<b></b> Për dy vjet: Mishi i pulës u shtrenjtua 164 për qind, vaji 166 për qind, mielli 56 për qind

Për dy vjet: Mishi i pulës u shtrenjtua 164 për qind, vaji 166 për qind, mielli 56 për qind

30.05.2022 14:10

Numra treshifrorë të shprehur në përqindje tregojnë seriozitetin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë, për të cilat PDK-ja ka publikuar disa statistika shqetësuese.

Partia më e madhe opozitare, me këto statistika thotë se një shportë me gjëra ushqimore që më 2019 kushtonte 398 euro, sot kushton 516 euro me 30% rritje të çmimeve.

Vetëm dy produkte - orizi dhe banania - nuk pësuan rritje, ndërkohë që 18 produktet tjera esenciale kanë pësuar rritje serioze të çmimeve.

Këto shifra u publikuan nga Blerand Stavileci dje në një konferencë për media që kishte thirrur PDK.

Ndërkohë që sot edhe Uran Ismaili bëri të njëjtin postim ku ndër të tjera kritikoi ashpër klasën politike qeveritare.

Sipas tij, Qeveria Kurti po tregohet indiferente dhe e padëgjueshme ndaj krizës. Bile, Ismaili tha se qeveria edhe po tallet duke thënë se jemi mësuar me kriza.

Kriza ekonomike në Kosovën e pasluftës u mor si krahasim me krizën ekonomike që po e përjetojmë sot, 22 vjet pas luftës.

Udhëtimet zyrtare të Kurtit dhe ministrave të tij në këtë krizë ekonomike, Ismaili i quajti shëtitje nëpër metropole botërore.

“Kjo periudhë, ekonomikisht më e vështira që nga viti 1999 në Kosovë, nuk kërkon shëtitje nëpër metropole botërore as të Kryeministrit e as të Ministrave të tij. Kjo gjendje është emergjente dhe si e tillë duhet të trajtohet”, thotë Ismaili.

Për ta lehtësuar situatën e rënduar ekonomike, PDK-ja po beson se duhet të bëhet tërheqja e 30% të parave të Trustit. Pos kësaj, Stavileci në konferencë tha se duhet të bëhet edhe rritja e pagave, duke filluar me atë minimalen, duke e bërë 300 euro.

“Kemi dhënë shumë rekomandime, edhe për ligjin e pagave, edhe për pagën minimale, edhe për trustin pensional. Ato duhet të ndodhin sa më shpejt. RRITJA E PAGAVE, RRITJA E PAGËS MINIMALE MBI 300 EURO DHE TËRHEQJA E TRUSTIT”, përfundoi Blerand Stavileci dje në konferencë.

Tjera nga autori:
1