<b></b> Po i bëhet dëm historisë së Kosovë: Gërvalla nxit reagime pasi nuk e përmendi UÇK-në

Po i bëhet dëm historisë së Kosovë: Gërvalla nxit reagime pasi nuk e përmendi UÇK-në

13.06.2022 08:27

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, përveç huqjeve të saj në Twitter, njihet edhe për veprime të tjera që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës [UÇK]. Rrallëherë e përmend, por kur e bën, i akuzon ish-krerët e UÇK-së.

Së fundi, në përvjetorin e 23-të të çlirimit të Kosovës, Gërvalla askund nuk e përmendi kontributin që kishte dhënë UÇK-ja në luftën kundër krimeve serbe në Kosovë.

Me një status të gjatë, Gërvalla u zgjerua me falëndërime e lavde për NATO-n dhe duke u rezervuar çuditërisht në përmendjen e akronimit UÇK.

Si herave të tjera, as kësaj herë UÇK nuk zuri vend në shkrimin e saj në Facebook.

Mrekullia e para 23 vjetëve nuk mund të arrihej pa një sakrificë të jashtëzakonshme të vetë Kosovës, pa mbështetjen e të gjithë shqiptarëve anembanë botës dhe pa ndihmën e pazëvendësueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Gërvalla.

Në këtë, Gërvalla përmend rolin e NATO-s dhe KFOR-it për çlirimin e Kosovës, mirëpo nuk e përmend fare kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jetë i përjetshëm, ka shkruar ajo”, pa shprehur nderime edhe për ushtarët e UÇK-së.

Ndërkohë, Gërvalla heziton ta përmendë UÇK-në edhe në rastet kur kujton luftëtarët kryesorë të UÇK-së.

Në një status të 19 prillit, Gërvalla kujtonte datën e rënies së heroit Sali Çekaj i cili ra dëshmor më 19 prill 1999 në betejën e Koshares.

Në këtë postim, që Gërvalla e titullonte “Heroi im i Pavarësisë, Sali Çekaj”, Gërvalla heziton ta përmendë faktin që Çekaj ishte ushtar i UÇK-së.

Gërvalla kishte shkruar vetëm se Çekaj ishte “luftëtar i paepur”, por jo edhe faktin se ky luftëtar ishte nën uniformën e UÇK-së.

Sali Çekaj rrezatonte trimëri, vendosmëri, dinjitet dhe thjeshtësi. Me jetën e tij ai na tregoi të gjithëve se si mund të jetë Kosova. Sali Çekaj ishte një strateg i rrallë politik, njeri i lirisë dhe drejtësisë. Nuk u ndal asnjëherë së luftuari për lirinë e Kosovës. Fillimisht luftoi me mjete politike nga Deçani dhe më pas nga Mërgata dhe në fund edhe me pushkë në krah”, kishte shkruar ndër tjerash Gërvalla.

"Po i bëhet dëm historisë së Kosovës"

Mirëpo, ky ‘lëshim’ i Gërvallës nuk kaloi lehtë, pasi reagimet kundër saj u lëshuan nga ish-luftëtarë të UÇK-së dhe njohës të zhvillimeve politike në vend.

Analisti dhe ish-ushtari i UÇK-së, Uk Lushi, ka thënë se anashkalimi i UÇK-së bëhet vetëm nga persona që kanë çrregullime shëndetësore dhe që e urrejnë veten.

Nuk i kuptoja shqiptarët që nuk guxonin të thonin emërtimin UÇK gjatë pushtimit dhe përpjekjes për liri, por i mirëkuptoja dhe i mëshiroja. Tuteshin. Robëria e gjatë e lind mentalitetin e skllavit, i cili nga disa nuk largohet lehtë. Por sot, 23 vjet pas çlirimit, të mos guxosh apo të anashkalosh UÇK-në në çlirimin dhe lirinë e Kosovës, UÇK-në që në thelb ishte ajka patriotike e popullit shqiptar, duhet të jesh ose abnormal ose të urresh veten”, ka shkruar Lushi që ishte pjesë e batalionit Atlantiku.

Në anën tjetër, analisti dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Ilir Mirena, ka thënë se qëndrimet e Gërvallës për UÇK-në janë tashmë të njohura, duke thënë se Gërvalla ka shprehur gatishmërinë për të dërguar dosje në Hagë.

71 mijë e 700 vota ia keni dhanë vitin e kaluar Donika Gervallës. K’to qëndrime për UÇK’në kjo gjithmonë i ka pasë. Një Kosovë e ka ditë se kjo kishte shprehur gatishmërinë me dërgu dosje në Hagë kundër krerëve të UÇK’së. Por, kjo nuk i ka penguar 71 mijë e 700 shqiptarë ta votojnë atë e as Albin Kurtin që t’ia besojë diplomacinë e Kosovës një personaliteti të tillë. Keni votuar, shijojeni. Thashë t’jua kujtoj…”, ka shkruar Mirena në Facebook.

Ndërsa, njohësi i politikës, Afrim Haliti, ka thënë se prej Donika Gërvallës është e pamundur që të presim që ta përmendë UÇK-në.

Haliti ka kërkuar më shumë që të fokusohemi në pozitën publike që mban Gërvalla, pasi sipas tij, po i bëhet dëm historisë së Kosovës.

Donika Gërvalla krejt publikisht ka shprehur gatishmëri që të deponojë dosje në Gjykatën Speciale kundër udhëheqësve të UÇK-së, jopublikisht nuk e dimë nëse e ka ushtruar këtë gatishmëri, edhe pse është fare e paqartë se në çfarë kapaciteti?! Është fare e pasinqertë nga ne që të presim nga ajo që të përmendë UÇK-në në formë lavdate, apo vlerësimi pozitiv. E sinqertë nga ne do të ishtë të vëmë në dyshim dhe të kërkojmë llogari për besueshmërinë dhe kredibilitetin e saj për të mbajtur pozitën publike që ka, sepse nuk guxojmë të lejojmë që t’i bëhet kaq dëm historisë sonë”, ka shkruar ai në Facebook.

Edhe analisti nga Amerika, Petrit Zogaj, ka thënë se Gërvalla kurrë nuk do të jetë në linjë me dëshmoren Xhevë Lladrovci, pasi e urren UÇK-në.

“Dallimi i kësaj gruaje me Hajrie Spikericën është që kjo e fundit ka qenë e detyruar që UÇK-në me e quajtë ”grupi terrorist,” dhe dallimi i dytë është që Hajria nuk ka thënë asnjëherë publiksiht që do të “dërgoja dëshmi kundër tyre”. Gërvalla mundet me qenë në garë me Hajrien, por kurrë nuk do të jetë në një linjë me Xhevë Lladrovcin dhe Xhevat e tjera që kanë dhënë gjak për Kosovën, që kjo ministre e urren aq shumë”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se nuk është hera e parë që Gërvalla bëhet temë e diskutimit publik në vend për deklaratat e saj dhe kryesisht edhe për gabimet që i bën.

Tjera nga autori:
1