<b>Qeveria vs. Mediet</b>  / Pse ky mllef i qeveritarëve?

Qeveria vs. Mediet / Pse ky mllef i qeveritarëve?

19.04.2022 17:46

Pëgjatë një viti, kryeministri Albin Kurti kryesisht iu është shmangur gazetarëve. Të krahasueshme janë daljet e tij në mediet vendore derisa janë shpeshtuar daljet në mediet ndërkombëtare. Të shumtë janë ata që thonë se anashkalimi ndaj medieve, sidomos në dalje televizive, është tregues i mungesës së transparencës, por, edhe kallëzues i qasjes së kryeministrit e qeverisë karshi medieve.    

Kryeministri ka preferuar daljet televizive në transmetuesin publik – dy a tri paraqitje i ka krejt në televisione tjera dhe kjo është parë si strategji e tij për t’i ikur përballjeve me kritikët e qeverisjes së tij. Por, ky selektim i medieve nga ana e kryeministrit është parë si dëmtuese e lirisë së shprehjes në vend dhe funskionimit të lirë të medieve.    

Gazetarët kanë pasur fatin ta shohin më shpesh kryeministrin nëpër tubime. Nga aty kanë mundur t’i ndërronin nga dy-tri llafe e ndoshta të merrnin ndonjë përgjigje prej tij. Diç më të gjata janë daljet e kryeministrit para gazetarëve në konferenca për medie nga selia e qeverisë.  

S’mund të themi se mllef e ashpërsi kryeministri ka pasur ndaj medieve e gazetarëve sikurse vartësit e bashkëpartiakët e tij. 

Ama ngucakeq ndaj gazetarëve e grupeve mediale ishte edhe i pari i qeverisë. Bile është akuzuar se ka përdorur seancën solemne për ditën e pavarësisë dhe nga foltorja e kuvendit ka sulmuar ndër dhëmbë mediet. 

“Me reklama në media e sondazhe të ujdisura”, thoshte, ndër tjera, kryeministri në një spot të fushatës zgjedhore në tetor, apo ka raste kur është marrë artikulimin e pytjeve të gazetarëve, si dhe shpeshherë ka bërë ndërlidhje të çuditshme të medieve kosovare me Serbinë.  

Ama as që krahasohen me gjuhën, shpesh linçuese, të vartësve e bashkëpartiakëve të tij, që ishin të devotshëm në përgojimin e sulmimin verbal të gazetarëve e medieve.  

“Kompani të kriminalizuara”, “thurëse të gënjeshtrave”, “shantazhuese të qeverisë e bizneseve”, “manipuluese të publikut”, “fake-news” apo edhe “Serbia sulmon Kosovën dhe mediet sulmojnë Sveçlën”, janë disa togfjalësha që janë dëgjuar e lexuar, e të thëna nga zyrtarë qeveritarë, deputetë e anëtarë të Vetëvendosjes karshi medieve. 

Kjo gjuhë është parë si inicuese e gjuhës së urretjes, linçimit e denigrimit të gazetarëve nëpër rrjete sociale a platforma tjera prej qytetarëve që janë përkrahës të partisë në pushtet.  

**** 

Gazetarja Besarta Hoti kishte shkuar në konferencën për medie të thirrur nga ministri i brendshëm Xhelal Sveçla. Pasi ministri kishte thënë atë çka kishte dashur të thotë para gazetarve, dikur më vonë, gazetarja pyeti ministrin Sveçla për punësimet në institucionet publike, dhe kjo s’i pëlqeu aspak ministrit. 

“Ne po flasim për një sulm terrorist, e ju po merreni me budallallëqe të tilla”, i thoshte ministri Xhelal Sveçla gazetares Hoti, pasi ajo e pyeste ministrin për punësimin e motrës së tij përmes një konkursi publik.

