<b></b> Përshtypjet e para për Memlin dhe Lumirin si liderë

Përshtypjet e para për Memlin dhe Lumirin si liderë

10.05.2022 11:08

Në këtë shkrim do të ndaj disa përshtypje të përgjithshme për dy liderët e partive më të mëdha opozitare. Pra, janë thjesht përshtypje – jo aq të informuara – për shkak se dy njerëzit në fjalë po fshihen nga roli që kanë marrë.  

Përtej raporteve sipërfaqësore ndërkombëtare për demokracinë në Kosovë, ekziston vetë demokracia në Kosovë. E kjo demokraci i ka edhe një grumbull veçorish, ose mangësish, të cilat nuk rroken prej llupës së monitoruesve ndërkombëtarë. Një prej më kryesoreve është fallocentrizmi, pra prirja e përgjithshme e shoqërisë për t’u kapur pas një fallusi, penisi. E përveç shoqërisë, edhe prirja e partive që të personalizohen prej atij fallusi. Pra, që të bëhen thjesht dhe vetëm parti personale të liderit që i udhëheq. Atëherë, cili është penisi i Memlit, e cili është penisi i Lumirit?

Albin Kurti erdhi në pushtet dhe ndërtoi partinë e tij politike në bazë të kësaj veçorie shoqërore. Ai ishte penisi, dhe atij i qofshin falë. Ai ishte ‘baba’ që zhvleftësonte çfarëdo idesh kur i tekej. E njësoj ishte puna edhe me Thaçin e Veselin në një anë, Haradinajn në anën tjetër, e nëse kthehemi mbrapa në kohë njësoj ishte edhe në vaktin e Rugovës me Rugovën. Partitë optimizoheshin sipas rrebeve të liderëve, përditë, përnatë. Anëtarët e tjerë të partisë, prej nënkryetarit e teposhtë, s’ishin më shumë se figurantë që i përshtateshin kurdo e kudo këtyre rrebeve.  

Ku janë Memli e Lumiri këtu?

Memli është kryetar i PDK-së, e Lumiri është kryetar i LDK-së. Pra, që të dy janë liderë subjektesh politike që mëtojnë përfaqësimin e grupeve të caktuara të shoqërisë. Dhe që të dy, kanë barrën mbi shpinë që në këtë habitat liderocentrik të tregojnë protagonizëm, e për rrjedhë, edhe të përveçohen prej të tjerëve. Pra, të tregohen liderë në stilin kosovar.

Memli

Memli Krasniqi (42) ka pasur karrierë goxha të gjatë politike, përkundër moshës së re. Ai ishte ministër në dy mandate dhe i shërbeu partisë që tashmë drejton me përkushtim të lartë si vartës i ish-liderëve. Dihet se kryetarllëku i tij është aksidental, duke qenë se drejtuesit e vërtetë të partisë – ose më mirë thënë pronarët e saj – u burgosën në Hagë. Mirëpo, fakti që është kryetar aksidental partie nuk e bën apriori më pak kryetar. Por, më pak kryetar e bën mënyra se si e ka drejtuar partinë e tij deri tash.

Kohët e fundit këtë kryetar partie mund ta gjejmë te sharja me robë e shefit të grupit të tij parlamentar, Abelard Tahirit. Përkundër që sharja e tij në Kuvendin e Kosovës u ekspozua, ai kaloi pa asnjë vërejtje nga Memli Krasniqi. Ose, e gjejmë edhe te Ardian Kastrati më herët. Ose, Hisen apo Hysen Berisha sa herë që flet. Ose Bekim Haxhiu me idenë e paelaboruar të tërheqjes së parave të Trustit. E kështu me radhë.

Pra, PDK-ja e sotme – folur gjithmonë nën kushte të mangësisë së lartpërmendur të demokracisë sonë – është si një eunuk i përçudshëm. Ka një varg gjymtyrësh që s’i binden, dhe nuk ka penis. E nuk ka as dinjitet. Kjo parti ka dështuar dhe dështon që të përfaqësojë votuesit e saj, të cilët vazhdojnë ta vuajnë damkën e njerëzve të korruptuar apo të korruptueshëm, për shkak të narrativave të partive kundërshtare. A janë përnjëmend të tillë? PDK-ja ende nuk ka prodhuar një kundër-narrativë të vetme, sado joserioze qoftë.

