<b></b> Politika me pauza: Kurti në Amerikë, liderët opozitarë i japin vetes pushim

Politika me pauza: Kurti në Amerikë, liderët opozitarë i japin vetes pushim

16.05.2022 22:07

Që dhjetë ditë, kryeministri Albin Kurti po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai ka takuar një mori biznese të famshme amerikane, pak politikanë të rangut jo të lartë e shumë shqiptarë që jetojnë në Amerikë. Megjtihatë, Kurti nuk ngurroi të lëvdohet në lidhje me vizitën e tij në ‘tokën e premtuar’.

Gjatë një ligjëratë në Katëdrën e Albanologjisë në Universitetin DePaul të Çikagos, i pari i ekzekutivit kosovar tha se vizita e tij në SHBA është më e gjata se e cilitdo kryeministër tjetër të Kosovës.

Një javë më parë fillova këtë vizitë të planifikuar prej kohësh në Shtetet e Bashkuara. U ndala në Uashington DC për një takim me Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe vazhdova drejt perëndimit për në Kaliforni, dhe tani po kthehemi përsëri, në një imitim të ndonjë udhëtimi të madh rrugor amerikan. Deri më tani kemi qenë në San Francisko, Dallas, Des Moines dhe do të kemi disa vizita të tjera në Detroit, Uashington, Boston dhe Nju Jork, duke e bërë këtë vizitën më të gjatë që një kryeministër i Kosovës ka bërë ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara”, tha tutje Kurti.

Por, dy liderët e partive më të mëdha opozitare kryesisht janë të heshtur rreth vizitës së Kurtit në SHBA. Është fjala për Memli Krasniqin, kryetar i PDK-së, dhe Lumir Abdixhikun, liderin e LDK-së, dy partive që janë në opozitë në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike nuk e ka asnjë postim në faqen e tij në Facebook në lidhje me vizitën dhe takimet e jo aq të rëndësishme në aspektin politik të kryeministrit Kurti.

Krasniqi që nga 6 maji, data që shënon ‘fluturim’ e Kurtit për në SHBA, ka ndarë me ndjekësit e tij 12 postime. Por, asnjëri nga këto postime nuk iu kushtua çështjes së vizitës së Kurtit, të cilën partia e tij e kritikoi herë pas herë nëpërmjet nënkryetares së saj, Vlora Çitaku.

I pari i PDK-së, shumicën e kohës që Kurti është në udhëtim në Amerikë, e kaloi duke përkujtuar data e personalitete të shquar në historinë e shqiptarëve e të Kosovës. Krasniqi ndau shkrime përkujtuese për heroin e shqiptarëve, Gjergj Kastriotin, heroin e Kosovës, Luan Haradinaj, e Ukshin Hoti.

Gjithashtu, ai tregoi se ka takuar edhe të Dërguarin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Ndërsa vikendin, lideri i partisë më të madhe opozitare u pa ta kalonte në Zvicër, ku PDK mbajti Kuvendin zgjedhor.

Punën disa mujore për themelimin e nëndegëve të PDK-së në Zvicër, të udhëhequr nga Komisioni për Organizimin e Partisë Demokratike në Mërgatë, e finalizuam sot në Aargau, me mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të Degës sonë në këtë shtet, ku u pritëm në mënyrë madhështore nga bashkatdhetarët tanë”, shkroi Krasniqi në Facebook në vikend.

Gjatë vikendit, jashtë Kosovës ishte edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Por, për dallim nga Krasniqi, shefi i LDK-së vikendin e kaloi larg politikë.

Abdixhiku udhëtoi drejt Italisë, për ta ndjekur nga afër ekipin e tij të zemrës, Milano, që është shumë afër fitimit të titullin të kampionit të ligës italiane pas 11 vitesh.

Këtë herë në festë! Forza Milan”, shkroi shkurt Abdixhiku mbi foton ku shihej i gëzuar me fitoren e ekipit të Milanos kundër Atalantës.

Por, edhe postimet e tjera të Abdixhikut në Facebook e tij zyrtar, nuk përbëjnë asnjë kritikë ndaj udhëtimit të gjatë të Kurtit në SHBA.

Njëjtë si Krasniqi, edhe Abdixhiku tregoi se është takuar me Manuel Sarrazin, të Dërguarin Special të Gjermanisë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, Abdixhiku veproi sikurse Krasniqi edhe në temën e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, të cilin e konsideroi hap të domosdoshëm për shtetin.

Në Zvicër, veçse para Krasniqit, qëndroi edhe Abdixhiku për t’u marrë me ristrukturimin e partisë së tij në mërgatë.

Entuziazmi i jashtëzakonshëm i njerëzve tanë këtu, ishte ristrukturimi i qartë i rikthimit tonë në diasporë. Për mua, për bashkëpunëtorët e mi, pjesëmarrja këtu ishte nder i veçantë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Megjithatë, zyrtarë të ndryshëm të LDK-së kanë kritikuar Kurtin për mungesën e takimeve në nivel të lartë në ShBA.

Ndërsa, i vetmi lider opozitar që ishte kritik publikisht ndaj Kurtit në këtë temë ishte Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Tjera nga autori:
1