<b></b> Për 1 vit, Edi Rama po e bën Albin Kurtin të duket plak

Për 1 vit, Edi Rama po e bën Albin Kurtin të duket plak

11.05.2022 20:43

Me 14 shkurt të vitit të kaluar Albin Kurti dukej si një uragan që nuk do të ketë të ndalur, kurse Edi Rama një politikan që i takonte të kaluarës. Tavolina është rrotulluar.

Në shkurt të vitit të kaluar kryeministri Edi Rama dukej si një boksier që ishte rrahur pamëshirshëm për 12 raunde dhe kërkohej vetëm edhe një goditje për ta rrëzuar në dysheme.

Aleati i vetëm i tij në Ballkan ishte Presidenti serb Aleksander Vuçiq, kurse Kosova për të ishte bërë një tokë e huaj. Edhe Kryeministri e edhe Presidenti i ri i Kosovës ishin në gjendje ta shpallnin, nëse është nevoja, edhe persona non grata. Madje kishte edhe zëra të tillë.

Pasiqë i kishin fituar mbi 50 përqind të votave në Kosovë Kurti e kishte mbjellë farën e partisë së tij edhe në Shqipëri. Si një fëmijë i ekzaltuar, pasiqë kishte korrur sukses elektoral në Kosovë, kishte shkuar me eskortë shtetërore për të votuar në Shqipëri. Për ta demonstruar fuqinë në terren kishte filluar edhe me protesta në pika të ndryshme. Deputetë idiot nga Kosova kishin vajtur për të ngritur zërin e protestës në një shtet tjetër.

Kurti ishte i bindur që Rama i takonte të kaluarës, thjesht dëshironte që ai personalisht t’ia jepte goditjen i fundit. Kadal beg se ka hendek.

Kryeministri shqiptar, ndonëse i frikësuar se nga Kosova po frynte një erë e fuqishme e ndryshimit, arriti ta ruante qetësinë. Për disa javë më radhë ai nuk i ishte përgjigjur provokimeve të ulta nga Prishtina. Ishte i bindur që çfarëdo polemike parazgjedhore, do t’i shkonte përshtati kauzës së Kurtit, e do ta dëmtonte atë vetë. Rama, në kushte të tjera, do të kishte mjaft gjëra për t’i thënë. Më falni për gjuhën, por Rama po e mbante shurrën. Sabri e ka selamtin.

Kështu, në prill Rama i mbylli hesapet në Shqipëri, duke e siguruar edhe mandatin e tij të tretë. Kurti kishte mbjellë duhi dhe kishte korrur breshër. Potera që e shkaktoi para zgjedhjeve të Shqipërisë rezultoi të kishte qenë një stuhi në gotë. Votat që i mori nuk e justifikonin as naftën e shpenzuar nga eskorta e tij për të shkuar nga Prishtina në Tiranë për të votuar. Rama, ndonëse i dërrmuar, pas rezultatit të prillit arriti që t’i ikte goditjes fatale. Tash gradualisht po e pushtonte mesin e ringut.

Ndoshta që nga viti 1945 Kosova dhe Shqipëria nuk kishin qenë kaq keq. Është i diskutueshëm raporti i Ramës me Serbinë, por është i pakuptueshëm axhamillëku i Kurtit e Osmanit për t’i sulmuar udhëheqësit e shtetit shqiptarë – kushdo qofshin ata – veç pse këta po mendonin ndryshe. Kurti dhe Osmani po silleshin si pronarët e të vërtetës absolute.

Edi Rama, si ujk i moçëm, e dinte që hakmarrja më e mirë servohet kur është e ftohtë. Përplasja direkte dhe në media do t’i çonte ujë në mullirin e Kurtit. Një politikan që është në pushtet që 20 vjet e ka të pamundur të matet, pa marrë parasysh argumentet e forta që mund t’i ketë, me një tinejxher. Aleati kryesor i Ramës në këtë rast ishin koha dhe durimi.

Pas rreth 15 muajsh pushtet dhe pas një qeverisje - mos të themi skandaloze - mediokre, fenomeni Kurti ka filluar të demistifikohet. Edhe vetë Vetëvendosja po e ka të pamundur ta gjejë një fushë ku do të mund të thoshte “ja këtu po shkëlqen qeveria e jonë”. Nepotizëm, korrupsion, sulm ndaj mediave, inflacion ekstrem, raporte të ftohta me Amerikën dhe para së gjithash gënjeshtarë patologjikë. Kjo e karakterizon këtë qeveri, e Kurtin në veçanti.

