Osmani i del në mbrojtje ambasadorit pas skandalit: Berishaj ka mohuar gjithçka, ne i besojmë

Osmani i del në mbrojtje ambasadorit pas skandalit: Berishaj ka mohuar gjithçka, ne i besojmë

22.04.2022 12:24

Presidentja Vjosa Osmani, në një konferencë për media, ka zgjedhur të tregohet e ashpër me gazetarët në momentin kur është pyetur për skandalin ku është përfshirë ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj.

Osmani ka thënë se pyetja e gaztearit lidhur me skandalin e ambasadorit është veç konstatim e jo pyetje, dhe njëkohësisht lidhur me aferën s’është konstatuar ende asgjë, por vetëm është raportuar në media.

“Kjo s’është pyetje, është konstantim. Është për keqardhje se si ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovë se cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore”, është shprehur Osmani në konferencë.

Ndërkohë që me krenari Osmani tha se e ka dekretuar si ambasador, meqë ka qenë në kompetencën e saj.

“Normalisht që e kam dekretuar si ambasador dhe me shtetësi, sepse është në kompetencë timen, sepse ka vepruar në përputhje me ligjin”, ka thënë Osmani.

Tutje ajo, për të vazhduar sulmin ndaj mediave, ka cituar një frazë që është përdorur nga presidenti Biden.

“Sa i përket atyre që publikohen, dua ta potencoj atë që them vazhdimisht, rreziku më i madh në raport me demokracinë sot nuk janë tanket por edhe dezinoformatat”, ka thënë Osmani.

Krejt në fund, Osmani tha se ambasadori i Kosovës e ka besimin e institucioneve, përkundër raportimeve nga mediat sllovene për përfshirjen e Berishajt në skandal.

“Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës. Të gjithë bashkërisht e presim vendimin e organit të drejtësisë”, shtoi Osmani.

Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni ka shpërthyer një skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, e që sipas të gjitha gjasave edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Një televizion slloven, Planet TV, ka raportuar se mbi gjysmë milion eurosh, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave, e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.

Çfarë ka ndodhur?

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raporton media sllovene.

Gazeta Nacionale gjatë gjithë kohës ka provuar që ta kontaktojë z. Berishaj për ta marrë një prononcim edhe nga ai, por ambasadori ka qenë i paqasshëm, megjithëse në një moment i ka lexuar pyetjet, por ka zgjedhur të mos përgjigjet. Nacionale gjithashtu i ka dërguar email z. Berishaj, por nuk ka marrë përgjigje.

Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe email-i i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook-ut.

“Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze (ajo ku pronar është Berishaj) është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit.”

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.

Kush ishte mushka që e bëri këtë, pyet televizioni slloven?

“Pronari i MB Consulting dhe i punësuari i vetëm i kësaj kompanie është Martin Berishaj. Ai u ka thënë autoriteteve tatimore në Mal të Zi që arsyeja përse i ka tërhequr parat kesh kishte të bënte me një marrëveshje që ai e kishte me kompaninë e tij”, thotë media sllovene, duke treguar që Berishaj i ka tërhequr rreth 200 mijë euro nga llogaria personale dhe rreth 320 mijë të tjera i ka tërhequr si profit nga llogaria e biznesit.

Burimi i ka treguar televizionit Planet që paratë që z. Berishaj ia ka dërguar politikanit slloven, ky i fundit i ka investuar në një fond italian.

Z. Berishaj njihet si mik shumë i afërt i kryeministrit Kurti. Ai ka qenë ndër të parët që kishte shkuar për të festuar në selinë e LVV-së, pas fitores në zgjedhjet e vitit të kaluar. Një raport i tillë i ishte shpërblyer pa humbur kohë, duke e emëruar ambasador të Kosovës në Kroaci.

Tjera nga autori:
1