<b>Profesorët e Kuvendit – </b> ndryshimi i ligjit që i bëri bashkë pozitën e opozitën

Profesorët e Kuvendit – ndryshimi i ligjit që i bëri bashkë pozitën e opozitën

30.04.2022 16:18

Nëse deputetit të Vetëvendosjes, Fitim Uka, do t’i kërkohej gjithsesi të zgjedhte mes pozitës së profesorit në Universitetin e Prishtinës dhe pozitës së deputetit, ai do ta përzgjedhte të parën. Megjithatë, para kësaj sfide nuk do të dalë Uka. Kjo pasi Ligji për Zyrtarët Publikë që ua pamundësonte deputetëve të mbanin funksione tjera publike u ndryshua. Por, jo për të gjithë. Dy vende të punës do të mund t’i mbajnë vetëm deputetët që janë edhe profesorë. Gazeta Nacionale sjell detaje.

Janë njëmbëdhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës, që gjithashtu ushtrojnë funksionin e profesorit në Universitetin e Prishtinës. Ata vijnë nga të gjitha partitë parlamentare.

Ligji për Zyrtarët Publikë, nuk e lejonte ushtrimin e funksionit të të zgjedhurit të popullit, si dhe ushtrimin e ndonjë funksioni tjetër publik. Duke përfshirë edhe detyrën e profesorit. Megjithatë, ky ligj zgjati vetëm deri më 7 prill.

Ashtu siç nuk ishin parë më herët bashkë, pozita e opozita u unifikuan duke votuar ndryshimin e këtij ligji. Në pjesën ku ndalohej ushtrimi i funksioneve tjera publike, u shtua një paragraf i veçantë me të cilin u lejua që profesorët e Kuvendit përveç si deputetë, ta kenë të drejtën edhe të japin mësim.

Ligji i vjetër, përmbante shkronjat identike deri tek fjala “ekuivalente”, pasiqë aty vendoset një pikë, për të vazhduar më pas kështu: “Përjashtimisht, ky paragraf nuk zbatohet ndaj personelit akademik në universitet në pozitën e profesorit të rregullt, profesorit të asociuar, profesor asistent dhe asistent universiteti”.

KUSH JANË?

Votën pro këtij ndryshimi e dhanë me arsyetimin se proceset mësimore nëpër Universitete janë bllokuar, si pasojë e mungesës së kuadrove.

Deputetët: Enver Hoxhaj (PDK), Ardian Kastrati (PDK), Ardian Gola (LVV), Fitim Uka (LVV), Kujtim Shala (LDK), Avduallah Hoti (LDK), Hikmete Bajrami (LDK), Eliza Hoxha (PDK), Ferat Shala (PDK), Shemsedin Dreshaj (AAK), Albena Reshitaj (AAK), janë të zgjedhurit e popullit, që përfituan nga ky ndryshim i ligjit.

Gazeta Nacionale ka kotaktuar disa nga këta deputetë-profesorë, të cilët sqaruan arsyet e votimit të këtij ndryshimi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, sociologu Ardian Gola përgjigjen e tij e nisi me disa sqarime se si e sheh ai politikën.

“Unë jam kundër profesionalizimit të politikës, pra të zhvillohet politika si profesion, anipse me raste edhe kjo është e mundshme aq sa edhe legjitime, por më shumë jam pro forcimit të urave të komunikimit ndërmjet botës së politikës dhe botës së profesioneve të ndryshme, përfshirë këtu, sigurisht, edhe akademinë.  Ne duhet shikuar formulat dhe përvojat më të mira në demokracitë e zhvilluara që e mundësojnë një përfshirje sa më të gjerë të profesionistëve të fushave të ndryshme në politikën përfaqësuese dhe t’i përshtatim në vendin tonë”, tha Gola për Nacionalen.

