<b></b> Qeveria më në fund ua ndan paratë 1 mijë e 200 punëtorëve shëndetësorë që punuan gjatë pandemisë

Qeveria më në fund ua ndan paratë 1 mijë e 200 punëtorëve shëndetësorë që punuan gjatë pandemisë

30.05.2022 16:14

Vlugu i protestave në shesh para qeverisë, duket se ka rezultuar me sukses për një grup të protestuesve. Më në fund, qeveria ka vendosur t’ua japë paratë punëtorëve të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë për luftimin e pandemisë.

Protesta e 25 majit nga punëtorët shëndetësorë për pagat e tyre që s’i morën për muaj të tërë, doli të jetë e suksesshme.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për t’ua ndarë paratë për paga të 1 mijë e 271 punëtorëve shëndetësorë që punuan gjatë pandemisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për Ministrinë e Shëndetësisë. Me këtë rast, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për alokimin dhe shpenzimin e mjeteve buxhetore deri në vlerën 1,768,300.93 € (një milion e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e treqind euro e nëntëdhjetë e tre centë), për pagesën e obligimeve kontraktuale të krijuara me lidhjen e kontratave me 1,271 profesionistë shëndetësorë dhe staf mbështetës, lidhur me menaxhimin e situatës me COVID-19, për periudhën 15 mars – 15 qershor 2022”, njofton Qeveria.

Këta punëtorë protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë të mërkurën nga ora 09:00 deri në 10:00.

“Ne, infermierët dhe stafi mbështetës të punësuar nga Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë paqësore do të shprehim pakënaqësitë tona lidhur me pagat që nuk na janë dhënë për gati tre muaj”, thuhej në njoftimin e tyre.

Kur dhe për çka janë angazhuar këta profesionistë shëndetësorë?

Në muajin gusht të vitit 2021, Ministria e Shëndetësisë pati hapur konkurs për angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID-19. Me anë të këtij konkursi, Ministria e Shëndetësisë synonte të punësojë 1 mijë e 116 pozita në shtatë Spitalet Rajonale, në Qendrat rajonale të IKSHPK-së, Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komuna dhe Inspektorë Sanitarë.

“Bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 Për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, Rregulloren (SHËNDETËSI) Nr.05.2020 Për angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID-19 dhe Vendimin e Qeverisë nr.03/27 të dt.18.08.2021 së Republikës së Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, shpall K O N K U R S”, thuhet në njoftimin MSH-së për konkursin në fjalë. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1