<b></b> Politico shkruan për grindjen e ashpër në Beograd mes Vuçiqit dhe Scholzit për Kosovën

Politico shkruan për grindjen e ashpër në Beograd mes Vuçiqit dhe Scholzit për Kosovën

12.06.2022 17:20

Teksti i mëposhtëm është përgatitur nga Hans von der Burchard për Politicon, vjen i përkthyer nga gazeta Nacionale.

Tensionet ishin të larta mes kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq në një konferencë shtypi të premten mbrëma kur dy liderët u mospajtuan jo vetëm për sanksionet kundër Rusisë por gjithashtu për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.

Scholzi, i cili kishte ardhur në kryeqytetin e Serbisë gjatë një turi dy-ditor vizitash në Ballkanin Perëndimor, në Greqi e Bullgari, i tha audiencës që Serbia, si kandidat për anëtar të BE-së, duhet të vendoste sanksione që blloku kishte vënë ndaj Rusisë pas luftës ndaj Ukrainës – diçka që shteti ballkanik ka refuzuar deri tash.

“Është pritja jonë... që këto sanksione do të mbështetet nga të gjithë ata që e shohin veten si kandidatë për të hyrë në BE,” – iu tha Scholzi, gazetarëve.

Më vonë gjatë konferencës, ai shtoi se Serbia duhej të merrte vendimin për sanksione sa më parë që të ishte e mundur, duke argmentuar që “kjo është diçka që duhej bërë jo kur të kryhej lufta, por kur ende ka rëndësi.”

Vuçiqi në anën tjetër kundërsulmoi duke bërë krahasimin kontrovers me invazionin rus në Ukrainë dhe misionin ushtarak të NATO-s ndaj Serbisë më 1999.

“Cili është dallimi kur dikush e sulmon Serbinë pa një vendi mnga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ose kur dikush ndërmerr agresion ndaj Ukrainës pa vendim nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së? Ju lutem ma shpjegoni dallimin,” – u shpreh ai.

Kjo ishte një deklaratë e pabesueshme nga presidenti i Serbisë. Edhe pse NATO e sulmoi Serbinë më 1999 pa një rezolutë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së – Rusia dhe Kina kishin vendosur vetot e tyre- e bëri në mënyrë që të mbronte shqiptarët e Kosovës nga frika për një gjenocid të mundshëm, që përbën dallim të madh nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Vuçiqi po ashtu u përpoq të justifikonte ngurrimin e vendit të tij për t’i vënë sanksione Rusisë duke iu referuar besnikërisë së Moskës ndaj Serbisë në Këshillin e Sigurimit dhe marrëdhënieve të ngushta shekullore mes dy vendeve, e po ashtu edhe varësisë së Beogradit ndaj importeve të energjisë ruse.

“Pozicioni i Serbisë është shumë i ndërlikuar,” – u shpreh ai.

E megjithatë, ndërsa dallimet mes Scholzit dhe Vuçiqit sa i përket sanksioneve ruse kanë qenë disi të parashikueshme, një tjetër çështje bëri që debati mes tyre të bëhej edhe më i nxehtë.

Më herët gjatë të premtes, Scholzi ishte në vizitë në Prishtinë dhe u shpreh se edhe Kosova e edhe Serbia do të bëheshin anëtare të BE-së nëse do ta njihnin njëra-tjetrën si shtete të pavarura – një kërkesë kjo kontroverse për Serbinë, që pretendon se ka sovranitet mbi Kosovën.

I pyetur mbi këto deklarata të Scholzit, Vuçiq u shpreh i tërbuar ndaj kancelarit gjerman.

“Pra, mund ta kuptoni që: Ne nuk i përgjigjemi presionit në atë formë, kur dikush na kërcënon dhe më pas ju bëni diçka,”  - u shpreh presidenti serb. “Ajo që u shpreh për njohjen reciproke është po ashtu befasuese për ne. Deri tash nuk e kemi dëgjuar një gjë të tillë nga dikush në Evropë.”

Scholzi u përgjigj që “pikëpamja jonë për Kosovën nuk është diçka e re,” dhe argumentoi që ishte “e qartë” se shtetet nëse donin t’i bashkoheshin BE-së duhej ta njihnin njëra-tjetrën.

Kjo grindje e nxehtë mes dy liderëve ishte e pabesueshme marrë parasysh që Scholzi konsiderohet si aleat për shtetet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjen e tyre për t’u bërë anëtare të BE-së. Të tjera vende të BE-së si Franca kanë qenë më ngurruese sa i përket garantimit të perspektivës anëtarësuese për këto shtete.

Pasi duket se e kuptoi një gjë të tillë, Vuçiqi u përpoq të gjente fjalë paksa më miqësore. “Ne kemi besim të plotë në fjalët e Kancelarit Scholz kur vjen në pyetje fakti që ai e vendos shumë lart mes prioritetesh anëtarësimin e Shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.”

“E di se Kancelari Scholz është shumë serioz për një gjë të tillë. Mund të mësojmë diçka nga kjo dhe atmosfera mund të përmirësohet,” shtoi Vuçiq.

Tjera nga autori:
1