<b></b> Përgjimet e Liburnit: Ky është parakushti themelor që e shtyn drejt korrupsionit një politikan

Përgjimet e Liburnit: Ky është parakushti themelor që e shtyn drejt korrupsionit një politikan

02.06.2022 11:15

 Shkruan: Jetlir Buja 

Një pjesë e pasherr e njerëzve në Kosovë ende e ka të zorshme ta imagjinojë Albin Kurtin të rrethuar me njerëz të korruptuar e me hajdutë. Unë i them kësaj pjese të njerëzve të pasherr që të mbushen me sherr, e t’i kuptojnë mirë argumentet e këtij shkrimi.

Shumica e njerëzve që e kanë rrethuar në katër-pesë vitet e fundit Albin Kurtin, janë ose hajdutë ose analfabetë. Pakica është e humbur dhe konfuze, krejt e pakënaqur dhe jokompetente. Njësoj si vetë Albini.

Skandali në Ministrinë e Infrastrukturës është skandal, sepse u zbulua ryshfeti. U dëgjua përgjimi. Ekzistojnë emrat konkretë. Lidhjet konkrete mes tyre. Ekziston edhe shuma konkrete e ryshfetit: 30 mijë euro! Tash, imagjinojeni sa e sa skandali mbetet i pazbuluar në një qeveri të mbyllur hermetikisht dhe që informacionet publike i mban si të ishin pronë private? Ju siguroj që janë shumë!

E megjithatë, njerëzit e pasherr të frymëzuar nga përrallat e moçme abrahamike, do të besojnë që një njeri i mirë do të mbetet përjetësisht i mirë, do të hajë si i mirë, do të pijë si i mirë, do të punojë si njeri i mirë, e kështu me radhë. E njësoj edhe me njeriun e keq. Pra, janë këto dikotomi të pakapërcyeshme që e shtyjnë të mos besojë që dikush që shfaqet si luftues korrupsioni të bëhet hajn i madh.

Ekzistojnë gjithnjë parakushte që e shtyjnë dikë drejt hajnisë. Nuk është “terpia” siç thoshte kryeministri i tanishëm me fjalorin e tij prej hoxhallari kur flet për korrupsionin. Parakushti themelor është mungesa e ideve dhe qëndrimeve. Nëse një aktivist politik nuk ka asnjë ide dhe asnjë qëndrim në angazhimin politik mbi të cilat formëson aktivitetin – pra me të cilat do t’i dilte kundër edhe vetë liderit të tij nëse ai do t’i ndryshonte ato – atëherë e gjithë ekzistenca brenda këtij angazhimi do të ishte e falsifikuar dhe korruptive. Nëse aktivisti është i zbrazët nga idetë e qëndrimet autentike, atëherë nuk është i përdorshëm veç prej liderit të tij, por edhe prej interesave personale.

Pra, lideri dhe interesat personale kanë qenë dy shtysat e vetme për aktivitetin politik të aktivistëve të Vetëvendosjes. Në një anë kemi pasë mungesë të çfarëdo konfrontimi mbi gjithë ato qëndrime të ndërruara nga lideri, e në tjetrën, mungesë të çfarëdo konfrontimi për gjithë ato punësime familjare që ndodhën përgjatë këtij viti.

Pikërisht korruptimi vleror paraprin ryshfetin, zhvatjen dhe veprimet tjera të hajdutëve. Vjedhja e përfaqësimit është edhe më e rëndë sesa vjedhja e disa parave. Dhe këtu kemi pasur vjedhje të vazhdueshme të përfaqësimit përmes ndërrimit të vazhdueshëm të qëndrimeve dhe në mungesë alarmante të ideve.

Unë kam besuar dhe e kam thënë se Hashim Thaçi është i korruptuar. Jo për shkak se kam pasur ndonjë provë të fortë kundër tij, por për shkak të ligjërimit të tij politik që po ashtu ndryshonte qëndrime vazhdimisht. Edhe ai me fjalë e luftonte korrupsionin, por në anën tjetër ishte maja prej ku buronte toleranca ndaj korrupsionit. Si ishte e mundur që gjithë ajo masë që qëndronte pas tij të mos e protestonte një gjë të tillë? Epo, ata s’ishin aty për kurrfarë qëndrimi, por për interesat e tyre personale. Njësoj, njerëzit e Albinit s’janë aty për kurrfarë qëndrimi – meqë çdo qëndrim është ndërruar – por për interesat e tyre personale.

Prandaj, aktivisti politik – qoftë këshilltar, ministër, deputet, president – pa asnjë qëndrim autentik politik, është vetë korrupsioni. Përveç që e dëmton demokracinë, ai e dëmton edhe buxhetin e shtetit sa të mundet e sa të ketë mundësi.

Përgjimet e fundit vijnë pas një numri të madh skandalesh tjera që po dështojnë ta skandalizojnë qytetarin: Albin Kurti i paguan veç 250 euro në muaj për një shtëpi të madhe në Taslixhe prej që erdhi në pushtet; Arben Vitia do të jetë menaxher i një laboratori privat që përfitoi nga koha kur ai ishte ministër dhe do të marrë pagë të majme edhe pse i kishte kërkuar në tri palë zgjedhje votat e qytetarëve për të qenë funksionar publik; punësimet familjare e partiake në KEK; fjalori i kësaj qeverie si copy-paste prej qeverive të mëhershme.

Ajo çka secili duhet ta kuptojë është se ekzistojnë parakushtet ideale për korrupsion. Ajo që Albini duhet ta kuptojë si kryeministër është se njerëzit rreth tij nuk kanë as ide e as qëndrime, por thjesht interesa personalë të kamufluar me dashurinë për të. Në fund të ditës, ata do ta duan më shumë dajën e hallën e tezen, sesa vetë Albinin. Bile, dashuria për Albinin do të jetë e kushtëzuar nga mos-prekja e interesave të dajës, hallës e tezes.

Kjo vlen edhe për krejt ata njerëz të opozitës të përfshirë në politikë e që po ashtu s’kanë haber se në çka besojnë e se çka i ofrojnë tregut tonë të varfër të ideve politike.

Tjera nga autori:
1