Pse po rrudhen Albin Kurti e Vetëvendosje në sondazhe?

Pse po rrudhen Albin Kurti e Vetëvendosje në sondazhe?

22.06.2022 22:13

Duket se dashuria e Shën Valentinit nuk ka zgjatur më shumë se një përvjetor. Sepse, përkrahja për Lëvizjen Vetëvendosje është zvogëluar. Së paku në sondazhe. Edhe entuziazmi për Albin Kurtin, kryeministër i Kosovës, nuk është ai i njëjti nga zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.

Pra, “rrudhja” e mbështetjes popullore për partinë në pushtet është evidente në sondazhet e fundit. Analistët ofrojnë arsye të ndryshme se pse një gjë e tillë po i ndodh VV-së.

Sipas matjeve të fundit të bëra nga organizata ndërkombëtare dhe vendore, përkrahja e madhe e kosovarëve për VV e Kurtin, ka rënë drastikisht.

E para, pra partia e Kurtit, ka hiq më pak se 170 mijë vota minus nga rezultati i 14 shkurtit. 

Një sondazh që u publikua ekskluzivisht në Nacionale, VV renditej e para, por duke mos marrë më shumë se 34% të votave.

E dyta në këtë matje që u bë vetëm brenda komunitetit shqiptar, është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 24.2 për qind, ndërsa PDK me 20.7 për qind.

Aleanca për Ardhmërinë e Ramush Haradinaj mezi arrin të kalojë pragun zgjedhor, duke marrë vetëm 6 për qind.

E këtë të mërkure, Nacionale ka publikuar edhe një sondazh tjetër të bërë nga UBO, e që flet për pëlqyeshmërinë e liderëve të partive e institucioneve të Kosovës.

“Duke përdorur shkallën e vlerësimit 1 deri në 5, ku 1 nënkupton “shumë negativ” dhe 5 nënkupton “shumë pozitiv”, si dhe 88 nuk e njoh/pp, ju lutem na tregoni se çfarë mendimi keni për personat e përmendur më poshtë?”, ishte pyetja që iu shtrua të anketuarve.

Kryeministri Kurti u notua me vetëm 2,98 pikë, teksa pak më poshtë është kryetari LDK-së me një notë mesatare prej 2,92.

Në të tretin vend është renditur lideri tjetër opozitar Memli Krasniqi, duke u notuar me 2,60 pikë, që megjithatë është më lart se Ramush Haradinaj, që mori veç 2,38 pikë.

Politikani me notën më të lartë nga personat e anketuar është presidentja Vjosa Osmani. Ajo është notuar mesatarisht me 3,37. Në vend të dytë është kryekuvendari Glauk konjufca që ka marrë një notë prej 3,06.

Analistët tregojnë arsyet për rënien e popullaritetit të VV-së

Analistja Zana Avdiu, është deklaruar për Nacionale në lidhje me sondazhet e fundit që dolën në publik.

Ajo tha se arsye pse VV ka shënuar rënie në sondazhe lidhet me kauzat e saja sa ishte në opozitë, duke shtuar se tashmë kësaj partie i ka mbetur vetëm emri i vjetër.

Si mos me ra VV, kur të gjitha kauzat mbi të cilat është ngritë, po dalin që kanë qenë të rrejshme, dhe tash qytetarët po e shohin me sytë e tyre këtë.  VV ka kundërshtu me forcë të gjitha marrëveshjet me Serbinë, të cilat po i nënshkruan sot vet. Pra, Vetëvendosjes i ka mbetur vetëm emri i njëjte. Ka hequr dore nga parimi për Vetëvendosje, dhe tash po negocion me Serbinë. Ka hequr dore nga bashkimi kombëtar dhe e ka pranu flamurin lara-lara dhe pakon e Ahtisarit”, tha Avdiu për Nacionale.

Ajo përmendi edhe luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, në të cilat, sipas Avdiut, VV është përfshirë “kokë e këmbë”.

"VV pikë të fortë e ka pas luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, dhe sot për një kohë kaq të shkurtë, është e përfshirë kokë e këmbë në të dyjat.  VV ka premtuar edhe zhvillim të madh ekonomik të vendit, deri aty ku synonte që ta arrijë edhe Kroacinë. Ndërsa, vendet e BE janë mbërri veç me çmime, dhe jo zhvillim ekonomik. Pra, qeverinë Kurti e karakterizojnë rrogat e Kosovës e çmimet e Evropës.  E, meqë VV ka dështuar ne tri pikat e saj kryesore, atëherë rënia e saj është e kuptueshme”, përfundoi Avdiu.

Ndërsa, analisti Shkodran Ramadani thotë se që nga momenti kur VV i fitoi 51% të votave është kuptuar se më atë shifër nuk do ta arrijë kurrë.

Megjithatë, ai thotë se rënien e ndihmoi edhe paaftësia e Kurtit për të mirë qeverisur.

Prej atij momenti ka filluar rënia e tyre. Është e pamundshme me i mbajt 51%. Rënien e shpejtë e ka mundësuar normalisht edhe qeverisja jo e mirë, me shumë gabime, me shumë skandale, me demonstrim shumë spektakular të paaftësisë, të mungesës së kompetencës. Dhe në një mënyrë është ekspozuar në pushtets se kjo parti nuk është e aftë të qeverisë me vendin”, tha Ramadani për Nacionale.

Por, në krejt këtë rënie rapide të VV-së në përkrahje, Ramadani konsideron se luajti rol edhe nepotizmi.

Përveç paaftësisë, është parë në mënyre brutale edhe shkelja flagrante e të gjitha premtimeve që e kanë ndihmuar rritjen e VV-së, prej mos luftimit të korrupsionit e nepotizmit, të klientelizmit dhe vazhdimi i formatit të dialogut në mënyrën pothuajse të njëjtë me qeveritë e kaluara. Të gjitha këto tregojnë që VV përbën një ndryshim”, tha ai.

Kujtojmë që në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me Listën Guxo, kishte fituar 51% të votave, dhe sot qeverisë e vetme me shtetin e Kosovës.

Tjera nga autori:
1