<b></b> Reuters me kullën e Janjevës: Ballkani po e humb shpresën për përparim të anëtarësimit në BE

Reuters me kullën e Janjevës: Ballkani po e humb shpresën për përparim të anëtarësimit në BE

22.06.2022 15:10

Në Kosovë, që është duke e pritur udhëtimin pa viza për në BE që nga viti 2010, një pronar restoranti ka ngritur një kopje të madhe të Kullës Eiffel të Francës për mysafirët.

Reuters

“E kemi ndërtuar si formë ngushëllimi për njerëzit që nuk mund të shkojnë në Paris”, tha Blerim Bislimi, pronar i restorantit “Te Anija” në periferi të Prishtinës.

Kjo shaka pasqyron një pafuqi më të gjerë në Ballkan për mundësinë që gjashtë shtetet e tij – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Serbia – të anëtarësohen ndonjëherë në BE.

Mungesa e përparimit në pikat kryesore si udhëtimi pa viza, gjatë rrugës ka sjellë ndjenjë të atillë zhgënjimi, saqë udhëheqësit e Shqipërisë dhe Serbisë e kanë shqyrtuar shkurtazi mundësinë e mospjesëmarrjes në samitin e së enjtes Ballkan – BE në Bruksel, shkruan "Reuters", përcjell Nacionale.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq, thanë të mërkurën se do të marrin pjesë në samit, por Rama e shprehu dëshpërimin e tij në “Twitter”: “Do të marrim pjesë në takimin e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për t’u dëgjuar.”

Në Serbi, shteti më i madh në rajon, entuziazmi për anëtarësim në BE ka rënë aq shumë, saqë 40 për qind e serbëve tash janë kundër tij dhe vetëm 35 për qind e përkrahin atë, ndërsa pjesa tjetër e banorëve nuk janë të sigurt, sipas një ankete nga “Ipsos” në prill.

Sipas një drafit të deklaratës së samitit, të parë nga agjencia “Reuters”, udhëheqësit e BE-së përsëri do të ofrojnë “zotim të plotë dhe pa mëdyshje për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE”.

Por përparimi i përshpejtuar i Ukrainës për statusin formal të kandidates, për të cilin pritet arritje e pajtimit të enjten, vetëm ka ndikuar që ta shtojë ndjenjën e të vendosjes anash, thonë vendet ballkanike, edhe pse të gjitha, përpos Bosnjës dhe Kosovës, tashmë janë kandidate për anëtare të BE-së.

“Maqedonia Veriore dhe Shqipëria kanë çdo të drejtë që të jenë të zemëruara”, tha Zvezdana Kovaq nga “Lëvizja Evropiane” në Serbi, organizatë jofitimprurëse që bën thirrje për anëtarësimin e Serbisë në BE, duke iu referuar procesit të ngecur të bisedimeve.

Anëtarja e BE-së, Bullgaria, më 2020 e bllokoi fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë Veriore për shkak të një mosmarrëveshjeje për historinë dhe gjuhën.

Përparimi i Shqipërisë është i lidhur formalisht nga BE-ja me atë të Maqedonisë Veriore, e cila tashmë është dashur që të zgjidhë një mosmarrëveshje të vjetër me Greqinë për emrin e saj për ta hapur rrugën për anëtarësim në BE. Më herët, Maqedonia Veriore e Shqipëria është dashur ta presin dritën e gjelbër të Francës për shkak të gjendes së demokracisë dhe luftimit të korrupsionit.

Diplomatët e BE-së nuk presin ndonjë zhvillim të rëndësishëm në këtë samit.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Tjera nga autori:
1