<b></b> Qeveria nën hije e PDK-së, analistët vlerësojnë se 'mëkatet' e së kaluarës e mbajnë peng

Qeveria nën hije e PDK-së, analistët vlerësojnë se 'mëkatet' e së kaluarës e mbajnë peng

20.05.2022 22:34

Ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, prezantoi Kabinetin e Qeverisjes së Mirë, i cili përbëhet nga 15 departamente. E njërin nga ta, saktësisht atë të Ministrisë së Jashtme të Qeverisë nën hije, do ta udhëheqë Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së. Një hap i tillë, theksoi Krasniqi, po bëhet për të ofruar alternativë qeverisëse karshi Qeverisë Kurti.

Themelimi i Qeverisë nën Hije nga PDK, është komentuar nga njohësit e rrjedhave politikë në Kosovë, duke e konsideruar atë një shenjë të mirë për opozitarizmin në vend.

Analisti politik Gazmir Raci, ka thënë për Gazetën Nacionalen se ideja e PDK-së është e mirë, paçka se kjo parti u “këndell” me vonesë.

Ai ka shtuar se këto parti, që tashmë janë në opozitë, kanë qenë dikur në pushtet dhe do ta kenë sfidë që të ballafaqohen edhe me periudhën kur ata kanë qeverisur.

Ideja është e mirë, natyrisht. Çdo formë e të bërit opozitë në kuadër të ballafaqimit të fakteve dhe argumenteve e ndihmon shumë demokracinë e brendshme dhe e rrit përgjegjësinë dhe llogaridhënien e Qeverisë. Edhe pse Partia Demokratike e Kosovës dhe partitë tjera qeveritare me shumë vonesë u këndellën nga humbja që pësuan gjatë vitit 2021. Prapëseprapë, më mirë vonë se kurrë”, tha Raci.

Ndërkaq, profesori dhe analisti politik, Avdi Smajljaj, tha për Nacionalen se “Qeverisja në hije” e PDK-së nga përbërja nuk duket se reflekton ndonjë ndryshim të madh.

Nevoja është shumë e madhe për një opozitë kredibile, e cila do t’i ndihmonte edhe vetvetes si parti opozitare, edhe qeverisë duke e mbajtur nën njëfarë mbikëqyrje, por më së shumti demokracisë e qeverisjes ne përgjithësi”, tha ai.

Raci thotë se PDK për shkak se ishte gjatë në pushtet, do ta ketë të vështirë të ‘pastrohet’ nga qeverisjet e kaluara të saja.

"Është hap shumë i rëndësishëm për të bërit opozitë. Natyrisht që partitë që tashmë janë në opozitë kanë qenë në pushtet dhe duhet kohë e gjatë që ato të pastrohen nga qeverisjet e tyre, në ato fusha ku kanë pasur dështime të mëdha. Kështu që të bërit opozitë do të jetë sfidë meqë do të ballafaqohen edhe me periudhat e qeverisjes nga ana e tyre”, ka thënë Raci.

Për sa i përket “Qeverisë në hije”, që për PDK-në kishte sukses në vitet 2006-2007, Raci ka thënë se tani është një gjendje tjetër, duke vlerësuar se numri i departamenteve të paraqitura nga Krasniqi janë përbërje e madhe.

Përbërja me 15 departamete m’u duk pak e madhe si përbërje. Kjo për faktin se në jemi shtet i vogël dhe do të duhej të koncentroheshim që qeverisjen ta bëjmë për nevojat e qytetarëve. Duhet të kemi qeverisje efektive dhe opozitë efektive. Nuk e kam pritur këtë numër të departamenteve, kam pritur që mund të jenë 10 deri në 12 dhe kam pritur që njëra prej propozimeve të kësaj opozite të jetë ulja e numrit të Ministrive, në rast se ata ndonjëherë vijnë në pushtet”, shtoi analisti Raci.

Por, Smjaljaj thotë se duhet parë nëse PDK e ka kapacitetin për të krijuar një Qeveri nën Hije.

"A e ka këtë potencial e kapacitet qeverisja nën hije e PDK, mbetet të shihet, por nga ajo që është e dukshme mund të konkludojmë se: si përbërje nuk duket që reflekton ndryshim të qëndrueshëm (përderisa ndryshimi ishte i domosdoshëm për partitë që humbën zgjedhjet vitin e kaluar). Shumica e figurave, edhe pse për nga mosha biologjike te rinj, me disa përjashtime, do të duhej reflektuar edhe ne ndryshime substanciale, te vlerave, te cilat do të rrisnin kapacitetin e tyre edhe si qeverisje nën hije”, theksoi Smajljaj.

Kujtojmë, që themelim të qeverive nën hije kohë më parë kanë paralajmëruar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Tjera nga autori:
1