<b></b> Vota e qeverisë dhe Listës Serbe kundër veteranëve të UÇK-së revolton të gjithë: Protestë më 16 qershor

Vota e qeverisë dhe Listës Serbe kundër veteranëve të UÇK-së revolton të gjithë: Protestë më 16 qershor

14.06.2022 15:44

Votat e Listës Serbe po dalin të kenë qenë vendimtare në miratimin e Ligjit për Pagën Minimale, duke përjashtuar veteranët.

Në votimin e sotëm kanë marrë pjesë 74 deputetë, përderisa 6 deptuetë nga Grupi Multietnik kanë abstenuar. Përderisa, 68 vota të tjera kanë qenë pro.

Duke marrë parasysh se Lista Serbe ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës, që të gjithë kanë votuar pro.

Pa votat e tyre, pro këtij ndryshimi do të mbeteshin vetëm 58 deputetë, çka Ligji nuk do të kalonte, pasi nevojiten 61 vota pro, raporton gazeta Nacionale.

Për këtë çështje, ka reaguar ashpër edhe deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli, që ishte kundër këtij ligji.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, Humolli ka qenë i ashpër duke e akuzuar Vetëvendosjen për bashkëpunim me Listën Serbe.

“Komenti është që u gëzova se Lista Serbe u bë konstruktive dhe e votoi një ligj që është kundër veteranëve të luftës”, tha Humolli për Nacionalen.

Reagime ka pasur edhe nga opozita. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se kur pushtetit i duhen votat, ato i siguron te Lista Serbe.

“Kur po keni interes të miratoni ligje të cilat shkaktojnë probleme në Kosovë, po merren kollaj vesh me Listën Serbe, ndërkaq për çështjet e tjera filloni e vajtoni. Ju si pushtet po dështoni ta realizoni agjendën legjislative”, ka thënë Gashi.

Reagim të ashpër pati edhe deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.

“Skajshmërisht e turpshme deri ku ka arritur poshtërsia e pushtetit. Sot ky pushtet që ‘’refuzonte’’ bashkëpunimin me Listën Serbe, u bënë bashkë për të miratuar projektligjin që përcakton pagën minimale dhe përjashton kategorinë më të çmuar të vendit tonë, veteranët. Në fakt, tashmë asgjë nuk është befasi nga kjo Qeveri. Befasi do të ishte nëse do të qëndronin në parimet e kauzat e premtuara para se të vinin në pushtet”, ka shkruar Bytyqi.

Megjithatë, zyrtarët e Vetëvendosjes po e mohojnë se Lista Serbe ka qenë vendimtare për këtë Projektligj.

Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, ka thënë se ky Ligj do të miratohej edhe pa serbët.

“Paga Minimale: 74 deputetë kanë marrë pjesë në votim për pagën minimale, 68 vota ishin PËR. VV paraprakisht kishte siguruar kuorumin dhe votat për kalim të ligjit. Kur opozita e kanë parë që e kemi kuorumin edhe pa Listën Serbe, ata kanë qëndruar në sallë, pikërisht që t’ia japin një këso spin-i se kinse Lista Serbe ishte vendimtare. Gënjeshtër e qartë, dhe sigurisht plan i ligë, që dështoi. Edhe pa votat e Listës Serbe do të kalonte. Urime kalimin në lexim të parë të pagës së re minimale 264 euro që paraqet rritje për 55% përkatësisht 103%!”, ka shkruar Armend Muja në facebook.

Një gjë të tillë e ka thënë edhe Mimoza Kusari-Lila në një konferencë për media.

“Sot është votuar dhe në votim kanë marrë pjesë 74 deputetë. Si pozitë ka diskutuar vetëm me grupin multietnik. Nuk kemi kërkuar votë nga lista serbe. Sot qëndruan vetëm për t’i dhënë një hije të keqe një procesi për partinë që së pari guxim të jetë në sallë. Pa Listën Serbe rezultati do të ishte i njëjtë, me 62 deputetë. Të gjithë punëtorëve u është rritur në 260 euro. Projektligji është miratuar në lexim të parë”, ka thënë ajo.

Për të kundërshtuar këtë Ligj, të enjten veteranët kanë thirrur protestë mbarëpopullore për të enjten.

“Kuvendi i turpit të Kosovës, deputetët e pushtetit (me ndonjë përjashtim) së bashku me pakicat, të rrethuar me forca policore, miratuan në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së edhe nga paga minimale”, thuhet në njoftim.

“Për shkak të këtij turpi të deputetëve të Kuvendit, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, ftojnë protestë gjithëpopullore para institucioneve (Kuvend e Qeveri) më datën 16 qershor 2022 prej orës 09:30. Dalja sa më masive në protestë, nënkupton mbrojtje të institucionit më të lartë, luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kategorive të saj”, njoftojnë veteranët.

Tjera nga autori:
1