<b></b> Për 10 vjet Albin Kurti mori 178 mijë euro në paga, i harxhoi të gjitha duke i ruajtur vetëm 400

Për 10 vjet Albin Kurti mori 178 mijë euro në paga, i harxhoi të gjitha duke i ruajtur vetëm 400

22.06.2022 15:35

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mund të jetë duke kursyer letër për të zvogëluar fontin e shkronjave nëpër dokumente zyrtare – siç tha me cinizëm Edi Rama – por del se nuk kursen aspak sa i përket buxhetit të tij familjar. Për dhjetë vjet, ai ka marrë paga në vlerë të përgjithshme prej 178 mijë e 699 eurove por në bankë i kanë mbetur vetëm 401 sosh.

Për njëmbëdhjetë vjet, kryeministri i Kosovës ka marrë gjithsej 156 paga mujore, përfshirë edhe dy honorare.

Shuma e përgjithshme e parave që kryeministri i ka marrë duke shërbyer si kryeministër, deputet i Kuvendit të Kosovës, aktivist i Vetëvendosjes dhe kolumnist në gazetën Zëri është 178 mijë e 699 euro.

Sidoqoftë, në fund të muajit mars të këtij viti (2022), dhjetë vjet pasi kishte bërë deklarimin e parë të pasurisë (2012), ai në formularin e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka deklaruar vetëm 401 euro në xhirollogarinë bankare si para të gatshme.

I papërvojë në tregun e punës

Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i është përmendur vazhdimisht mungesa e përvojës në tregun e punës. Kjo mungesë përvoje është konsideruar se nuk i jep atij empatinë e nevojshme për t’i çuar përpara nevojat e punëtorëve të vendit.

Pjesa e parë e këtij viti është përshkuar me një numër të madh protestash nga mësimdhënës, policë, zjarrfikës, shërbyes civilë dhe të tjerë.

Dialogu social po konsiderohet si një prej nevojave më emergjente në vend, marrë parasysh edhe rritjen enorme të çmimeve të produkteve esenciale por edhe rritjen enorme të çmimeve të derivateve.

Arritja më e madhe e Qeverisë Kurti në këtë drejtim po konsiderohet rritja e Pagës Minimale në 250 euro, që më herët për qytetarët nën moshën 30 vjeçare ishte 130 euro dhe për qytetarët mbi moshën 30 vjeçare ishte 170 euro.

Përvoja më e përafërt e kryeministrit Kurti mund të konsiderohet honorari që ka marrë si kolumnist në gazetën Zëri në vitet 2012, 2013 dhe 2014 dhe e cila ishte 1384 euro në vit.

Por, derisa merrte këto honorare, ai merrte edhe pagën prej 17 mijë e 856 eurove në vit si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Asnjë investim kapital

Përkundër shumës prej 178 mijë e 699 eurove që i mori në paga mujore përgjatë këtyre viteve, Kurti nuk ka bërë asnjë investim kapital.

Në deklarimet e tij të pasurisë në AKK, nuk ndodhet asnjë pasuri e paluajtshme dhe asnjë pasuri e luajtshme (veturë, stoli, bibliotekë etj).

Në vitin 2010, ai kishte shitur banesën e tij në Dardani për të financuar Lëvizjen Vetëvendosje, gjë që ishte konfirmuar në atë kohë nga Hysen Durmishi, zyrtari i financave në parti gjatë asaj kohe.

Ndërkohë, apartamenti me sipërfaqe prej 67 metrave katrorë dhe i blerë në vitin 2018 mban pronësinë e bashkëshortes së tij, Rita Knudsenit, një hulumtuese nga Norvegjia.

Kurti ka qenë jashtëzakonisht diskret në lidhje me mënyrën se si i ka harxhuar paratë e tij. Në një deklarim të pasurisë të bërë në vitin 2016, ai është shprehur se i ka dhuruar 4092 euro për stafin e tij në formën e pagës vjetore në prill të vitit 2015, por pa specifikuar se për cilin staf bëhej fjalë.

Në lidhje me këtë banesë që kushton 400 mijë euro, Kurti ka deklaruar se bashkëshortja i ka 290 mijë euro borxh.

Ky borxh i bashkëshortes, në vitin 2020 ka qenë vetëm 231 mijë euro por është rritur për gati 70 mijë euro në vitin 2021, duke shkuar në 300 mijë.

Për fat të keq, Kurti duket se nuk ka as para të kursyera për veten apo fëmijën e tij siç kanë deklaruar se kanë shumë politikanë tjerë, përfshirë edhe bashkëpartiakë të tij. 

Qeraja e ulët

Kryeministri Kurti është kritikuar në vazhdimësi nga aktivistët e Partisë Socialdemokrate në lidhje me qeranë e ulët që paguan për shtëpinë luksoze 230 metërshe në Taslixhe.

Në lidhje me këtë çështje, Nacionale ka informuar edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe e cila tashmë do të hetojë rastin.

Kurti është shortuar mes zyrtarëve publikë të cilëve do t’ju kontrollohet pasuria gjatë vitit 2022.

Në lidhje me këtë qera të ulët, Kurti ka dhënë shpjegimin si vijon:

“Banoj në shtëpi me qira, sipas kontratës të lidhur me qiradhënësin B.Z. në afat prej 3 vitesh me mundësi vazhdimi edhe për një afat shtesë prej 3 vite në kushte të njëjta siç janë parashikuar në kontratë. Qiraja është në shumë prej 250 euro në muaj.”

Tjera nga autori:
1