Për ta shpëtuar Liburn Aliun dhe Florent Ramqajn, struktura para-politike në Vetëvendosje i turren Hysen Durmishit - NACIONALE

Për ta shpëtuar Liburn Aliun dhe Florent Ramqajn, struktura para-politike në Vetëvendosje i turren Hysen Durmishit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Që një javë, publiku po zien prej debatit të shkaktuar nga publikimi i aferës “Jaranat e Liburnit”. Që nga 1 qershori, datë kur Gazeta Nacionale publikoi skandalin e madh të ryshfetit, Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës dhe Florent Ramqaj, këshilltar financiar i Aliut, janë nën trysni të mediave.

Në njërën anë, presioni publik rreth aferës, në anën tjetër, nisja e hetimeve nga Prokuroria e shtetit, ka bërë që Aliu e Ramqaj, por edhe krejt VV, të kërkojnë një rrugëdalje nga skandali i ryshfetit.

Siç ka shkruar ditë më parë Nacionale, shumica dërrmuese e lexuesve të gazetës votuan në favor të dorëheqjes ose shkarkimit të Aliut nga posti i ministrit të Infrastrukturës, në mënyrë që t’i hapet rruga hetimit të pavarur prokurorial.

Intervista televizive, statuse në Facebook, video promovuese e deklarata në mbrojtje të Aliut e Ramqajt qenë disa prej metodave që Lëvizja Vetëvendosje zgjodhi për t’iu kundërvyer publikimit të Nacionales.

Gjatë tërë vikendit të kaluar, zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka u mundua të mbronte me “mish e me shpirt” Aliu, duke u shërbyer madje edhe me “fake neës”.

Por, diskutimet për aferën “Jaranat e Liburnit”, vazhdojnë ende, teksa LVV ka gjetur një tjetër metodë në qasjen mbrojtëse ndaj Liburn Aliut e Florent Ramqajt.

Aktivistë të VV-së kanë filluar të kërkojnë dorëheqjen e zëvendësministrit Hysen Durmishi, duke tentuar ta pastrojnë figurën e dyshes Aliu e Ramqaj.

Kjo qasje e re në planin për të ‘shpëtuar’ Aliun e Ramqaj, filloi që në mëngjesin e 7 qershorit.

Blend Zymi, përkrahës i zjarrtë i Lëvizjes Vetëvendosje, ishte ndër të parët që targetuan Durmishin.

Ai në Facebook shkroi se Liburn Aliu s’ka nevojë të fal askënd që nuk di, duke i kërkuar të parit të Infrastrukturës që ta shkakroj zëvendësin e tij.

Ai shkroi se shumë aktivistë me mund e me shumë sakrifica kanë bërë që të vijë një pushtet i drejt, por që një gjë e tillë nuk po ndodh.

“Secili qytetar e di që pushtetarët në të kaluarën i kanë bo ligjet sipas matematikave tyne, shumë ligje duhet mu ndrru e shumë me ardh t’reja krejt ne rregull po nuk muj i qes hi syve t’mi tu e pa, ngu live Hysen Durmishin e mem kallzu qysh ja ka jep tenderin dostit t’vet se ai ma i përgjegjshëm!”, shkroi Zymi në Facebook.

Në fund, i njëjti i kërkoi kryeministrit Albin Kurti që ta shkarkojë Hysen Durmishin, dyshin e ministrisë së Infrastrukturës.

Por, kundër kësaj qasjeje ka dalë një përkrahës i moçëm i VV-së. Mentor Llugaliu, që njihet si ndër mbështetësit e mëdhenj të partisë në pushtet, në një postim në Facebook ka shkruar se ministri Aliu e ka bërë punën me nder me thënë.

Tutje, ai ka thënë se disa aktivistë po mundohen që të gjithë fajin t’ia veshin Durmishit, në mënyrë që të shpëtohet ministri Aliu.

Ndryshe, në media është raportuar edhe për një plasaritje ndërmjet Aliut e Durmishit, të cilat raportime i kanë mohuar në deklarimet e tyre publike.

Kujtojmë që kryeministri Albin Kurti ende nuk është deklaruar për aferën “Jaranat e Liburnit”, ku dëgjohen dajallarët e Ramqajt duke kërkuar ryshfet.

Publikimi i këtij skandali, ka nisur një debat të madh në opinionin publik rreth përfshirjes së ministrit Aliu në korrupsion.

Lajme të ngjashme