Publiku avash – avash ka filluar të ngopët me retorikën e zbrazët, e posaçërisht me sulmet ndaj qeverive të kaluara. Publiku avash – avash ka filluar t’i shoh edhe disa punë të mira nga periudha e të ashtuquajturit “shkatërrim 20 vjeçar.”

“Ndoshta more Hashim Thaci nuk ka qenë aq i keq sa na është thënë”. Dhe krahas kësaj pyetje njerëzit kanë filluar që befasisht të pyesin për të dhe shokët e tij. Pse nuk po lirohen për t’u mbrojtur në liri, siç janë praktikat më të mira ndërkombëtare? Çfarë po bëjnë institucionet tona për ta?

Derisa njerëzit kanë filluar të pyesin, derisa Kurti dhe kllapa e tij më shumë janë në anën e prokurorisë se sa në anën e UÇK’së, Edi Rama, pa e vrarë shumë kokën, shkoi për vizitë të miku i tij në Hagë. Albin Kurti as nuk e ka menduar ndonjëherë një akt të tillë. Për më keq, para disa javësh, ai kishte zgjedhur t’i ofendonte krerët e UÇK’së, duke ua çuar në vizitë ministren e Drejtësisë. Nëse do ta pyesje Thaçin e Veselin, se cili do të donit të ishte personi i vetëm në Kosovë që nuk do ta takonit, pa dyshim që do të thoshin Albulena Haxhiu. Këtë e ka ditur edhe Kurti kur kishte vendosur që Albulenën ta niste për në Hagë si ngushëllim.

Dërgimi i Ministres së Drejtësisë, tash jo si emër i përveçëm por si institucion, ishte mesazh i kësaj qeverie se Thaci, Veseli dhe të tjerët, nuk ishin asgjë tjetër, përveç ca të burgosur, që mund ta takojnë vetëm personin përgjegjës për burgjet, siç është ministrja e drejtësisë.

Për Edi Ramën, megjithatë, ata që gjenden në Hagë, ende të pafajshëm, kanë vlerë shumë më të madhe se sa disa të burgosur. Ata atje, me të drejtë, janë para së gjithash figura të rëndësishme historike të Kosovës dhe të shqiptarëve. Se si është bërë ai Tribunal, se si janë ngritur ato aktakuza, më së miri e pamë tash së fundmi kur vetë senatori Dick Marty foli publikisht për një atentat që po i përgatiste shërbimi sekret serb, në mënyrë që pastaj t’i fajësonte krerët e UÇK’së. Duhesh të jesh ose i verbër, ose i motivuar thellësisht politikisht, siç është Kurti, që ta mohosh këtë realitet.  

Sido që të jetë, kjo nuk është fiaskoja e vetme e kryeministrit të Kosovës. Erërat kanë ndërruar drejtim. Në Mal të Zi është zgjedhur një kryeministër shqiptar, që vizionin për Ballkanin e ka më të afërt me atë të Edi Ramës, se sa më këtë të Albin Kurtit, edhe pse fjala vizion dhe Albin brenda të njëjtës fjali duken tepër kontradiktore.

Gjithashtu, edhe aleatët më kokëfortë të Kurtit në arenën ndërkombëtare, gjermanët, kanë filluar të dëshprohen me të. Për raportin e Kurtit me SHBA’të nuk ia vlen të flitet shumë. Ai po qëndron për një vizitë zyrtare në Amerikë, që më shumë duket si shuarje e kureshtjes personale. Kurti ka harruar, ose nuk e ka ditur kurrë, që asnjë trik e asnjë taktikë nuk do ta ndihmojnë atë për të sjellur investime të rëndësishme në vendin tonë, pa raporte të shëndosha politike në mes të Kosovës dhe SHBA’së.

Pak a shumë ka kaluar 1 vit prej kur Rama e ka filluar mandatin e tij të tretë, kurse Kurti mandatin e tij të parë. Aq i lodhur dhe i pashpresë duket Kurti, sa dikush do të mund të mendonte që ai po qeverisë me Kosovën që tri mandate, kurse Rama sapo e ka filluar punën si kryeministër. Mjaft ironike kjo, kur ta mendosh që Kurti kërkonte që të bëhej edhe kryeministër i Shqipërisë, pra nuk po i mjaftonte vetëm Kosova.

(Se çfarë mendoj për Ramën si kryeministër i Shqipërisë këtë e kam thënë qindra herë dhe edhe më tutje u qëndroj atyre qëndrimeve).

Tjera nga autori:
1