<b></b> Prej A deri në ZH, çdo gjë që ndodhi dje për aferën në Ministrinë e Liburn Aliut

Prej A deri në ZH, çdo gjë që ndodhi dje për aferën në Ministrinë e Liburn Aliut

02.06.2022 09:42

Një skandal të madh e nxori në publik dje gazeta Nacionale. Nëpërmjet emisionit Ditari i Buzhalës, u publikuan përgjime të cilat dëshmojnë ryshfetin e korrupsionin në Ministrinë e Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu. Një lidhje në gjithë këtë aferë, doli se e ka edhe këshilltari i Aliut, Florent Ramqaj. Përgjimet tregonin duke bërë pazar dajtë e Ramqajt. “20 qetash, 10 mijë ma vonë”.

Është fjala për kompaninë e quajtur “Infratek”, në të cilën kishte punuar këshilltari i Liburn Aliut. Dhe, madje jo veç që kishte punuar, por edhe kishte lidhje familjare me pronarët. Ata ishin dajtë e tij.

Emri i këtij këshilltari është Florent Ramqaj. Emri i ministrit është Liburn Aliu. Emri i dajës është Halil Jahaj. Mbiemri i ministrisë është “e Infrastrukturës”. Shuma e ryshfetit? Eh, këtu ju lusim që të mbani frymën: bëhet fjalë për 30 mijë euro. Pra, bëhet fjalë për 20 mijë euro që jepen një herë, e 10 mijë të tjera më vonë.

Kompania e dajës së Vetëvendosjes – siç quhej Halili nga aktivisti i shquar i partisë së Kurtit, Pajtim Demaj – kishte për detyrë që të shkruante raportin për punët e kryera nga kompanitë e caktuara. Dhe, në vend se të kryente punën siç e parashikonte ligji, përfaqësuesi i kompanisë dëgjohet duke keqpërdorur detyrën zyrtare, pra pushtetin, për të marrë përfitime financiare.

Në muajt e fundit pas ardhjes në pushtet, mediet raportuan për shtëpinë e Liburn Aliut në Lagjen Marigona, dhe e cila nuk përkonte me imazhet e politikanit që avokonte për varfërinë dhe për mjerimin.

Por, emri i Liburn Aliut përmendet edhe në këto përgjime. “E ka jaran Liburnin”, thotë në një sekuencë përfaqësuesi i Infratek-ut duke e mbështetur kërkesën për ryshfet – e cila në një moment shndërrohet edhe në kërcënim – ndaj viktimës.

 SHUMË REAGIME 

Vetë Ramqaj, e mohoi se ka ndonjë lidhje me këtë aferë, por nuk ofroi ndonjë fakt. Tha se do të bëjë padi, por sërish pa treguar për çka. Ai madje, i fshiu të gjitha komentet ku qytetarët e kishin quajtur “hajn”, duke i lënë vetëm komentet pozitive. E i përgjuari, Idriz Shala, e mbylli Facebook-un.

Në mbrojtje Ramqajt i doli zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu. “Po mundohen ta krijojnë një Pronto 2”, tha ai. E së fundmi, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, doli me një analizë psikologjike.

“Shpeshherë montazha përdoret për të manipuluar të vërtetën, por kur montazhës i duhet edhe një interpretim atëherë nuk do koment ajo punë. Pra, kinse afera nuk po i fliste dhe duhej gjithsesi një psikanalizë deklaratash, se filani kur tha kështu në fakt po mendonte ashtu. Kjo nuk është gazetari, por psikologji. E në psikologji ka emër sëmundja pikërisht për këta që kanë një realitet veç për veten, që veç vetë e përjetojnë”, ka shkruar Manxhuka.

E nëpër këto postime, nuk kanë munguar pëlqimet nga ministra, deputetë e zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, që publikisht i kanë dalë në mbrojtje këshilltarit të Liburn Aliut, i përfshirë në këtë aferë korruptive.

Betim Gjoshi nga Partia Demokratike e Kosovës, e vlerësoi shqetësues faktin që kryeministri Kurti nuk po flet rreth kësaj afere. “Merreni me mend, dy super-afera korruptive dhe Albin Kurti, miku i sekserit Martin Berishaj, po hesht”, ka shkruar Gjoshi në Facebook.

Zëdhënësi i AAK-së në anën tjetër, përmendi shefin e tij, Haradinajn, duke thënë se kur ky i fundit fliste për tenderët njëburimorë brenda kësaj ministrie, e majta ekstreme i kundërvihej.

