<b></b> Po imiton Thaçin? Edhe pas 26 ditësh Kurti nuk raporton në Kuvend për darkën joformale me Vuçiqin

Po imiton Thaçin? Edhe pas 26 ditësh Kurti nuk raporton në Kuvend për darkën joformale me Vuçiqin

30.05.2022 14:00

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është kthyer në Kosovë para tri ditësh. Por, anipse ka raportuar për procesin zgjedhor të Vetëvendosjes para vetë anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ai nuk ka raportuar para Kuvendit për një çështje dukshëm më të rëndësishme: dialogun me Serbinë.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë që drejton, Kurti informonte anëtarët mbi procesin e brendshëm zgjedhor në këtë parti.

“Procesi ka filluar në dhjetë qendra, dhe janë organizuar zgjedhje në dyzet pika. Në të gjitha këto pika janë zgjedhur edhe drejtuesit dhe delegatët...”, njoftonte kryeministri Kurti ata që në fakt po i kryenin këto punë, dhe të cilët do të duhej ta njoftonin kryeministrin për gjëra të tilla. 

Në këtë mbledhje, Kurti dukej shumë çehrengrysur, anipse fliste fjalë shumë pozitive si “Kosova u bë fanar i demokracisë” dhe “vizita në Amerikë ishte shumë e frytshme”.

Sidoqoftë, para bashkëpartiakëve Kurti nuk e foli asnjë fjalë për darkën joformale me Aleksandër Vuçiqin në Berlin që kishte ndodhur vetëm dy ditë para se ai të nisej për në SHBA.

Po ashtu, asnjëri prej anëtarëve të partisë që njihej për parullën politike “Jo Negociata, Vetëvendosje” nuk gjeti kurajon që ta pyeste Kurtin se pse ishte ulur në atë darkë joformale, dhe se çka ishte folur në të.

OPOZITA

Opozita e përbërë nga tri parti parlamentare (PDK, LDK dhe AAK) ka pasur pushtet në të kaluarën dhe i ka dhënë vendit tre kryeministra nga radhët e tyre (Thaçi, Mustafa e Haradinaj). Që të tre këta liderë, janë kritikuar në vazhdimësi për mosraportimin në Kuvend për takime joformale me liderët serbë e për mostransparencë.

Nga kush?

Kjo kritikë atyre u vinte pikërisht nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe kryetari i saj, Albin Kurti. Por, edhe nga presidentja e tanishme e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo e fundit madje thoshte se Avdullah Hoti (ish-kryeministri) po imitonte Hashim Thaçin "në transparencën për dialogun", por një gjë të tillë nuk po e thotë edhe për kryeministrin e tanishëm. 

Por, as Kurti nuk ka raportuar para institucionit më të lartë në vend, Kuvendit, si kryeministër.

Ja çka thotë Avdullah Hoti nga LDK-ja për një gjë të tillë:

“Sa kam qenë unë kryeministër, këta kërkonin që të raportoja në baza të rregullta në Kuvend para dhe pas çdo takimi në kuadër të dialogut, të cilën gjë e kam bërë me përpikëri në seancë plenare, si dhe në komisione parlamentare me dyer të mbyllura ku janë informuar deputetët e të gjitha partive për çdo detaj të dialogut. Sot, Kuvendi i Kosovës nuk di se çfarë po ndodh në dialog, me përjashtim të një informate teknike dhe të përgjithshme, të bërë nga zëvendëskryeministri muaj më parë.”

Së fundi, edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, u shpreh pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvnedit që kishte temë vizitat e Kurtit në SHBA.

“Nuk ka si të jetë ndryshe kur një kryeministër i papërgjegjshëm me javë të tëra nuk gjendet në Kosovë. Ne presim që të reflektojë dhe të vijë në Kuvend të raportojë për gjithë angazhimin e tij në politikën e jashtme e në veçanti në raport me Serbinë. Ne ende nuk kemi bërë një kërkesë për raportim të tij por presim që ai të reflektojë dhe ta përmbushë obligimin kushtetues që ka”, është shprehur z. Tahiri.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar katër rezoluta në lidhje me dialogun me Serbinë. Në dhjetorin e vitit 2018, e kishte miratuar edhe një rezolutë në të cilën obligohej kryeministri që të raportohej para dhe pas takimeve me Serbinë.

Rezoluta e parë ishte miratuar më 10 mars 2011, ose dy ditë para takimit të parë të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në dialogun teknik.

Tjera nga autori:
1