Përderisa vazhdoi shpërfilljen e pyetjes së gazetares, ministri i brendshëm shtoi se “ju kemi thënë se është një konferencë e jashtëzakonshme pas sulmeve të grupeve terroriste ndaj Republikës së Kosovës dhe do të flasim vetëm për këtë”.  

“Tmerruese dhe shokuese” e sheh përgjigjjen e minsitrit gazetarja Hoti. Ajo i tha gazetës Nacionale se “natyrisht isha e vetëdijshme për çka ishte thirrur konferenca dhe se ministri s’do të dilte e t’fliste për rritjen e çmimeve”, dhe se për temë do ishte ndonjë aspekt i sigurisë në vend. Por ajo insiston se duke e pasur të pamundur komunikimin me ministrin ajo bëri pyetjen që lidhej me punësimin e motrës së tij dhe që ky rast shihej si nepotizëm. 

Gazetarja Hoti insiston se ministrit i takon vetëm të përgjigjet, ndërsa për pyetjet janë gazetarët ata që vendosin dhe po ashtu sqaron se pse gazetarët janë të detyruar të veprojnë në këto mënyra.  

Gazetarja Hoti thotë se veçse po vërehet se qeveria e tanishme s’po ka raporte korrekte me mediet. Vështirësitë në raportim dhe që lidhen me qeverinë, sipas saj, po rriten pasi zyrtarët qeveritarë janë të mbyllur karshi medieve. 

“Nga përvoja ime si gazetare tentoj të komunikoj fillimisht përmes telefonit dhe email-it, por po detyrohemi që [zyrtarëve] t’u shkruajmë edhe në rrjetet sociale [pasi zakonisht nuk përgjigjen] vetëm e vetëm që të jemi korrekt në raportim”, thotë për gazetën Nacionale gazetarja Hoti dhe insiston se as kjo s’po mjafton, pasi qeveritarët zakonisht zgjedhin të heshtin.  

Duke mos pasur qasje te zyrtarët dhe kur pyetjet po u mbesin pa përgjigje, atëherë gazetarët, thotë gazetarja Hoti, janë të detyruar që në konferenca për medie të thirrura nga qeveritarët, t’i shtrojnë pyetjet për të cilat s’kanë marrë përgjigjje, dhe këtë e lidh edhe me pyetjen tashmë të famshme të saj. 

Ndaj incidentit të inicuar nga ministri Sveçla ka reaguar Asocioacioni i Gazetarëve të Kosovës, që ka dënuar gjuhën denigruese të minsitrit. Po ashtu, janë kundërshtuar edhe sulmet verbale ndaj gazetares Hoti që janë bërë nëpër rrjete sociale, e të cilat janë cilësuar si tendencë për të heshtur çfarëdo zëri që nuk përshtatet me zërin e qeveritarëve. 

Vështirësi në komunikim me qeveritarë ka vërejtur edhe gazetari Bujar Vitija, e që sipas tij vetëm po vazhdon avazi i vjetër i mbylljes së qeveritarëve karshi gazetarëve. 

“Ka vonesa në përgjigje dhe mostransparencë, ka tendenca në pengimin e punës në kuptimin e mosdhënies së lejes për intervista me zyrtarë civilë. P.sh. herën e fundit kur kam kërkuar intervistë me një zyrtar të MSH-së, më është thënë se duhet të kërkoj leje edhe nga kabineti i ministrit. Këta të fundit më kanë vonuar përgjigjen për një javë, dhe atë përgjigje ma kanë dhënë në kanale jozyrtare”, thotë gazetari Vitija. 

Duke u gjendur në situatë pandemike, Vitija thotë se situata ka rritur volumin e informacioneve në relacion me MSH-në, sepse kjo e fundit për një kohë e pati monopolizuar komunikimin me publikun, pra nuk lejonte qasje të lirë në institucionet vartëse të saj siç janë SHSKUK apo IKSHPK. 