Edhe nëse Albini është aq i dëmshëm sa pretendon Memli, a nuk kishin faj vetë për atë rënie të palavdishme nga pushteti? Edhe nëse nuk ishin aq të korruptuar sa pretendonin kundërshtarët, a nuk kishin faj që s’dinin të mbroheshin? E nëse ishin të korruptuar, pse nuk po distancohen prej atij korrupsioni?

Sidoqoftë, ta lëmë partinë menjanë dhe të merremi ekskluzivisht me Memlin. A kishte ky kryepersonazh i këtij rrëfimi ndonjë ide të madhe përgjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve në politikë? Me shumë gjasë, po të mundte, do të më pyeste: çka quan ti ide të madhe? Unë do t’i përgjigjesha: shih pak parlamentet tjera dhe mënyrën se si shtrojnë e popullarizojnë idetë politikanët. Detyra e një politikani nuk është thjesht të jetë aty, të mbushë një vend, e t’i shërbejë liderit të tij partiak. Apo jo?

Unë nuk e mbaj mend asnjë ide apo kauzë të vetme nga Memli. Zero. As edhe një. Ai mund të ankohet e të përmendë edhe punë të caktuara që ka bërë si ministër i Bujqësisë apo i Kulturës, por asnjëra s’do të vlente për diskutim. Nëse kritikojmë vazhdimisht Albinin për ndërrim qëndrimesh, duhet domosdo ta kritikojmë Memlin për mungesë qëndrimesh.

PDK-ja është në opozitë tash e dy vjet e tre muaj, pra tash e një kohë relativisht të gjatë. Opozitarizmi i saj është i lodhtë e i çrregullt, jo për shkak se (sic.) jemi mësuar me metodat e Albinit por për shkak se kemi parë më mirë.

Siç e kam thënë në një shkrim të mëhershëm, unë nuk e kuptoj arsyen e ekzistencës së PDK-së nën këto kushte. Dhe fjalët që shohim prej eksponentëve të saj, ekspozojnë mungesën alarmuese të diskutimeve të brendshme në parti, e të cilat do të duhej të inicioheshin prej kryetarit të saj.

Lumiri

Lumir Abdixhiku e ka një të kaluar më të ndritshme. Gjatë kohës si opinionist ai ka shtruar një varg qëndrimesh të ndryshme serioze, e të cilat shpresoj se mund të gjejnë vend edhe në LDK.

Gjatë fjalimit të tij të parë në LDK, ai ka përmendur një reformim të organizimit të brendshëm. Një gjë e tillë tregonte për një mprehtësi e kthjelltësi prej liderit të ri, duke qenë se LDK-ja e Isa Mustafës kishte vuajtur po ashtu për mungesë të kundër-narrativave dhe për tepri të deklarimeve të çakërdisura nga anëtarët e saj. Ajo ra aq poshtë, sepse mesazhet i kishte të decentralizuara dhe kjo nuk shprehte radikalizëm në demokraci të brendshme por thjesht moskuptimin elementar për metodat e organizimit partiak.

E megjithatë, as Lumiri s’është që bëri shumë. S’duket që bëri shumë. Përpos regjistrimit të anëtarësisë, nuk kishte ndonjë veprim tjetër që tregon për materializimin e asaj mprehtësie fillestare të kryetarit të ri.

Megjithatë, mesazhet që vijnë nga anëtarët e kësaj partie duken paksa më të menduara. Diskutimet brendapartiake, ndoshta edhe ndodhin. Por, për shkak të fragjilitetit të pushtetit të Abdixhikut, vërehet një frikë e përgjithshme për materializimin e tyre. Dhe kësisoji, kjo po çon në një maturi të tepruar dhe në reagime shterpe që s’prodhojnë ngjarje politike në Kosovë. Ajo që LDK-ja thotë, rrallë mund të vendoset në ballinat e gazetës Nacionale sepse nuk përbën lajm. E pamundësia për t’u bërë lajm, përkundër diskutimeve eventuale brenda partisë, është edhe më shqetësuese sesa mos-diskutimi. Të shpërfillesh, është edhe më keq se sa të shahesh.

Sidoqoftë, Lumiri duket më shpresëdhënës se sa Memli. Por asnjëri, tash për tash, nuk duket të jetë i prerë për të qenë antidota e Albin Kurtit.

Tjera nga autori:
1