<b></b> Putini mund të ketë reputacion të lartë, por rusët janë edhe të tmerruar

Putini mund të ketë reputacion të lartë, por rusët janë edhe të tmerruar

10.05.2022 11:17

Një muaj pas fillimit të “operacionit special” të Putinit në Ukrainë, Qendra “Levanda”, organizatë joqeveritare për anketa, zhvilloi një anketë për vlerësimin e qëndrimeve të publikut për këtë konflikt. Rezultatet u pritën me ca shqetësim. Disa menduan se ato do ta shfaqin pakënaqësinë e publikut me udhëheqësinë dhe se reputacioni i presidentit do të binte. Të tjerët ishin të rezervuar.

Alexei Levinson

Kishte precedentë. Pas luftës së shkurtër të Rusisë me Gjeorgjinë më 2008, niveli i përkrahjes për Vladimir Putinin u rrit në 88 për qind. Më 2014, pas aneksimit të Krimesë, ndodhi e njëjta gjë: përqindja e njerëzve që thanë se e përkrahin punën e tij përsëri shkoi në shifrën e njëjtë.

Në të dyja rastet, reagimi negativ global thjesht shërbeu për ta forcuar besimin e rusëve se ata kishin të drejtë. Sanksionet shkaktuan pak dëme.

Kësaj radhe, është ndryshe. Veprimi ushtarak po del të mos jetë as i shpejtë, as pa gjak. Secili e kupton këtë, edhe ata që i dëgjojnë vetëm zërat që dalin nga televizorët e tyre. Kësaj here, ekziston një pritje e gjerë dhe e merakosur për kohë të liga dhe për bllokadë ekonomike.

Është një shkollë e të menduarit nga koha sovjetike që frigoriferi është më i fuqishëm se televizori. A mund të jetë kjo e saktë kësaj radhe?

Deri më tani, shenjat janë të përziera. Njësoj si më 2014, ka pasur rritje të nivelit të përkrahjes për operacionin dhe për komandantin e tij. Edhe një herë, Putini ka përkrahje prej më shumë se 80 për qind, 12 për qind më shumë se në shkurt. Qeveria dhe kryeministri gjithashtu kanë dalë mirë. Edhe Duma shtetërore, që normalisht qëndron në territor negativ, po “rrezitet” në vlerësime pozitive.

Por nuk është gjithçka pozitive për klasën politike ruse. 55 për qind e pjesëmarrësve në anketë presin përmirësim në jetën politike në muajt e ardhshëm. Ata nuk mund të zhgënjehen. Kjo duhet të krijohet – nëse jo në jetën reale, atëherë në botën virtuale.

E për ata që e shikojnë përkrahjen me nivel mbi 80 për qind dhe që deklarojnë se televizorët përfundimisht kanë triumfuar ndaj frigoriferëve, ne duhet t’u themi “jo”. Gjithçka është me pak më shumë nuanca.

Në anketë, rusëve ua bëmë pyetjen: çfarë emocionesh ju shkakton operacioni ushtarak në Ukrainë? Vetëm 2 për qind e tyre nuk mundën që të përgjigjeshin, ndërsa 8 për qind e tyre thanë se nuk kanë fare ndonjë ndjenjë për të. Pjesa tjetër e pjesëmarrësve zgjodhën nga një grumbull fjalësh për t’i përshkruar ndjenjat e tyre.

Këto fjalë kryesisht ranë në katër kategori – qoftë pozitive apo negative dhe qoftë politike apo apolitike. Atëherë, emocioni politik pozitiv mund të përshkruhej si krenari kombëtare; emocionet negative politike ishim më shumë si zemërim dhe turp; fjalët apolitike pozitive i mbuluan emocionet si gëzimi dhe kënaqësia; emocionet apolitike negative ishin frika, ankthi, tmerri dhe shoku.

Nëse e shikojmë gjerësisht përqindjen e emocioneve pozitive kundër emocioneve negative, ato janë kokë më kokë – 51 me 49 për qind. Por brenda këtyre shifrave gjenden elemente interesante: emocionet pozitive janë kryesisht te njerëzit që shprehin krenari kombëtare (40 për qind). Vetëm një pjesë e vogël (11 për qind) e pjesëmarrësve shprehën emocione apolitike pozitive si gëzimi dhe kënaqësia.

Në mesin e ndjenjave negative, ndarja pothuajse u përputh. Vetëm 10 për qind e pjesëmarrësve patën ndjenja negative politike si zemërimi, neveria dhe turpi për sulmin në Ukrainë. 39 për qind e pjesëmarrësve raportuan emocione të brengosjes, frikës dhe shokut.

Nga këta numra, duhet të bëhet konkluzioni se përkrahja e publikut rus për ushtrinë dhe udhëheqësinë e saj ekziston bashkë me një ankth të madh.

Kur shikohen dallimet mes gjeneratave, është e qartë se këto zhvillime po shikohen ndryshe nga të rinjtë dhe të moshuarit. Ndjenjat negative mbizotërojnë te personat nën moshën 35-vjeçare. Vetëm 33 për qind ndiejnë krenari kombëtare, ndërsa 37 për qind ndiejnë ankth dhe frikë.

Në anën tjetër, ata që janë mbi moshën 65-vjeçare, janë shumë më shumë pozitivë, me përkrahje prej më shumë se 90 për qind për Putinin dhe me pak shprehje të frikës dhe ankthit.

Të rinjtë dhe të moshuarit kanë qëndrime shumë të ndryshme edhe për vlerësimin se çfarë i ka motivuar protestat kundër luftës, që u panë në javët pas 24 shkurtit. Personat e moshuar patën prirje për ta përkrahur shpjegimin se njerëzit janë paguar për të protestuar. Të rinjtë më shumë mendojnë se protestat ndodhën për shkak të zemërimit të sinqertë për zhvillimet.

Alexei Levinson është sociolog dhe hulumtues i lartë në Qendrën “Levada”, organizatë e njohur ruse për anketa.

Tjera nga autori:
1