“Kjo vetëm sa e pati rënduar punën tonë si gazetarë, sepse për një intervistë me një mjek në QKUK, duhej të merrnim leje nga komiteti i MSH-së. Gjë që ishte shqetësuese por edhe qesharake. Më vonë këto restriksione u hoqën, por problemet në raportim kanë mbetur sidomos në vonesa të zgjatura në kthimin e përgjigjeve”, thotë gazetari. 

E duket se intervistat me gazetarë s’i ka fort për qejf as ministri i shëndetësisë, Rifat Latifi, që për gazetarin Vitija, edhe ky ministër po vazhdon avazin e vjetër të ministrave të shëndetësisë për të mos u përgjigjur ndaj medieve. 

“Nuk ka transparencë nga kabineti politik. Ne kërkojmë sqarime për një çështje të caktuar, ndërsa marrim përgjigje të përgjithësuar dhe të pakuptimtë duke i ikur përgjegjësisë”, thotë gazetari Vitija për gazetën Nacionale. 

Vitija që tash e disa vite përcjell vetëm sektorin e shëndetësisë në Kosovë, thekson edhe vështirësitë që kanë gazetarët edhe për qasje në dokumente publike, e që për sektorin që ai mbulon janë shumë të rëndësishme.  

“Po ashtu kemi probleme edhe në qasje të dokumenteve publike ku në plot raste është dashur të marrim përgjigje vetëm pas ankesave në instanca tjera”, thotë gazetari i shëndetësisë. 

Për Qasjen në Dokumente Publike flet edhe Labinot Leposhtica që është përfaqësues i Zyrës Ligjore të medias Kallxo.com. Monitoruesi nga Kallxo thotë se qasja në dokumente publike është e drejtë kushtetuese dhe si e tillë përbën boshtin e demokracisë dhe është ndër mjetet më efikase për llogaridhënie nga institucionet.  

“Qasja në dokumente publike deri në gjysmën e dytë të vitit të kaluar ishte tepër problematike, shpenzuese dhe sfiduese. Duke e ditur mungesën e Komisionerit për Informim dhe Privatësi, institucionet, pa dallim, në shumicën e rasteve kanë refuzuar plotësisht apo pjesërisht qasjen në kërkesa në dokumente/informacione publike e edhe më shpesh kanë heshtur duke mos kthyer përgjigje fare”, thotë Leposhtica. 

Sipas tij, kjo ka detyruar gazetarët e mediumet, apo edhe organizatat e shoqërisë civile që t’i drejtohen gjykatës për të pasur qasje në dokumente publike. Mirëpo, ai thotë se ky proces është i gjatë, sfilitës dhe i kushtueshëm, dhe shumëkush, në pamundësi financiare e pa kapacitete njerëzore, s’i hyn kësaj rruge, çka bën që insitucionet të dalin paç nga fshehja që bëjnë. 

“Zgjedhja e Komisioneres për Informim dhe Privatësi, ka qenë hap shumë pozitiv që ka lehtësuar qasjen dhe shpesh po kemi raste kur ndërhyrja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi po mundëson qasjen në dokumente publike”, thotë Leposhtica për Nacionalen. 

Mirëpo, ai vazhdon të thotë se institucionet vazhdojnë të çalojnë shumë në publikimin e të dhënave në mënyrë pro-aktive siç kërkon edhe Ligji për Qasje në Dokumente Publike. 

Sidoqoftë, duke komentuar raportin e qeverisë së tanishme me mediet, profesori i gazetarisë, Alban Zeneli, thotë se raporti i Vetëvendosjes me mediet ka qenë jo i zakonshëm dhe kjo nis që nga koha kur VV ishte në opozitë, bile edhe vetëm si organizatë. 

“Kjo lidhet me narrativën që VV ka ndërtuar që para se të hynte në qeveri. Narrativë kjo që është ndërtuar me vite, s’po i lë tash që të krijojnë një narrativë të re, e cila do ishte narrativa qeverisëse. Kanë ngecë në narrativë e opozitës”, thotë Zeneli. 

