<b></b> Rexhep Qosja thotë se BE-ja e mbështet Bashkimin Kombëtar, i kërkon Kurtit të veprojë

Rexhep Qosja thotë se BE-ja e mbështet Bashkimin Kombëtar, i kërkon Kurtit të veprojë

30.05.2022 16:43

Akademiku Rexhep Qosja së fundi ka bërë një intervistë për një gazetë nga Shqipëria, e në të cilën vazhdon t’i mëshojë idesë së Bashkimit Kombëtar përkundër që Kosova vazhdon hapat shtetndërtues dhe drejt fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar. 

Ai ka lavdëruar edhe punën e  bërë nga kryeministri Edi Rama por edhe punën e bërë nga kryeministri Albin Kurti.

“Posaçërisht i dukshëm është kontributi i Albin Kurtit ndaj çështjes kombëtare. Këtë që në krye të herës e ka dëshmuar edhe emri i Lëvizjes së tij: Vetëvendosje”, ka shkruar z. Qosja në intervistë.

Por, më pas ai ka kërkuar Bashkim të Kosovës me Shqipërinë dhe të Shqipërisë me Kosovën në dy referendume që do të organizoheshin në dy shtetet tona.

Ai pretendon se ka “intelektualë, studiues shkencorë, publicistë” të cilët e kuptojnë dhe e përkrahin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Madje, qosja shton se BE-ja do ta kuptojë edhe vetë pas pranimit të Kosovës dhe Shqipërisë në këtë bllok se “më e drejtë do të ishte” sikur të kishin vetëm një shtet shqiptar.

“Qoftë edhe për këtë arsye ata, pa ngurrime, pa dronë e sotme mos po i shqetësojnë kolegët evropianë, ata, duhet t’ua shqiptojnë atyre idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë si zgjidhje e çështjes kombëtare shqiptare, që është në interesin edhe të vetë Bashkimit Evropian”, shprehet Qosja.

Qosja kishte bërë bujë të madhe në opinionin publik edhe para dy muajsh kur shprehej me terme rugoviste përkundër që dikur kundërshtonte presidentin e parë të Kosovës. 

Ju ftojmë të lexoni gjithë përgjigjen e Qosjes në lidhje me këtë temë:

Intervistuesi:

Çfarë duhet të bëjnë më mirë se deri më sot qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës për çështjen tonë kombëtare?

Qosja:

Nuk ka dyshim se politikanët kryesorë shqiptarë, kryetarët e dy shteteve, kryeministrat e dy shteteve, kryetarët e kuvendeve të dy shteteve dhe ministrat e punëve të jashtme të dy shteteve mund të bëjnë më shumë se çka po bëjnë sot për çështjen tonë kombëtare.

Dy kryeministrat e tashëm, ai i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, kanë sjellë ide të reja, sjellje të reja, veprime të reja, mendime të reja, në politikën e tyre shtetërore, kur e kur edhe në politikën ndaj çështjes kombëtare të pazgjidhur historikisht. Ata e kanë ngritur nivelin dhe dinjitetin e politikës sonë në përgjithësi.

Posaçërisht i dukshëm është kontributi i Albin Kurtit ndaj çështjes kombëtare. Këtë që në krye të herës e ka dëshmuar edhe emri i Lëvizjes së tij: Vetëvendosje.

Por, dy kryeministrat tanë mund të bëjnë edhe më shumë për këtë çështje.

Ata duhet të dinë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian ekzistojnë intelektualë, studiues shkencorë, publicistë, që e kuptojnë dhe e përkrahin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ata duhet të jenë të bindur se mbas pranimit të Shqipërisë e të Kosovës në Bashkimin Evropian do të fillojnë të mendojnë zyrtarët e atij Bashkimit se edhe për vetë Evropën do të jetë më e kuptueshme, më e arsyeshme, më e drejtë që në atë Bashkim të mos jenë dy shtete shqiptare –Shqipëria dhe Kosova, por të jetë një shtet shqiptar: shteti i Shqipërisë dhe i Kosovës - të bashkuar.

Qoftë edhe për këtë arsye ata, pa ngurrime, pa drojën e sotme mos po i shqetësojnë kolegët evropianë, ata, duhet t’ua shqiptojnë atyre idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë si zgjidhje e çështjes kombëtare shqiptare, që është në interesin edhe të vetë Bashkimit Evropian.

Dhe bashkë me kryetarët, kryetarët e kuvendeve dhe ministrat e Jashtëm të dy shteteve tona duhet të jenë ata që do të kërkojnë dhe do të arrijnë që në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në Kushtetutën e Kosovës të futet paragrafi në të cilin do të shënohet se Shqipëria dëshiron të bashkohet me Kosovën dhe se Kosova dëshiron të bashkohet me Shqipërinë.

Dhe, për këtë dëshirë të tyre do të vendosë populli i Shqipërisë dhe populli i Kosovës në Referendum.

Dhe, për këtë dëshirë të tyre ata, udhëheqësit shqiptarë, do të bëjnë përpjekje politike për përkrahjen e zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tjera nga autori:
1