<b></b> Përparim Rama nënshkruan marrëveshjen e njëjtë të cilën e kishte nënshkruar edhe Shpend Ahmeti

Përparim Rama nënshkruan marrëveshjen e njëjtë të cilën e kishte nënshkruar edhe Shpend Ahmeti

21.05.2022 14:06

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dje ka nënshkruar “Marrëveshjen e Bashkëfinancimit” me Millennium Foundation Kosovo për rinovimin dhe përmirësimin e furnizimit me energji të ripërtërishme në Ndërtesat Shumëbanesore, të njohura për qytetarët si ‘Soliterët e Ulpianës’.

I pari i Prishtinës, nënshkrimin e këtij dokumenti e ka quajtur si lajm shumë të mirë për banorët e kësaj lagje, mirëpo si duke ka harrur se të njëjtën marrëveshje e kishte nënshkruar edhe paraardhësi i tij, Shpend Ahmeti.

Në postimin e tij në “Facebook”, i pari i Prishtinës tregon se ky projekt do të fillon së zbatuar të hënën.

“Lajm fantastik për banorët e lagjes ‘’Ulpiana’! Nënshkruam ‘Marrëveshjen e Bashkëfinancimit’ me Millennium Foundation Kosovo për rinovimin dhe përmirësimin e furnizimit me energji të ripërtërishme në Ndërtesat Shumëbanesore, të njohura për qytetarët si ‘Soliterët e Ulpianës’.  Punimet do të fillojnë të hënën!”, ka shkruar ai.

Ndërsa, në mars të vitit të kaluar, kryetari i atëhershëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte nënshkruar marrëveshjen e njëjtë me përfaqësuesin e MCC-së, Petrit Selimi, duke njoftuar se në bashkëpunim me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) do bëjë renovimin e fasadave dhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë elektrike te ‘Soliterët’ në lagjen ‘Ulpiana’.

“Ky investim do të ndihmojë dukshëm reduktimin e energjisë që duhet shpenzuar për amviseri dhe funksionalizimin e të gjitha instalimeve në këto ndërtesa, dhe me këtë edhe përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kryeqytet”, kishte shkruar Ahmeti në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, synimi i Marrëveshjes ishte promovimi dhe bashkëpunimi i dy institucioneve në implementimin e projektit për Efiçiencë Elektrike në ndërtesat kolektive si pjesë e projektit për Peisazh të Besueshëm Energjetik (Reliable Energy Landscape Project (“RELP”).

“Falënderojmë Fondacionin e Milenimumit të Kosovës (Millennium Foundation Kosovo) dhe Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation - MCC) për mbështetjen dhe bashkëfinancimin e projektit në vlerë prej € 1,758,085.55.”, kishte shkruar Ahmeti.

Kurse, përfaqësuesi i MCC-së, Petrit Selimi, në një konferencë për media me ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte deklaruar se 60% e investimit do mbulohet nga MCC, 30% nga komuna dhe 10% Ndërmarrja Banesore dhe banorët.

Më pas, përfaqësuesit e MCC kishin njoftuar për shkak të ndjeshmërisë se fasadës ishte zvarritur procesi.

Por, si duke tani të gjitha pengesat janë eliminuar dhe të hënën pritet të fillojë projekti i fasadave për  përmirësimin e efikasitetit të energjisë elektrike te ‘Soliterët’ në lagjen ‘Ulpiana’.

 

Tjera nga autori:
1