Ai përmend tre faktorë që, sipas tij, s’po lejojnë Vetëvendosjen që të dalë nga narrativa e të qenit në opozitë dhe të kuptojë se tashmë qeverisin me vendin, dhe këtë, profesori univesitar, e lidh edhe me raportin që qeveria e tanishme ka me mediet. 

“Qoftë mungesa e resurseve njerëzore, qoftë mungesa e ideve, apo qoftë qasje ideologjike”, janë faktorët që sipas Zenelit po e mbajnë të kurthuar VV-në, e po ashtu po e lënë të ngecë edhe qeverinë që udhëhiqet nga zyrtarët e VV-së. 

Ai thotë se tashmë VV duhet të kuptojë se ka dallim nga të qenit në opozitë e të qenit në krye të qeverisë. Sipas tij, pa marrë parasysh, partia politike apo narracioni i partisë politike duhet të jetë ndryshe kur është në pushtet, pasi ndryshojnë përgjegjësitë shoqërore. 

Profesori Zeneli thekson se ndryshimi i pozitave ka bërë që VV-së tashmë mediet s’po i kërkojnë vetëm ‘kauza’, por edhe zgjidhje, dhe kjo ka prishur marrëdhëniet mes dy palëve. Ai thotë se nëse i shohim sulmet ndaj medieve, kjo lë të nënkuptohet se mediet janë bërë një pikë qitjeje, sepse janë vetëm mediet që ende janë kredibile të kritojnë Qeverinë Kurti, pasi partitë opozitare janë të kurthuara në të kaluarën e tyre qeverisëse.

“I kemi mediet që kanë kërku llogari prej secilës qeveri. Në anën tjetër, nëse i shohim pushtetet tjera, qoftë të drejtësisë, qoftë qeverinë, qoftë parlamentin, atëherë po na del që mediet janë ato që më së miri e kanë kryer funksionin e tyre shoqëror”, thotë Zeneli. 

Raporti i qeverisë së tanishme me medie ka ndryshuar prej kohës sa VV ishte në opozitë, pasi sot e shohim që përdorin rrjetet sociale për të arritur te publiku dhe kështu po shmangin mediet. Profesori i gazetarisë thotë se nëse vazhdon kjo praktikë, atëherë do ta shohim që Kosova do të bie në raportet ndërkombëtare për sa i përket lirisë së shprehjes.

Porfesori po ashtu thotë se këtij pezmatimi dhe narracioni të qeverisë se mediet manipulojnë, po i kontribuojnë edhe shumë web-faqe që shpërndajnë dezinformata. Mirëpo, Zeneli thotë se qeveria s’mund ta përdorë këtë element pasi së pari, qeveria nuk është kompetente të merret me standardet profesionale të medieve. 

“Politikanët e Kosovës s’po bëjnë përjashtim nga Donald Trump që sulmonte mediet me qëllim që t’i njësojë ato, t’i njësojë edhe gazetarët, edhe prodhuesit e dezinformatave”, thotë Zeneli.     

“Unë konsideroj se ne jemi po ata gazetarë që kemi qenë edhe më herët, pra nuk e kemi sefte raportimin dhe kritikat ndaj Qeverisë. Po përshtypja ime është se këto kritika po interpretohen si sulme, dhe kësisoj po e ashpërsojnë sjelljen e disa zyrtarëve qeveritarë ndaj gazetarëve dhe medieve”, thotë në anën tjetër gazetari Bujar Vitija.

Ai merr shembull ministrin e shëndetësisë, që sipas gazetarit, nuk jep intervista për gazetarët që e kritikojnë.

“Kjo është shqetësuese, sepse në fund të fundit këta ministra e zyrtarë po refuzojnë t’i japin përgjigje publikut. Prandaj ministrat, kryeministri, Qeveria në përgjithësi, duhet të jenë më shumë transparentë dhe më të përgjegjshëm në raport me mediat”, përfundon gazetari.

Tjera nga autori:
1