Nga ekstremi në ekstrem, drejt rrezikimit të marrëdhënieve me Turqinë - NACIONALE

Nga ekstremi në ekstrem, drejt rrezikimit të marrëdhënieve me Turqinë

1 vit më parë

nga Berat Buzhala

Politika në Kosovë, për të keq, ka ikur prej një ekstremi, ku si te Thaçi, në një ekstrem tjetër, te shkatërrimi i raporteve me Turqinë. Javën tjetër promovohet në Prishtinë një libër për Fetullah Gylenin. Kjo ngjarje vetëm do t’i hedhë edhe pak kripë kësaj varre.

Përmbajtja është e njëjtë, mirëpo se çka është helm e çka është ilaç, e përcakton sasia. Jo shumë kohë më parë në krye të institucioneve të fundit e kemi pasur një klasë politike, në krye me ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Thaçi, që u pat nënshtruar pa kushte para Turqisë dhe Erdoganit, kurse tash elita e re politike po e bën gabimin e njëjtë, duke e injoruar krejtësisht faktorin Turqi, gjë që mund të ketë pasoja në politikën e jashtme të Kosovës.

Se Recep Taip Erdogan i takon asaj race të politikanëve që e shpërfill maksimalisht demokracinë liberale, këtu nuk ka asnjë dilemë, por që roli i Turqisë në botë është i rëndësishëm edhe për Amerikën, as këtu nuk e ka askush asnjë dilemë. Rasti më ilustrativ i rolit turk është antarësimi i i Finlandës dhe Suedisë në NATO. Të gjithë anëtarët e Bllokut janë tepër të ngazëllyer me anëtarët më të rinj të aleancës më të madhe ushtarake, por Turqia i ka disa probleme me këto dy shtete. As Suedia e as Finlanda nuk po sillen në mënyrë arrogante me bllokadën turke. Zyrtarët e të dyja këtyre shteteve kanë vajtur në Ankara, udhëheqësit e të dyja shteteve kanë biseduar në telefon me Erdoganin, duke e kërkuar një rrugëdalje. Turqia ka probleme me mënyrën se si komuniteti kurd është i prezentuar politikisht në shtetet skandinave. Madje, edhe Amerika si supërfuqia e vetme në bllokun ushtarak, po kërkon zgjidhje dhe jo imponim.

Kjo ishte sa për pak kontekst.

Siç e thashë edhe në fillim të këtij shkrimi, politikanët që e qeverisën vendin tonë për më shumë se një dekadë, i kanë bërë disa gabime në mënyrën se si i janë qasur Turqisë dhe liderit turk. Lepe – peqe ka qënë raporti. Pjesa më e shëmtuar do të mbetet mënyra se si u patën fërfëlluar me thes në kokë disa shtetas të Turqisë, të kërkuar nga Turqia si gylenistë. Shkelje flagrante ligjore dhe gabim i rëndë moral. Sjellje e ekzagjeruar dhe e evitueshme, sikur Thaçi të kishte vetëm gjysmën e taktit të Edi Ramës, që megjithatë po arrin të ruajë një balanc të servilitetit të nevojshëm dhe mbrojtjes së banorëve të Republikës së Shqipërisë, që të mos ekstradohen, ose në rastin e kryetarit të Bashkësisë Islame të Shqipërisë, të mos hiqet nga pozita ku ai është.

Tash qeveria e re e ka zgjedhur një rrugë të re, po aq të gabueshme sa edhe e para. Udhëheqësit e institucioneve të vendit Turqisë ia kanë treguar gishtin e mesëm, kur kjo e fundit është interesuar për disa tema, posaçërisht për rastin e gylenistëve. Me disa njerëz që kam biseduar ditëve të fundit, e që kanë informata për këtë temë, shteti turk është aq i frustruar, sa tashmë haptazi ia ka shprehur këto paknaqësi institucioneve tona.

