<b></b> Para nëpër banka të Kosovës e Serbisë – sa janë të pasur deputetët e Listës Serbe?

Para nëpër banka të Kosovës e Serbisë – sa janë të pasur deputetët e Listës Serbe?

15.06.2022 15:21

Deputetët e Lista Serbe kanë bërë deklarimin e pasurisë pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2022. Çka bie në sy nga deklarimet e disa deputetëve të kësaj liste është mbajtja e disa pozitave zyrtare, qoftë në Kosovë qoftë në Serbi, si dhe mbajtja e parave që fitojnë nëpër banka që veprojnë në Serbi. 

Zoran Mojsiloviq, deputet i Listës Serbe, ka të ardhura mujore të majme. Pos punës si deputet i Kuvendit të Kosovës, ai mban edhe dy pozita tjera të punës: në   ‘‘Sportski Centar Mitrovica’’ dhe ‘’Fakultet za sport i fizicko vaspitanje’’. 

Mojsilovic nga puna si deputet i Kuvendi përfiton gati 22 mijë euro në vit, ndërkaq nga dy vendet tjera të punës mbi 11 mijë, respektivisht 9,177 euro në vit. Nga deklarimi i pasurisë nga Mojsilovic vërehet se nëpër tri banka në Beograd ai mban para; në njërën  28 mijë e 500 euro, ndërsa në dy tjera nga 2 mijë e 600 dhe 8 mijë e 300.

Ndërkaq deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Igor Simiq ka deklaruar dy vende tjera të punës, njeri vend i punës në Beograd të Serbisë, nga ku përfiton mbi 15 mijë euro në vit. Ndërkaq nga puna si deputet fiton mbi 22 mijë euro, ndërkaq nga vendi i tretë i punës fiton mbi 2,400 euro në vit. 

Igor Simiq ka para kesh në tri banka, dy prej të cilave në Beograd (përfshirë edhe kesh në emër të bashkëshortës së tij), me afër 5 mijë euro të kursyera. 

Edhe deputeti tjetër i Listës Serbe, Branisllav Nikoliq mban para në një bankë në Beograd, por në shifra të vogla.

Ndërkaq para, anipse në shifra të vogla, në një bankë në Beograd mban edhe deputetja Dragana Antonijeviq që vjen nga kjo parti. 

Dje gjatë ditës, Agjencioni Kundër Korrupsionit ka publikuar të dhënat ku zyrtarë të shtetit deklrarojnë pasurinë e tyre për çdo vit.   

Ajo që vërehet nga deklarimi i pasurisë së deputetëve të Listës Serbe, është se një pjesë të pozicioneve zyrtare që ata i mbajnë në Kosovë, nuk i deklarojnë në Serbi, dhe anasjelltas. Nga njohës të fushës, ky fakt në vazhdimësi është vlerësuar si konflikt i pastër i interesit, por që hetim konkret nuk ka pasur asnjëherë.

Përveç deputetëve të Listës Serbe, njëjtë paguhen edhe ministrat, zv/ministrat e anëtarët tjerë të kësaj partie që janë pjesë e qeverisë.

Lista Serbe u formua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar. Që atëherë, ajo ka qenë partia kryesore e serbëve në Kosovë, duke fituar rreth 90 për qind të votave të komunitetit serb në të gjitha zgjedhjet lokale dhe parlamentare.

 

Tjera nga autori:
1