<b></b> Punëtorja e MSh-së e mori pagën e plotë e edhe shujtën gjatë pushimit të lehonisë

Punëtorja e MSh-së e mori pagën e plotë e edhe shujtën gjatë pushimit të lehonisë

07.06.2022 12:56

Shumë shkelje janë evidentuar nga zyra Kombëtare e Auditimit në Ministrinë e Shëndetësisë në raportin e bërë për këtë institucion për vitin 2021.

Në raportin e saj, ZKA bën me dije se në Ministrinë e Shëndetësisë, ndër tjerash është identifikuar një rast ku Ministria kishte bërë kompensim në shumën totale të pagës bazë duke mos aplikuar ndalesën e pushimit të lehonisë, ndalesën e shujtës dhe shtesës për Covid-19.

Sipas raportit, vlera bruto e pagesës për periudhën sa ka qenë në pushim të lehonisë ishte 3,811€, ndërsa vlera që duhej paguar ishte 1,980€. Shuma e tejkaluar është prej 1,831€.

E ky veprim është bërë në kundërshtim të nenit 49.3 të Ligjit të Punës nr.03/L-2012, ku Pushimi i lehonisë përcaktohet se: Gjashtë (6) muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë. 

Gjithnjë sipas raportit, kjo kishte ndodhur si rezultat i numrit të madh të specializantëve dhe mungesës së kontrolleve për specializantët nga ana e zyrtarëve përgjegjës të ministrisë.

Ndikimi Kompensimi i plotë i pagës së punonjëses, dhe dhënia e shtesave gjatë pushimit të lehonisë përveç që është tejkalim i kërkesave ligjore ndikon edhe në dëmtimin e buxhetit të Ministrisë.

“Ministri duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet për të siguruar monitorim të vazhdueshëm të punonjësve/specializantëve ashtu siç parashihet me aktet ligjore. Në rastet e tejkalimeve duhet të aplikohet ndalesa në pagë për të korrigjuar dhe evituar dëmtimin e buxhetit për vlerën e tejkaluar”, thuhet në raport.

E ndërkohë, Auditimi ka gjetur edhe vërejtje të tjera në MSH. Disa nga to edhe me kontrtatat për blerjen e vaksinave anti-Covid.

Në raport thuhet se MSH ka marrë kredi për blerjen e vaksinave, e disa nga to i ka marrë me çmim më të ulët sesa ishte planifikuar, andaj, planifikimi nuk është bërë siç duhet.

“Buxheti final për mallra dhe shërbime krahasuar me buxhetin fillestar ishte rritur për 15,063,246€. Ndryshimet kanë ndodhur me rishikim të buxhetit, kishte rritje 14,978,616€, përmes donacioneve kishte rritje për 7,252,937€ dhe me vendime të qeverisë kishte zbritje për 7,168,307€. Niveli i ulët i shpenzimeve prej 49% i kësaj kategorie është për shkak se nga huamarrja është planifikuar blerja e vaksinave kundër Covid-19, ku sipas zyrtarëve të ministrisë është menduar që çmimi i vaksinave do të jetë shumë më i lartë, mirëpo grupi për negocim të vaksinave ka arritur të negociojë kontratë me çmim më të ulët. Atëherë pjesa më e madhe e kësaj kredie ka mbetur e pashpenzuar”, thuhet në raport.

Tutje, buxheti i ministrisë buxhetin për paga dhe mëditje për këtë kategori e ka shftyrëzuar maksimalisht, pra 100 për qind.

“Buxheti final për paga dhe mëditje krahasuar me buxhetin fillestar ishte rritur për 3,818,638€. Rritja ka ndodhur me rishikim të buxhetit prej 3,053,611€, përmes donacioneve prej 77,827€, përmes financimit nga huamarrja kishte rritje për 193,169€ si dhe me vendime të qeverisë për 494,031€. Realizimi i buxhetit final në këtë kategori ishte pothuajse 100%”, thuhet në raport. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1