<b></b> Përplasje të ashpra për TRUST-in, Kurti i kthehet sulmeve personale dhe kërkon mendim ekspertësh

Përplasje të ashpra për TRUST-in, Kurti i kthehet sulmeve personale dhe kërkon mendim ekspertësh

23.06.2022 12:41

Propozimi për tërheqjen e parave të Trustit, e kanë kthyer fjalorin e ashpër të kryeministrit Albin Kurti. Ai është përplasur ashpër me deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiun dhe me kryetarin e kësaj partie, Memli Krasniqin.

Kurti ka konsideruar që propozimi do të rrënojë sistemin pensional të vendit dhe do të lërë pa pensione brezin e ri të Republikës së Kosovës.

Ai e ka kontestuar edhe kredibilitetin e z. Bekim Haxhiu, duke thënë se deputeti në fjalë ishte doktor shkence, por ishte doktor shkence si “fizioterapist” dhe jo si “ekonomist”.

Në anën tjetër, Haxhiu u shpreh se ishte i gatshëm që t’i jepte masazhe falas si fizioterapist kryeministrit, por kërkoi që ai të lejonte deputetët të votonin të lirë.

Të njëjtën kërkesë e pati edhe kryetari i tij i partisë, Memli Krasniqi, që me një zë më të butë kërkoi që të respektohej vendimi i qytetarëve të Kosovës.

“Hajdi po porozojmë me ba me votim të fshehtë se keni presion ose shantazh meqë kështu s'po mundeni, ju për kodin Civil e keni dëgju ndërgjegjen tuaj e jo kryeministrin Kurti, dëgjojeni edhe tash", ka thënë ai për deputetë e VV-së.” – foli z. Krasniqi nga foltorja e Kuvendit.

Kurti ishte i ashpër veçanërisht me z. Haxhiu.

“Me respektin më të madh do t’ju dëgjoj nëse e ndërmerrni nismën e projektligjin për masazh. Unë nuk e di kush të ka thënë, kush janë ekspertët që të kanë thënë... këtu nuk po flet as Bedri Hamza, as Lumir Abdixhiku, as Avdullah Hoti e as Hykmete Bajrami. Këtë çështje ta kanë lënë ty,” – u shpreh z. Kurti.

Kurti u shpreh i ashpër edhe ndaj deputetëve të tij duke thënë se qoftë edhe diskutimi po i bënte dëm ekonomisë.

“Çështja e financave shtetërore e ka një dimension profesional. Sepse vetëm duke folur bën dëm.”  - shtoi kryeministri i Kosovës që gjeti mbështetje edhe nga shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila. 

“Kjo prodhon një efekt të menjëhershëm, por pas lë shumë pasoja të tjera të cilat fare pak po trajtohen. Në fakt asnjë nga pasojat që prodhon ky proces nuk e ka gjetur hapësirën e vëmendjen e duhur,”  - theksoi deputetja e VV-së.

Më tej, kryeministri i vendit deklaroi se partitë opozitare pasi kishin (sic) vjedhur qytetarët në të kaluarën, po i shtynin ata që ta vjedhnin veten në të ardhmen.

Këtë projektligj e kanë mbështetur që të trija partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK.

Kujtojmë se shumë aktivistë të shoqërisë civile janë shprehur të habitur në lidhje me qëndrimet e të dyja palëve.

Në njërën anë, partitë opozitare që kërkojnë tërheqjen e 30% të kursimeve pensionale duke minuar TRUST-in të cilin e kishin krijuar dhe ruajtur në të kaluarën, dhe në tjetrën partinë në pushtet që kishte qenë mos-besuese ndaj të gjitha institucioneve të formuara nga ish pushtetet.

Seanca ndërkohë po vazhdon dhe artikulli do të përditësohet.

Tjera nga autori:
1