Tutje deputeti Gola, shtjelloi mendimin e tij, rreth asaj se pse sipas tij, njerëzit profesionist duhet të merren me politikë, dhe jo ata që jetojnë prej politikës, mirëpo pa na treguar se a do ta rregullojnë ligjin edhe për profesionistët e tjerë.

“Për më tepër, ne jemi shoqëri e vogël. Rrjedhimisht edhe mund të jemi më të kufizuar në kuptim të resurseve. E meqë politika është edhe përfaqësim, unë jam ithtar që përfaqësimin ta kemi profesionalisht sa më të pasur. Në analogji me shqetësimin që ngrit profesori i njohur i shkencës politike se ‘politika zakonisht i largon njerëzit e ndjeshëm e të ndershëm dhe i ofron ata që s’kanë ndjenja dhe asnjë skrupull’, unë nuk do doja një politikë që i tërheq drejt vetes njerëz joprofesionistë që jetojnë nga politika, por njerëz profesionistë që jetojnë për politikën”, deklaroi deputeti-profesor i Vetëvendosjes.

“Të kuptohemi, madje edhe sociologu i njohur Max Ëeber nuk shihte ndonjë problem me profesionistët e politikës. Por unë konsideroj që për kontekstin e shoqërisë sonë politika do të ishte më cilësore nëse ajo dominohet nga profesionistët. Profesionalizmi dhe stabiliteti financiar që vjen bashkë me të garanton veprimtari politike më parimore, të dinjitetshme dhe jokonformiste”, përfundoi Ardian Gola.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e që është edhe profesor në Fakultetin e Inxhinieriesë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, e vlerësoi se kjo ndalesë ka qenë diskriminuese.

Kjo nismë për ndryshimin e ligjit ka ardhë nga Lëvizja Vetëvendosje, por një iniciativë të tillë të deputetëve profesor e kemi pasë edhe më herët. Sepse ky nen ka qenë diskriminues sa i përket profesorëve universitar. Perderisa nivelet e tjera, si kryeministri, presidentja, ministrat, prokurorët e shumë të tjerë, iu është lejuar që të mbajnë mësim, ndërsa u ndalohet vetëm deputetëve profesor. Kemi konsideru që po na bëhet shkelje. Kemi pasë një kërkesë me shkrim tek Avokati i Popullit, por nuk na është kthyer asgjë, fatkeqsisht”, u shpreh Shala për Nacionalen.

E në pyetjen se a është diskriminues fakti që ligji u ndryshua vetëm për profesorët, Shala u përgjigj:Kërkesa e grupit të mazhorancës ka qenë kështu dhe e kemi votu. Kemi vullnet dhe gatishmëri me i përmirësu të gjitha lëshimet që kanë mundru të ndodhin, e që shkelin të drejtat e njeriut apo të drejta të tjera”, përfundoi Shala.

Për deputetin e AAK-së, Shemsedin Dreshaj nuk ka asgjë të keqe që ligji u ndryshua.

 “Po e kemi ndryshu, çka ka të keqe këtu, unë jam profesor dhe mirë që e kemi votu këtë ligj”, tha fillimisht Dreshaj për Nacionalen.

Do ta ndryshojmë ligjin përsëri, do ta votojmë, do ta rregullojmë, kemi me bë diçka për këtë temë”, tha shkurtimisht Dreshaj.

Ligji për Zyrtarët Publikë që ia pamundëson deputetëve të punojnë edhe si profesorë, ishte në fuqi tash e sa vjet. Mirëpo, kjo nisi të zbatohet pas një opinioni të MPB-së.

“Në rast se nënpunësi i shërbimit publik zgjedhet Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë rastin e tij Ligji Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik në nenin 22, paragrafi 6 e ka përcaktuar kësisoji: “Në rastin e zgjedhjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, zyrtari publik, i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit deri në përfundim të mandatit përkatës, në pozitë ekuivalente”, thuhej në opinion ligjor.

Tjera nga autori:
1