Escobar mbështet Ballkanin e Hapur: Duhet të përfshijë 6 shtetet në nivel të njëjtë

Escobar mbështet Ballkanin e Hapur: Duhet të përfshijë 6 shtetet në nivel të njëjtë

08.06.2022 11:17

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka dhënë mbështetje iniciativës rajonale Ballkani i Hapur.

Në samitin e Ohrit, nëpërmjet një video-lidhjeje, Escobar ka vlerësuar se SHBA-ja e përkrah këtë iniciativë.

Sipas tij, kjo iniciativë duhet të përfshijë të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë.

“SHBA-ja e përkrah Ballkanin e Hapur. Duhet punuar jo vetëm në bashkëpunim rajonal ekonomik, por edhe në bashkëpunim për integrim në struktura evropiane. Ka shumë iniciativa për krijimin e një integrimi ekonomik. Ballkani i Hapur është një nga këto iniciativa. E afron rajonin, promovon paqen e stabilitetin. Besojmë se kjo nëse ka sukses duhet të jetë e hapur për të gjithë. Secila iniciativë për integrim ekonomik, duhet të përfshijë të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë”, ka deklaruar Escobar.

Diplomati amerikan ka vlerësuar se Ballkani Perëndimor ka rritje të madhe ekonomike, duke shtuar se ka potencial të jetë qendër e energjisë ripërtëritëse.

“Ka potencial për energji, ka kapacitetet të jetë qendër e gazit natyror, mund ta ndihmojë Evropën, të jetë qendër turizmi po ashtu. Ballkani Perëndimor është pjesa e Evropës që ka rritjen më të madhe. Do të ballafaqohemi me probleme, por do t’ia dalim”, ka deklaruar ai.

Më tej, ai ka treguar se kjo është nismë ekonomike dhe jo një projekt politik.

“Më në fund ju mbështes që kjo iniciativë të jetë ekonomike, nuk është projekt politik, por i rëndësishëm ekonomik, e me rëndësi edhe të ngelet ashtu. Të fokusohet në krijimin e mundësive për njerëzit e rajonit”, ka deklaruar Escobar.

Rama, Vuçiq dhe Kovaçevski ftojnë sërish Kosovën t’i bashkohet Ballkanit të Hapur

Themeluesit e iniciativës rajonale Ballkani i Hapur, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, kanë folur për rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë nismë.

Në samitin e Ohrit që po mbahet sot, udhëheqësit e këtyre shteteve kanë ftuar sërish Kosovën që të bëhet pjesë e kësaj nisme.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se edhe Kosova e Serbia duhet të afrohen me njëra-tjetrën në këtë iniciativë për të rritur shanset për paqe.

“Besoj se sa më shumë të afrohemi, aq më shumë shanse ka të zgjidhen konfliktet e të bëhet paqe mes Serbisë e Kosovës. S’kam pajtim me Vuçiqin për Kosovën. Zgjidhja është e thjeshtë. Ose mosdakordësia kthehet në konflikt permanent në të gjitha boshllëqet që mbesin në ekonominë tonë, në sigurinë tonë, ose e kundërta. Të afrohemi sa më shumë që të kuptojmë njëri-tjetrin, e në fund vetë njerëzit të jenë të vetëdijshëm se e ardhmja është më e rëndësishme se e shkuara”, ka deklaruar Rama.

Në adresimin e tij, Rama tha se pas nisjes së luftës në Ukrainë, iniciativa e Ballkanit të Hapur është domosdoshmëri më e madhe se që ishte më herët.

“’Ballkani i Hapur’ është i rëndësishëm për hapësirën e përbashkët në të cilën lindin fëmijët tanë dhe në të cilën nesër fëmijët tanë do të marrin në duar fatet e vendeve tona. Këtë e dinë sot shumë mirë shqiptarët e Shqipërisë që në këshillimin kombëtar me gjysmë milioni qytetarë, ishin mbi 60 për qind në mbështetje të ‘Ballkanit të Hapur’”, ka thënë ai në fjalimin hyrës.

Edhe presidentin i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Prishtina është e mirëseardhur në grupet punuese për të ndihmuar ta mbijetojmë dimrin.

“Kjo është iniciativë e atyre që e kanë kuptuar se duhet të lidhen, e vetë mund t’i zgjidhin problemet. S’kemi asnjë kërkesë ndaj askujt përveç se të jemi miq”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka vlerësuar se duhet që sa më shpejt të formohen grupet punuese të përbashkëta të shteteve të rajonit për të përgatitur rajonin për t’i tejkaluar vështirësitë me furnizim të ushqimit e të tejkalohet dimri.

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se ftesa që Kosova t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur” është ende e hapur.

“Kjo nismë do të bëhet edhe më atraktive. Sot me ne janë edhe përfaqësuesit e Malit të Zi dhe të Bosnjës. Ftesa për kryeministrin e Kosovës është e hapur. Do të kenë përfitime edhe shtetasit e Kosovës”, ka thënë ai.

Ky i fundit edhe zyrtarisht e ka ftuar Kosovën për pjesëmarrje në këtë samit, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim.

Kurti ka thënë më herët se nisma Ballkani i Hapur më shumë i ngjan një Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Kosova është i vetmi vend i rajonit që nuk po merr pjesë sot në samitin e radhës të Ballkanit të Hapur, i cili po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Pjesë e këtij takimi janë edhe Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina të cilat ende nuk janë bërë pjesë e kësaj nisme.

Tjera nga autori:
1