"Pas skandalit 120 milionësh të ambasadorit Berishaj, gazetaria hulumtuese filloi të zbardhë korrupsionin astronomik në Ministrinë e Liburnit dhe ati Durmishit. Kur kryetari Haradinaj, para rreth 1 viti, filloi të shpjegonte për tenderët njëburimorë të kësaj ministrie, e majta ekstreme i kundërvihej me demagogji, ashtu siç e kanë zanat", ka shkruar Blaka.

Nëpërmjet një videoje reagoi edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj. “Një përgjim, i cili e konfirmon korrupsionin, ryshfet, keqpërdorim, saktësisht në Ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu. Ky konfirmim është ajo të cilën më kohë e kemi thënë, pikërisht se kemi qenë të bindur”, tha Molliqaj.

 Reagimet ishin të shumta edhe nga analistët 

Për analistin Visar Ymeri, ajo që ngjau sot nuk ka dilemë se është formë e korrupsionit.

“Për mendimin tim këtu nuk ka dilemë nëse kjo është një formë e korrupsionit. Por duhemi me pasë parasysh që këtu diskutimi është në mes të punëkryersit dhe në mes të kompanisë që do të duhej të ishte kompani mbikqyrëse e punëve, e cila pretendon që ka lidhje me ministri, dhe nëse ne themi po, ata thonë po, qikjo është pjesa e parë që duhet me u hetu”, tha Ymeri në Debat Plus.

Një nga reagimet e para rreth kësaj çështjeje erdhi nga avokati kosovar Xhevdet Smakiqi.

Smakiqi, përmes një komenti tha se duke u bazuar në të dhënat e publikuara në incizimin e Nacionales, Prokuroria qysh nesër duhet të fillojë me hetime.

“Shkelja e dispozitave të mbikqyrjes sipas ligjit të ndërtimit nga organi mbikqyrës përbën vepër penale dhe çdo aksident me pasoja materiale e fatale duhet të adresohet si përgjegjësi deri te personi fizik përgjegjës, mbikqyrësi i punimeve, pranimit teknik dhe personit juridik OE-së/Punëkryesit. Prokuroria ‘ex officio’ obligohet të nisë hetimet nesër në mëngjes”, shkroi ai.

Reagoi edhe analisti Petrit Zogaj. “LV tashme ka qeverise mjaftueshem kohe qe me i dale skandalet e para te korrupsionit. Grupet e interesit brenda qeverise fillojne me e sulmu njeri-tjetrin. Skenar i pare para shume viteve”, ka shkruar ai.

Nuk kanë munguar as ironitë. Parim Olluri ka folur edhe për krahasimin “me vajin në tepsi”. “Martin Berishaj per Liburn Aliun: That’s my boy”, ka shkruar Olluri.

 Mëditjet e nipit 

Gazeta Nacionale ka raportuar gjithashtu se këshilltari i Liburn Aliut, Florent Ramqaj, ka marrë mëditje më shumë se dy zëvendësministrat e Ministrisë së Infrastrukturës. Ramqaj dikur protestonte për çmimet e shtrenjta të biletave, sa ishte pjesë e SKV-së, organizatës studentore të Vetëvendosjes.

Vetë Ramqaj, para se të bëhej këshilltar, kishte punuar në kompaninë e cila është e përfshirë në këtë skandal korrupsioni.

 Kush është daja? 

Në episodin e tretë të Ditarit të Buzhalës është skandalizuar opinioni me anë të përgjimeve që dëshmojnë korrupsionin në Ministrinë e Infrastrukturës. Por, kryepersonazh i këtij skandali është shefi i punëtorit të përgjuar, që ka emrin Halil Jahaj. Kush është Jahaj?

Vite më parë, Jahaj është quajtur “Daja i Vetëvendosjes” nga aktivisti i shquar i Vetëvendosjes, Pajtim Demaj. Se çka nënkuptohej specifikisht me një epitet të tillë, është e vështirë të kuptohet, por megjithatë mund ta marrim si një cilësor honorifik.

Në fotografinë e publikuar nga Demaj, “daja” shihet teksa pushon pas një loje basketbolli, gjatë fushatës së Vetëvendosjes për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Se “daja” është i afërt me VV-në, tregon edhe një fakt tjetër. Jahaj ka qenë financues i Vetëvendosjes, aktivistët e së cilës e nderuan me titullin e nderit “daja”.

Siç është shpjeguar në video “Afera: Jaranat e Liburnit”, kompania e dajës kishte për detyrë që të shkruante raportin për punët e kryera nga kompanitë e caktuara. Dhe, në vend se të kryente punën siç e parashikonte ligji, përfaqësuesi i kompanisë dëgjohet duke keqpërdorur detyrën zyrtare, pra pushtetin, për të marrë përfitime financiare.

Tjera nga autori:
1