“Vizita në Turqi e ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka qënë më e keqja që është realizuar ndonjëherë nga ndonjë ministër i jashtëm i ndonjë shteti”, më tha mbrëmë një person që ka informata mbi këtë vizitë.

Turqia po vazhdon të besojë se klani i rrjetit të Gylenit në vendin tonë është konsoliduar aq shumë, sa tashmë ata janë duke ndikuar në përkeqësimin e këtyre raporteve. Këtu duhet theksuar një gjë, që është tepër me rëndësi: Shteti i Kosovës është i obliguar që në mënyrë humanitare t’i trajtojë të gjithë ata persona që një shtet tjetër i përndjek, le të themi politikisht, por kurrsesi shteti i Kosovës nuk duhet t’ia japë me qira territorin e vendit tonë, një organizate, kushdoqoftë ajo, që të ushtrojnë aktvitet politik kundër një shteti tjetër, aq më pak kundër Turqisë.

“Turqia ka kërcënuar me votë në Këshillin e Evropës, nëse qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj ndjekin rrugën që po e ndjekin”, ka thënë burimi i gazetës.

Drama në mes të Qeverisë dhe Turqisë kishte filluar kur qeveria kishte paralajmëruar shtetëzimin e rrjetit të distribucionit, shitje që kishte ndodhur para gati 1 dekade. Pas këtyre kërcënimeve për shtetëzim, përmes organeve të veta kishte reaguar Turqia, duke e kërcënuar qeverinë e Kosovës që nëse një gjë e tillë do të ndodhte, nëse do të sulmohej një biznes privat turk në Kosovë, këtë Turqia do ta konsideronte si agresion dhe se Turqia do të revanshohej.

Qeveria e Kosovës si të zbythur sa i përket distribucionit, por jo edhe sa i përket temës tjetër të nxehtë, siç janë gylenistët.

“Turqia mendon dhe beson që segmente të caktuara qeveritare janë duke bashkëpunuar ngusht me biznese që janë të lidhura me organizatën Gulen”, ka treguar ky bashkëbisedues. Sipas tij, raporti me Turqinë do të përkeqësohet edhe më tepër, kur më 7 qershor do të promovohet një libër që i kushtohet Fetullah Gylenit, me titullin "Një Jetë në Shërbim", i një autori të huaj.

“Një aktivitet i tillë publik, një glorifikim i një figure aq kontradiktore për Turqinë terroriste, në një vend si Kosova, që ka shumë interesa me Turqinë, nga qeveria turke do të konsiderohet si gisht në sy”, më tha gjatë bisedës një person tjetër që është i informuar për këto zhvillime.

“Nuk është vetëm kjo. Turqia ka informata që ky rrjet i njerëzve, pra të afërt me lëvizjen Gylen, janë infiltruar në AKI dhe Ministri të Brendshme”, tha ky person, sipas të cilit qeveria nuk është angazhuar fare në këto tema.

Sigurisht që në shumë raste turqit nën Erdoganin e kanë tejkaluar vijën e kuqe të përzierjes në punët e brendshme, por pyetja që shtrohet është kjo: A kemi interes nga Turqia dhe a duhet të ulemi e t’i dëgjojmë, nëse një gjë të tillë po e bën edhe Finlanda e Suedia, që janë shtete që kanë interesa shumë më të vogla sesa Kosova, në raport me Turqinë, pse nuk duhet edhe Kosova e vogël që të taktizojë?

Kosova, në arenën ndërkombëtare, nga Turqia ka përfituar jashtëzakonshit shumë. Nuk po them sa Amerika, nuk po them as sa, le të themi Gjermania e Britania e Madhe, por bën pjesë në top-pesëshen më të rëndësishme. Disa njohje të rëndësishme janë realizuar falë Turqisë, e ndikimi i shtetit turk në organizatat e ndryshme islamike ka qënë i pakontestueshëm.

Prandaj, është naive, që të mos themi skandaloze, qasja e Qeverisë ndaj Turqisë.

Lajme të ngjashme