<b></b> Opozita përkrah protestën e veteranëve të UÇK-së, fton qytetarët t’i bashkohen  

Opozita përkrah protestën e veteranëve të UÇK-së, fton qytetarët t’i bashkohen  

04.06.2022 15:01

Subjektet politike opozitare i kanë dhënë mbështetje protestës së kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, e cila do të mbahet të hënën në ora 10:00.

Përfaqësuesit e PDK-së, AAK-së dhe PSD-së kanë deklaruar për gazetën Nacionale se protesta e veteranëve për të kundërshtuar diskriminimin që Qeveria po ua bënë atyre, është e drejtë.

Disa preje këtyre partive kanë treguar se do të marrin pjesë edhe aktivisht në këtë protestë.

Nënkryetarja e PSD-së, Teutë Rrusta, i ka ftuar gjithë qytetarët të marrinë pjesë në këtë protestë.

Veterani sot është kategori e varfër ekonomikisht dhe e nëpërkëmbur institucionalisht, në ndërkohë që përndjeket politikisht.  PSD-ja do të marrë pjesë në protestë dhe ftoj qytetarët që t’i bashkohen veteranëve, përmes të cilëve ne sot jemi të çliruar”, ka thënë Rrusta për gazetën Nacionale.

Ajo ka deklaruar se mënyra qysh qeveria po i trajton veteranët e UÇK-së tregon për një frymë institucionalisht të organizuar kundër UÇK-së. “Ne si parti politike i përkrahim plotësisht kërkesat dhe protestën e OVL-UÇK. Mënyra sesi kjo qeveri ka trajtuar veteranët tregon për një frymë institucionalisht të organizuar kundër UÇK-së. Kjo është evidente. Dhe në anën tjetër, tentimi për t’i larguar nga paga minimale këtë kategori është e pandershme”, është shprehur ajo.

Edhe Blerand Stavileci nga PDK-ja ka thënë për gazetën Nacionale se kjo parti gjithmonë do të jetë në anën e veteranëve.  “Pushteti në vend të dialogut e sinqeritetit e ka instaluar arrogancën e diskriminimin si parime të punës në raport me qytetarët dhe të gjithë ata njerëz që ia besuan ndryshimin. Dhe, paradoksalisht, i vetmi ndryshim që po ndodhë është degradimi më i madh i një qeverisjeje as për 1 vit e gjysmë të punës së saj. Protestat po shtohen e po rriten. Qytetarët kanë të drejtë, ashtu si edhe veteranët. Ne do të jemi gjithmonë në anën e atyre që duhet mbështetur nga qeveria e jo të nëpërkëmben e anatemohen”, është shprehur ai.

Sipas tij, me arrogancën e saj qeveria po nxitë pakënaqësi të të gjitha kategoritë. “Kjo qeveri po dështon në të gjitha drejtimet. Në mungesë të vizionit, po i mungojnë veprimet dhe kjo po ngritë pakënaqësi të mëdha tek të gjitha kategoritë. Nuk mbahet në mend që ka pasur ndonjëherë pakënaqësi më të mëdha se sa tash nga të gjithë: punëtorët shëndetësorë, punëtorët arsimorë, bizneset, sindikatat. Nga njëra anë kemi mbi 200 mijë aplikime nëpër ambasadat e huaja e nga tjetra shohim me dhjetëra mijëra njerëz që nuk mbështeten nga pushteti”, ka deklaruar Stavileci.

Ditë më parë, edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte paralajmëruar se do të jetë në përkrahje të veteranëve të UÇK-së nëse Qeveria e Kosovës këtë kategori e përjashton nga rritja e pagës minimale.

I kam duruar të gjitha shpifjet e tij dhe të tyre, ka ndodhur një proces gjyqësor. Por mos luaj më shumë me këto kategori. Mos u tall me to. Ky është kërcënim publik dhe serioz. Po, mos bëj hajgare me këto kategori mo. Kthjellu një herë e përgjithmonë. Të kemi duruar se kemi pasur arsye tjera, por nuk të durojmë pa kufi. Kjo nënkupton se ne i dalim në rrugë dhe i tregojmë se a mund të hyjnë në zyre të vet mo nëse tallen me këto kategori”, kishte deklaruar Haradinaj.

Veteranët: Nëse situata eskalon, përgjegjësinë e ka kryeministri Kurti

Përfaqësuesit veteranëve, invalidëve dhe familjarëve të dëshmorëve kanë treguar sot se të hënën do t’ia zënë derën deputetëve para Kuvendit të Kosovës.

Në një konferencë për medie, ata kanë bërë me dije se përmes protestës do të kërkojnë nga deputetët që të mos miratohet ndryshimi i Qeverisë, nëpërmjet të cilit veteranët përjashtohen nga ndryshimi i pagës minimale.

Ata nuk kanë përjashtuar mundësinë e eskalimit të situatës në këtë protestë.

Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, ka thënë se nëse ndodh eskalimi përgjigjesia bie mbi qeverinë.

Ne po e lëmë edhe një mundësi që deputetët mos ta aprovojnë një diçka të tillë, në të kundërtën nuk përjashtohen format e reagimeve tona. Publikisht po e themi se ne nuk marrim përgjegjësi pasi revoltat janë të mëdha, nuk marrim përgjegjësi. Kur preken invalidët, veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta, ti po prek në lirinë e Kosovës, po prek në themelet e Kosovës që janë krijuar pas luftës. Nuk do të donim që të eskalojë protesta, por nëse kjo ndodhë përgjegjësia bie mbi qeverinë dhe kryeministrin Kurti, sepse ai duhej të kishte respekt e përkujdesje më të veçantë”, ka thënë Jashari.

Madje, ai ka kërkuar që edhe vetë kryeministri Kurti të hetohet për këtë nismë. “Në vend që kjo qeveri t’iu përgjigjet kërkesave tona për ngritjen e benefecioneve. Në vend që kjo qeveri ta zbatojë Ligjin që është dalë nga Parlamenti, kjo institon që t’i largojë kategorinë e veteranëve, që lidhen me pagën minimale. Kam thënë edhe njëherë po e them edhe sot: në shtetet demokratike, në shtetet që kanë institucione një kryeministër i tillë do të duhej të hetohej”, tha Jashari.

Kurse, U.D kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, ka deklaruar se Qeveria e ka për obligim plotësimin e kërkesave për kategoritë e dala nga lufta.

 “Ka një muaj që qeveria e di se do të bëjmë protesta. Po i shihni se po luftojnë se cili ka shku me i vizitu më shumë krerët e UÇK-së në Hagë. Qëllimin kryesor e kanë që ta trullosin opinionin që të mos dalin masa në protestë, se gjoja këtë janë për UÇK-në. Ata s’kanë nevojë për vizita, ata kanë nevojë me obligimet ligjore me pagesa që i kanë, sepse krerët e UÇK-së nuk kanë nevojë as për mua, ata kanë nevojë për familjen, por shteti duhet të përkujdeset për ata”, ka thënë Klinaku.

Kuvendi i Kosovës, të hënë, do të shqyrtojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Ky projektligj, sipas Qeverisë, ndryshon dhe plotëson edhe Ligjin për veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 05/L-141.

Ligji për veteranët tregon se pensioni i veteranëve nuk mund të jetë më i vogël se paga minimale.

 

Tjera nga autori:
1