Pas 20 ditëve larg: Kurti zatet vëllanë, bizneset e diasporës dhe shkon te presidentja për njëfarë gradimi - NACIONALE

Pas 20 ditëve larg: Kurti zatet vëllanë, bizneset e diasporës dhe shkon te presidentja për njëfarë gradimi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyrë. Ec sheshit. Zatet vëllanë. Takon bizneset e diasporës. Presidencë.

Kështu do të mund ta përshkruante Kadare aktivitetin e Kurti në ditën e parë pas 20 ditëve mungesë, në ndonjë roman alla-Kronikë në Gur.

Udhëtimi i kryeministrit përtej oqeanit u mor nëpër gojë nga komentues të politikës, meqë ishte udhëtimi më i gjatë në kohë që ndonjë kryeministër e kishte bërë në SHBA.

Kthimi i tij në kontinentin e vjetër, por jo në Kosovë, në gjykimin e Kurtit tregon se mungesa e kryeministrit s’po vërehej. “Davosi” ishte caku i radhës për takime.

Pasi i rrumbullakoi 20 ditë larg Kosovës, Kurti në ditën e parë vendosi të marrë pjesë në Forumin e Bizneseve të Kosovës. Ky ishte aktiviteti i vetëm ditor në agjendën zyrtare në kalendarin e Kurtit.

Për ta trashur pak agjendën, aktiviteti i tij shtohet kur nga zyra e tij, në këmbë ia mësynë një hoteli ku po mbahej ky forum.

Gjatë ecjes, Kurti zateti vëllanë e tij rastësisht, i cili ecte sheshit me familje. Fotot e Nacioanles thonë se u përshëndetën dhe ecja drejt hotelit vazhdoi.

Gazetarët i zunë pritë në korridor për ta pyetur rreth takimeve të tij në SHBA, ku Kurti me mburrje e tha se ka zhvilluar takime në Shtëpinë e Bardhë.

Që të sqarohet, Shtëpia e Bardhë nënkupton edhe objekte të tjera jashtë shtëpisë ku fle presidenti.

Këto objekte, kanë shkallë në fund të korridoreve, e aty Kurti zhvilloi takime. Ndoshta Zyra Ovale ka qenë e zënë.

Perimetri i ecjes së Kurtit filloi të ngushtohej kur nga hoteli eci drejt presidencës.

Aty, Vjosa Osmani gradoi disa ushtarakë të FSK-së, ku i pranishëm ishte edhe Kurti.

Ky ishte aktiviteti i Kurtit paraditen e parë nga udhëtimi 20-ditor. Sipas rëndësisë së këtij aktiviteti, del që ndoshta njëmend s’ka lënë gjë keq në Kosovë. Ndoshta më mirë do të ishte të mos kritikohej për mungesën e tij.

Është veç ora 1 e mesditës, janë tri orë të tjera në pyetje deri në përfundim të orarit zyrtar të punës.

S’ka diçka tjetër në agjendë, megjithatë Kurti gjithmonë mund të na befasojë.

Kaloi oqeanin për të takuar investitorë, por 300 të tillë po e prisnin në Prishtinë

Rrafsh 20 ditë rresht, kryeministri i vendit, Albin Kurti, udhëtoi nëpër shtete të ndryshme të Amerikës duke vizituar korporata amerikane në fushën e teknologjisë dhe biznese të shqiptarëve në diasporë, në një tentim tijin për të sjellë investime në Kosovë.

Vazhdoi më pas në Zvicër për disa ditë me tentativën e njëjtë, por kur u kthye në Kosovë, ku 300 biznesmenë shqiptarë në diasporë, Kosovë e Shqipëri, po e prisnin në një sallë hoteli në qendër të Prishtinës. Aq shume kishte mysafirë, sa nuk i zinte salla. Organizatorët i lëvizën mysafirët në një sallë tjetër, për ta përcjellë ceremoninë në transmetim direkt në TV.

Paradoksin udhëtimit në Amerikë në kërkim të investimeve dhe gjetjen e qindra investitorëve të ulur në një sallë, si duket e kuptoi edhe vetë kryeministri, andaj në fjalën hapëse të “Forumit të Bizneseve të Diasporës”, që po mbahet në Prishtinë, ai vendosi që të “arsyetohet” para bizneseve, duke përsëritur për të disatën herë gjërat e njëjta për “frytet” e vizitës në SHBA.

Lajme të ngjashme