<b></b> Përsëri s'ka marrëveshje për targa, Kosova e Serbia fajësojnë njëra-tjetrën

Përsëri s'ka marrëveshje për targa, Kosova e Serbia fajësojnë njëra-tjetrën

13.05.2022 22:51

Asgjë e re nga Brukseli. Edhe e premtja e dytë e muajit maj nuk ka sjellë marrëveshje për targat mes Kosovës e Serbisë. Pala kosovare, e kryesuar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka quajtur të kotë udhëtimin për në Bruksel, teksa ka akuzuar Serbinë për sjellje të çuditshme. Ndërsa pala serbe e fajësoi atë kosovarë për dështimin e takimit.

I mërzitur për mungesën e progresit në këtë temë ishte edhe lehtësuesi nga BE, Miroslav Lajçak.

Madje ky i fundit ishte i parë që reagoi pas përfundimit të takimit, duke informuar për mos arritjen e marrëveshjes në çështjen e targave.

Megjithatë, Lajçak ka shkruar se “ka rezultate të përziera”, duke shtuar se ka pasur progres në temat tjera, përfshirë energjinë.

“Rezultate të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por u bë përparim për çështje tjera, përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ndërsa Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, pas takimit ka deklaruar se ka pasur sjellje të çuditshme të palës serbe.

“Fatkeqësisht pamë sjellje të çuditshme të palës serbe. Thotë se ka ide po s’mund ta shpalosë se ka probleme politike. Udhëtimi ka qenë krejt i kotë sepse si duket kanë ardhur në Bruksel sa për të krijuar lajmet në media se dëshirojnë të bisedojnë, por pa kurrfarë ideje, propozimi a zgjidhje”, tha Bislimi pas takimit.

Në ndihmë Bislimit i doli edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nga Amerika, Kurti u përfshi në diskutimet publike rreth dështimit të takimit të së premtes.

Ndonëse deklaroi se nuk e ka ndjekur për së afërmi procesin e fundit të bisedimeve për targa, Kurti deklaroi se pret nga Lajçak të shpjegojë arsyen e dështimit për të arritur një marrëveshje për këtë çështje.

“Unë nuk e kam ndjekur për së afërmi procesin e fundit të bisedimeve për targat, mirëpo besoj se ndërmjetësuesi Lajçak do të shpjegojë publikisht se cila palë nuk ishte konstruktive. Unë për vete nuk kam dilema, e di që kryenegociatori, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka qenë edhe konstruktiv edhe kreativ por qartazi Beogradi nuk është i interesuar që të ketë marrëveshje ndërkaq ne nuk duam asnjëherë ta vëmë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit”, tha Kurti.

“I takon lehtësuesit që të sqarojë se pse konkretisht nuk u arrit marrëveshja e cila ka qenë mjaft afër e për të cilën edhe Lajçak është angazhuar shumë”, shtoi tutje Kurti.

Në anën tjetër, pala serbe e kryesuar nga Petar Petkoviq, kryenegociator i Serbisë, e ka fajësuar palën kosovare për mos arritjen e marrëveshjes për targa.

Tutje, Petkoviq ka shpjeguar se këtë të premte ai nuk është takuar sy më sy me zëvendëskryeminsitrin Bislimi, pasi pala kosovare ka refuzuar të flas për Asociacionin e Komunave serbe dhe çështjen e të pagjeturve të luftës.

Petkoviq ka komentuar edhe aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, duke thënë se dialogu i sotëm u vështirësua nga ky hap i shtetit kosovar.

E shfrytëzova këtë moment që të protestoj fuqishëm kundër vendimit ilegal dhe unilateral të Prishtinës”, ka thënë ai para gazetarëve.

Ka muaj që Kosova e Serbia po negociojnë për të gjetur një zgjidhje teknike rreth çështjes së targave, por që deri tani nuk asnjë progres përkitazi kësaj teme.

Tjera nga autori:
1