Pse Amerika po tregohet kaq mosmirënjohëse ndaj Albin Kurtit? - NACIONALE

Pse Amerika po tregohet kaq mosmirënjohëse ndaj Albin Kurtit?

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

“Kur të na thotë Amerika kërceni, ne nuk pyesim pse por pyesim sa!” – tha kryeministri Albin Kurti pak ditë para se të nisej në udhëtimin e tij të shumëpritur matanë oqeanit. Ai sot mbush një javë në shëtitje poshtë e përpjetë në Amerikë, e Amerika vazhdon të mos i tregojë se sa të kërcejë.

Është e habitshme se si ShBA-ja nuk po ia del ta kuptojë mirëfilli kryeministrin e ri të Kosovës dhe rolin e pashoq të tij në stabilitetin e rajonit, por jo vetëm. Mos të harrojmë, po flasim për një ShBA që ka një administratë të re, dhe e cila në krye nuk e ka më një president si Donald Trump por një të tillë si Joe Biden. Mirëpo, për çfarë moskuptimi po flasim?

Pas uljes në karrigen e kryeministrit për herë të dytë, në shkurtin e 2021-s, Albin Kurti e ka shfaqur një zemërgjerësi të paparë ndaj politikës amerikane. Ai nuk ngurroi që të bënte një numër të madh kompromisesh të dhimbshme që rrezikonin komprometimin e tij brenda forumeve të partisë që drejton. Çka nëse do të kishte përnjëmend demokraci brenda kësaj partie?

Së pari, le të përmendim mbështetjen e hapur e publike që Albini e bëri në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020 për Joe Bidenin. Kjo përfshirje në një garë aq të ashpër e të polarizuar në Amerikë e vuri menjëhershëm Kurtin në një pozitë të pavolitshme para elektoratit të tij, marrë parsysh që fitorja e Bidenit nuk ishte e as nuk dukej e sigurt. Për fat të mirë, Bideni fitoi dhe u bë president.

Së dyti, Kurti nuk hezitoi të shkelte me të dyja këmbët premtimin e tij të madh në raportet e reja të Kosovës me Serbinë: Reciprocitetin. Edhe pse e kishte paralajmëruar për dhjetë vjet, edhe pse e premtoi vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 14 shkurtit, edhe pse e prishi qeverinë me LDK-në një vit më parë për atë çështje, ai uli kryet dhe lëshoi rrugë. E gjithë kjo u bë që ta kënaqte administratën e re amerikane. Nëse më herët i kishte vënë kushte Serbisë (kërkimfaljen, dëmshpërmblimet) për t’u ulur në negociata, tashmë ai plotësoi kushtin e Serbisë që po bllokonte rinisjen e negociatave (mos-vendosjen e reciprocitetit). Më meritori që këto negociata kanë vazhduar është pikërisht kryeministri i Kosovës që për një gjë të tillë pranoi të ecte në fushën e minuar të partisë së tij, e cila në ndonjë rast tjetër edhe mund të shpërqendrohej nga privilegjet e pushtetit për ta parë shkërmoqjen e qëndrimit. Çka nëse ndonjë aktivisti – larg qoftë – i kujtohet se pikërisht për shkak të kërkesës së administratës Trump për mosvendosje të Reciprocitetit ishte prishur nga Kurti Qeveria Kurti I?

Së treti, Kurti në fundin e 2020-s ishte shprehur në mënyrë të qartë se nuk do ta respektonte Marrëveshjen e 4 shtatorit të arritur në Washington. Megjithatë, për hir të Amerikës vendosi që t’i hante edhe këto fjalë dhe të respektonte zotimet e dhëna nga Qeveria Hoti. Përsëri, rreziku që dikujt prej 1.7 milionë banorëve t’i kujtohej ai premtim i shkelur publik ishte e mbetet real.

Së katërti, ai vendosi që t’i shkelte të gjitha qëndrimet për Palestinën, edhe pse ishin shprehur me shumë pasion, dhe ta njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Kjo derivonte nga marrëveshja e përmendur më lart, e të cilën Kurti ishte zotuar të mos e respektonte. Kosova i doli kundër të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian, të gjithë aleatëve tjerë, dhe u bë veç shteti i dytë përpos Guatemalës me një vendim të tillë. Çka do t’i thotë Kurti kolegëve në Internacionalen Socialiste për një gjë të tillë?

Mund të zgjatesha edhe për meritat e pakontestueshme të kryeministrit Kurti në pritjen dhe akomodimin e mbi një mijë refugjatëve afganëve që po iknin nga vendi i tyre, Afganistani, mes rrëmujës që kishin lënë pas pikërisht amerikanët kur u tërhoqën prej andej. S’po zgjatem as për rritjen ekonomike prej 10 për qind, hapjen e mbi 25 mijë vendeve të reja të punës, e shumë gjëra tjera. Por, po ndalem te retorika e ashpër denoncuese e Kurtit ndaj invazionit rus në Ukrainë.

Kosova ndoshta është shteti më i ashpër kundër Rusisë në mbarë Evropën. Rreshtimi i saj kah fuqitë e Perëndimit duket parimor, e me këtë, edhe i pathyeshëm. Kurti i ka bërë dhjetëra deklarata kundër Putinit e kundër Rusisë, në mbështetje të Ukrainës dhe fuqive të Perëndimit, pra edhe në mbështetje të qartë të Amerikës. Por, si duket as kjo nuk mjaftoi që Kosova të merrte një falenderim siç e mori Serbia – edhe pse me një qëndrim shumë më ambig.

Natyrisht, Kurti po t’i tekej do të mund të sulmonte edhe më zi se këshilltarja e tij administratën Biden në lidhje me një gjë të tillë por nuk e bëri.

Prandaj, marrë parasysh ato që u thanë më lart duhet të shtrojmë pyetjen: edhe çka duhet të bëjë Kurti që Amerika t’i tregojë se sa lart të kërcejë? Pra, edhe çka tjetër duhet të bëjë lideri i Kosovës që të pranohet në Shtëpinë e Bardhë?

*Ky shkrim ka karakter satirik.

Lajme të ngjashme