dykuptimësive ose ambiguiteteve juridike. Së dyti, projektligji parasheh lirimin nga tatimi për pjesën e pagës minimale, pra deri në nivelin e pagës 250 eurove. Dhe së treti ky projektligj e ndryshon edhe procedurën, pra e plotëson, se si të vijë deri te rritja e pagës minimale që ajo të mos bllokohet në Këshillin Ekonomiko-social, siç e kemi rastin tani. Këto janë ndryshimet që parashihen në këtë projektligj. Me miratimin e tij hapet rruga edhe për rritjen e pagës minimale. Duke pasur parasysh rëndësinë e rritjes së pagës minimale ju ftoj ta mbështesni”, ka thënë Murati.

Projekt-ligjin e ka mbrojtur edhe deputeti i LVV-së, Armend Muja, i cili udhëheq Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.  

“Ky ligj i ka disa objektiva parësore: hjek ngërçin te procedura e vendosjes së pagës minimale. Ky projektligj do të shërbejë për të rritur pagën e punëtorëve, me pagën minimale, në një pagë adekuate. Ai po ashtu, synon eliminimin e mëdyshjeve ligjore, rreth pagës minimale në nivel kombëtar, specifikisht lidhshmërinë e pagës minimale me nivelin e beneficioneve tjera sociale. Paga minimale është instrument i tregut të punës, dhe ajo duhet të jetë në atë mënyrë”, tha Muja.

Sipas tij, me miratimin e këtij projektligji përfitojnë rreth 32% të punëtorëve të regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës.

“Ky projekt-ligj, apo rritja e pagës minimale, i synon rreth 120 mijë përfitues të drejtpërdrejtë, apo rreth 32% të punëtorëve të regjistruar në administratën tatimore të Kosovës. Këto grupe shoqërore që përfitojnë më së shumti, gjenden në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë 32 mijë përfitues, në industrinë përpunuese 18 mijë përfitues, në gastronomi 13 mijë përfitues, në ndërtimtari 10 mijë përfitues, në aktivitetet e sigurimit fizik 12 mijë përfitues. Shumica e tyre të moshës së re, 16-24  vjeç dhe në kuadër të këtij projekt-ligji përfitues janë edhe shtresa tjera, po që përfitojnë më pak”, deklaroi Muja.

Në fund të debatit, vetëm 56 deputetë kanë marrë pjesë në votim, prej të cilëve 51 votuan për, dhe 5 kundër. Në mesin e atyre që kundërshtuan, ishte edhe deputeti i LVV-së, Fatmir Humolli.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka treguar se ky projektligj do të hidhet përsëri për votim në një nga seancat e ardhshme.

Autor: Arbër Thaçi

Tjera nga autori:
1