<b></b> Qeverisja 'hermetike' e Haskukës, Prizreni i 14-i në Indeksin e Transparencës të KDI-së

Qeverisja 'hermetike' e Haskukës, Prizreni i 14-i në Indeksin e Transparencës të KDI-së

31.05.2022 22:27

Sa ishte në opozitë, Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, ankohej për mungesë të transparencës. Andaj, udhëheqësi i VV-së premtonte transparencë radikale, duke theksuar se një gjë e tillë do të ndihmojë të mirë qeveriset me vendin.

Por, probleme me transparencë, sipas matjes së Institutit për Demokraci i Kosovës, ka pasur komuna e Prizrenit, e cila u udhëhoq për një mandat nga tashmë ish-kryetari Mytaher Haskuka.

Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë publik raportin në lidhje me indeksin e transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2021, i cili shënon përkushtimin e komunave për rritje të transparencës.

Në Indeksin për transparencë në qeverisjen komunale të IDK-së, Prizreni nuk ka shënuar ndonjë sukses për t’u mburrur në lidhje me transparencën në vitin 2021, gjatë së cilës kohë këtë komunë e drejtoi Haskuka.

Prizreni u notua me vetëm 67.64 pikë. Kjo komunë mori saktësisht 14,38 pikë më pak se komuna e Prishtinës, që renditet e para në këtë listë.

Udhëheqja e Haskukës më së keqi u notua në shtyllën e “ndërmarrjet dhe organizatat komunale”. Aty Prizreni u notua me 2,5 pikë nga gjithsej 10 sa ishin të mundura.

Edhe në lidhje me pjesëmarrjen publike, udhëheqja e Prizrenit nuk është se doli mirë në indeksin e KDI-së. Në këtë shtyllë, Prizreni mori veç 4,5 pikë nga gjithsej 15 të mundshme.

8.89 është saktësisht nota që mori në shtyllën grante dhe subvencione.

Prokurimi Publik duket se u menaxhua më mirë se shtyllat e tjera nga ana e Haskukës dhe kabinetit të tij. 12.68 pikë nga gjithsej 15-të i mori në prokurim komuna e Prizrenit, që u drejtua për katër vite nga politikani i VV-së.

Menaxhimi i buxhetimit dhe financave publike nga Prizreni, sipas KDI-së, merituan notën 10, 38 nga gjithsej 15-të të mundshme.

Përkundër që u karakterizua me probleme në qeverisje, duke pasur disa drejtor me aktakuza, komuna e Prizrenit mori not kaluese në etikë profesionale. Në etikën profesionale dhe konflikt të interesit, qeverisja e Haskukës mori 6 pikë nga gjithsej 10 sa ishte e mundshme.

Kujtojmë që Haskuka i humbi zgjedhjet në balotazh në nëntorin e vitit të kaluar nga kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, i cili u betua në janar të këtij viti.

Mitrovica është komuna tjetër që u udhëhoq nga VV gjatë mandatit të kaluar.

Komuna, të cilën e drejtoi Agim Bahtiri, u radhit shumë më mirë se Prizreni në renditje. Qeverisja e Bahtiri mori 79.52 pikë nga gjithsej 100 të mundshme në Indeksin e Transparencës së KDI-së.

Ajo maksimalisht u notua në lidhje me pjesëmarrjen publike, duke marrë 15 pikë, aq sa ishin të mundshme në indeks.

Mitrovica, sipas KDI-së, çaloi në lidhje me etikën profesionale dhe konfliktin e interesit, në të cilën shtyllë mori 4 pikë nga gjithsej 10 të mundshme. Megjithatë, në total, Mitrovica, që për kryetar kishte Bahtirin, mori vetëm 2.5 pikë më pak se  vendi i parë dhe mori 11,88 pikë më shumë se komuna e Prizrenit, që u udhëhiqej nga partiaku i tij, Haskuka.

Ndërsa në top treshe, sipas KDI-së, në aspektin e transparencës janë Prishtina (82.02), Rahoveci (80.97) dhe Gjakova (80.27).

Por, kampion të mos transparencës mbesin komunat e drejtuara nga Lista Serbe.

Siç shkroi sot gjatë ditës Gazeta Nacionale, gjetjet e hulumtimit tregojnë se komunat që qeverisen nga Lista Serbe qëndrojnë më së keqi në këtë drejtim.

Këto komuna kanë zero transparencë në fushën e prokurimit publik, buxhetim dhe financa, qasje në dokumente dhe informacion publik, pjesëmarrjen publike, grantet dhe subvencionet, etikën profesionale dhe konfliktin e interesit, menaxhimin e pronës publike dhe ndërmarrjet si dhe organizatat komunale.

Tjera nga autori:
1