<b></b> Reagime në Kosovë për marrëveshjen e Vuçiqit me Putinin për gaz: Deri kur kështu?

Reagime në Kosovë për marrëveshjen e Vuçiqit me Putinin për gaz: Deri kur kështu?

30.05.2022 08:32

Marrëveshja e Serbisë me Rusinë për vazhdimin ‘e panderprerë’ me gaz natyror, ka nxitur reagime të shumta. Marrëveshja Serbi-Rusi erdhi bash në kohën kur Bashkimi Europian [BE] dhe Shetet e Bashkuara të Amerikës [SHBA] po vazhdojnë sanksionet pas luftës në Ukrainë.

Në anën tjetër, marrëveshjen me Rusinë, Vuçiq e bëri të ditur se e ka arritur përmes një telefonate me presidentit e Rusisë, Vladimir Putin, e të cilën e konsideroi si “shumë të favorshme” për vendin e tij.

Edhe Kremlini ka njoftuar për marrëveshjen me Serbinë, e në komunikatën e lëshuar përmendet edhe Kosova.

U diskutuan në detaje çështjet e agjendës aktuale të marrëdhënieve dypalëshe, duke përfshirë hapat për zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik me përfitim reciprok. Në veçanti, u ra dakord që Rusia të vazhdojë të furnizojë Serbinë me gaz natyror të pandërprerë”, thuhet në komunikatë.

Shkëmbimi i mendimeve vazhdoi për një sërë temash ndërkombëtare: situatën në Ukrainë dhe zhvillimet rreth Kosovës”, shkruhet tutje në komunikatë.

Menjëherë pas kësaj marrëveshje, ishte Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, që me anë të një shkrimi tentoi të tregojë se si Serbia është perëndimore, duke thënë se kanë “lidhje të forta” me botën perëndimore.

Reagimet kosovare për marrëveshjen Serbi-Rusi

Edhe në Kosovë pas kësaj marrëveshje filluan reagimet që tentojnë të shfaqin se kush është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas marrëveshjes së arritur mes Vuçiqit dhe Putinit për furnizimin e Serbisë me gaz të Rusisë.

E marrëveshja e tyre u arrit përmes një telefonate, ku sipas Kurti, Vuçiq dhe Putin nuk po kanë nevojë as të takohen më.

Ata as nuk kanë nevojë të takohen më: marrëveshjet midis Putinit dhe Vuçiqit tani arrihen përmes bisedave telefonike. Por ja çfarë tha Vuçiq në lidhje me Kosovën pas takimit të tij të 19-të me Putinin në Soçi më 25 nëntor 2021”, ka shkruar Kurti teksa ka kujtuar edhe deklaratën e Vuçiq pas takimit me Putin më 2021.

Fola për standarde të dyfishta dhe hipokrizinë e shpeshtë në marrëdhënie ndërkombëtare, Presidenti Putin e kupton për çfarë po flas, por ai kërkoi nga unë për shpjegime të mëtutjeshme. Andaj ne folëm për Veriun e Kosovës dhe ia tregova atë edhe në hartë”, kishte thënë Vuçiq. 

Po ashtu edhe Zyra e Presidentes ka reaguar për marrëveshjen e Serbisë me Rusinë.

Shef i stafit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela, ka pyetur deri kur do ta tolerojë BE-ja Serbinë.

Putin dhe Vuçiq u pajtuan në një telefonatë sot që Rusia të vazhdojë të furnizojë Serbinë me gaz natyror dhe dy vendet do të vazhdojnë të përforcojnë partneritetin e tyre. Serbia, një vend kandidat i BE-së, në vend se të përafrojë sanksionet me BE-në thellon bashkëpunimin me Rusinë. Deri kur BE-ja do ta tolerojë këtë?”, ka shkruar Vela.

Kryetarja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes [VV], Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj vazhdimit të furnizimit të Serbisë me gazin rus, duke thënë se Beogradi zyrtar me këtë po ua kthen shpinën politikave europiane.

Ky është një veprim i planifikuar mirë i përkrahjes së agresorit (për të paktën tri vjet të tjera) dhe injorimit të plotë të përputhshmërisë me politikat e BE-së. Tani kushdo që del përpara duke mbrojtur atë ku nuk ka mbetur asgjë për t’u mbrojtur, është qartësisht që po anashkalohet”, ka shkruar Kusar-Lila në Twitter.

Ndërsa Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], Besnik Tahiri, ka thënë se gazsjellësi amerikan do të ishte përgjigjja më e mirë e Kosovës ndaj marrëveshjes Vuçiq – Putin.

Marrëveshja Vuçiç – Putin është një dëshmi e qartë se sa shumë Vuçiç po manipulon BE-në dhe Perëndimin në temat kryesore strategjike: Agjenda integruese në BE; Dialogu Kosovë – Serbi; dhe Mbështetja pro Ukrainës. Çfarë tjetër duhet bërë Serbia për të hapur sytë Brukseli zyrtar, apo atje po mendojnë se “Ballkani i Hapur” është përgjigjja!! Qeveria duhet urgjentisht të marrë vendim”, ka shkruar ai në Facebook.

"Politika e Jashtme në gjumë"

Deri më tani nuk kemi pasë asnjë reagim të kryediplomates Donika Gërvalla, pasi si duket ajo është parë me aktivitete të partisë saj.

E për mosreagimin e saj, politologu i njohur Avdi Smajljaj ka thënë se politika e jashtme e Kosovës është në gjumë.

Profesori universitar, Avdi Smajljaj, përmes një shkrimi në Facebook, ka kritikuar paraqitjen e politikës së jashtme në Kosovë.

Serbia ia del në politikën e saj të jashtme, edhe perëndimin edhe Rusinë. Ne kemi prioritete tjera, ka kush punon për neve”, ka shkruar Smajljaj.

Deri më tani në Kosovë është bërë thirrje që të avancohet me projektin e gazit amerikan, por nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim.

As nga BE nuk kemi pasur ndonjë reagim për marrëveshjen e Serbisë me Rusinë.

Tjera nga autori:
1