<b></b> Protesta e sotme: Veteranët s'premtojnë se s'do të dalin nga kontrolli, akuzojnë Qeverinë

Protesta e sotme: Veteranët s'premtojnë se s'do të dalin nga kontrolli, akuzojnë Qeverinë

15.06.2022 17:00

Pavarësisht se revolta është e madhe, Organizatat që kanë dalur nga lufta po kërkojnë një protestë të qetë. Veteranët kanë thirrur protestë gjithëpopullore për nesër me fillim nga ora 9:30, në kundërshtim të Ligjit për Pagën Minimale, i cili u miratua në Kuvend duke i përjashtuar veteranët.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka bërë të ditur për gazetën Nacionale se sot e kanë pasur një takim me përfaqësues të Policisë së Kosovës.

“Kemi pasur një takim me Policinë, temë ka qenë veç mbarëvajtja e protestës. E kemi bërë një takim me institucionin qashtu qysh e do rendi”, u shpreh Jashari.

“Te shohim më vonë kemi takimet me strukturat tona. Do të shprehim pakënaqësi, do të bëjmë protestë të qetë, kemi bërë thirrje për protestë të qetë, edhe pse revolta është e madhe pasi është prekur në institucionin e UÇK-së”.

Xhavit Jashari tha se po bëjnë thirrje që protesta të jetë e qetë. Megjithatë, ai u shpreh se revolta tek veteranët është tejet e madhe.

“Unë mendoj që nuk duhet të ketë tensione, sepse Policia e Kosovës është e jona, objektet janë tonat, mirëpo pakënaqësia është brenda institucioneve. Pra, në Parlament që dje bonën një gabim të madh, me Listën Serbe votuan kundër luftës së UÇK-së, prekën në luftën e UÇK-së. I përjashtuan veteranët në këto ditë kur çdo komunë shënon ditën e clirimit. Megjithatë kemi bërë thirrje për protestë të qetë”, deklaroi Jashari.

I pyetur nëse do t’i pengojnë deputetët të hyjnë në Kuvend, Jashari nuk dha një përgjigje konkrete.

“Ata që prekun në institucionin e luftës së UÇK-së, besoj që ata nuk duhet të futen vetë në Parlament, sepse e kanë keqpërdorur ata që kanë votuar, me Listën Serbe kanë shkelur në institucionin e lartë, luftën e UÇK-së”, deklaroi Xhavit Jashari.

Ky i fundit u shpreh se për çfarëdo zhvillmi, përgjegjësinë e ka qeveria dhe kryeministri Albin Kurti.

“Përgjegjësia bie mbi ata që e kanë shkaktuar këtë gjendje. Unë lutem të mos ndodhë diçka. Në fund qeveria dhe kryeministri i Kosovë është ai që i ka shkaktuar këto probleme për me ardhë gjendja deri këtu. Në vend që t’i respektojë e të jetë përkrahë veteranëve. Ai duhet të deklarojë e me tregu para opinionit se ku e ka problemin me luftën e UÇK-së dhe me këto kategori”, përfundoi Xhavit Jashari për gazetën Nacionale.

Deri te protestë ka ardhur pasi dje Kuvendi i Kosovës me 68 vota për, përfshirë Listën Serbe, votoi për ndryshimin e Ligjit për Pagën Minimale, por duke përjashtuar veteranët.

Thirrje për protestë të qetë

Sot gjatë gjithë ditës, nuk kanë munguar thirrjet që protesta e veteranëve të jetë e qetë. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, nëpërmjet një komunikate kërkuan nga veteranët, ruajtjen e qetësisë.

“Sido që të jetë, KMDLNj –ë konsideron se protesta e paralajmëruar e veteranëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është plotësisht e drejtë dhe paraqet përpjekje për mbrojtje të drejtave të njeriut të kësaj kategorie që kohëve të fundit përveç shpërfilljes institucionale, nga përfaqësuesit e institucioneve që duhet t’i mbrojnë, në mënyrën më brutale dhe më të panjerëzishme po fyhen, po stigmatizohen duke anashkaluar dhe mohuar kontributin e tyre të pamohueshëm për liri dhe çlirim të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Pjesëmarrës në këtë protestë pritet të jetë edhe AAK-ja, Lëvizja për Bashkim e Partia Socialdemokrate. LB-ja nëpërmjet një komunikate, e kanë vlerësuar këtë protestë si të drejtë.

Daut Haradinaj nga AAK-ja, ka kërkuar mbështetje masive për këtë protestë.

“E drejta e veteranit për të protestuar është e drejtë për të cilën kemi luftuar e mbi të cilën e kemi ndërtuar shtetin.  Ftoj veteranët që nesër të mobilizuar të protestojnë për dinjitetin e mohuar. Protesta le të jetë e qytetëruar. Ftoj mazhorancën parlamentare që të reflektojë dhe t’ja kthejë veteranit dinjitetin. Ushtari i UÇK-së nuk e meriton një trajtim të tillë nga shteti sepse UÇK dhe populli janë një”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

“LB, e bindur në drejtësinë e kësaj çështjeje, të ngritur nga OVL e UÇK-së, ka vendosur që ta mbështesë protestën dhe do të marrë pjesë aktive në të. LB është e bindur se këndvështrimi i mbrapshtë që kinse kategoritë e dala nga lufta qenkan barrë për shoqërinë, është antinjerëzor dhe antikombëtar”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes për Bashkim.

E dje, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestë.

“Veteranët janë pengesë, sindikatat përjashtohen prej vendimmarrjes, këtu qenka konflikti. Me kompanitë shumë milionëshe e bankat mirë, o Zot, paskemi harmoni.        Për pagën minimale, pas përpjekjeve për kontroll, i shpërfillën sindikatat. Për pensionin e veteranëve, nënçmuan shoqatat e përjashtuan veteranët. Qeveria tha se ka veteranë të rrejshëm, por nën këtë supozim (të vërtetë mbase) përjashtoi gjithë veteranët luftëtarë që janë shumicë në atë listë”, tha Molliqaj.

Në protestën e parë të organizuar nga veteranët, kishin marrë pjesë edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në seancën e djeshme ku u votua ndryshimi i Ligjit për Pagën Minimale, nuk mori pjesë PDK-ja, kurse LDK-ja e AAK-ja nuk morën pjesë në votim.

 

Tjera nga autori:
1